☁️
Tiranë 24°C · Vranët 01 September 2026
S&P 500 7,631 ▼0.71%
DOW 52,767 ▼0.79%
NASDAQ 26,100 ▼1.03%
NAFTA 90.68 ▲5.74%
ARI 4,376 ▼2.36%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096
₿ CRYPTO
BTC $77,088 ▼ -2.49% ETH $2,409 ▼ -2.94% XRP $1.3455 ▼ -3.1% SOL $99.2600 ▼ -4.45%
S&P 500 7,631 ▼0.71 % DOW 52,767 ▼0.79 % NASDAQ 26,100 ▼1.03 % NAFTA 90.68 ▲5.74 % ARI 4,376 ▼2.36 % S&P 500 7,631 ▼0.71 % DOW 52,767 ▼0.79 % NASDAQ 26,100 ▼1.03 % NAFTA 90.68 ▲5.74 % ARI 4,376 ▼2.36 %
EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1609 EUR/GBP 0.8572 EUR/CHF 0.9388 EUR/ALL 92.3446 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3508 EUR/TRY 56.0738 EUR/JPY 185.50 EUR/CAD 1.6096
01 Sep 2026
Breaking
Opinion

Një çështje drejtësie: Çfarë mësova duke ndjekur gjyqin e Ratko Mlladiçit

mladic
Ratko Mlladiç. Foto: UN-IRMCT/Leslie Hondebrink-Hermer

Nga: Ahmet Gumusbas

Kur doli lajmi se Ratko Mlladiçi kishte vdekur në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së në Hagë, titujt e lajmeve sollën sërish imazhet e njohura të viteve ’90: “Kasapi i Bosnjës”, krimineli i luftës, komandanti që u bë sinonim i gjenocidit të Srebrenicës.

Për mua, megjithatë, vdekja e tij solli në kujtesë një tjetër imazh: një burrë i moshuar, i ulur vetëm pak metra larg meje në një sallë gjyqi, i zhveshur nga uniforma e tij dhe i nënshtruar ritmit të qetë e të ngadaltë të procedurave penale ndërkombëtare.

Takimi im me Mlladiçin nuk nisi pas trupit gjykues, por pas xhamit të galerisë së publikut në vitin 2015. Po studioja për një master në të drejtën publike ndërkombëtare dhe shkova në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, i emocionuar që do të shihja nga afër një gjyq me të cilin deri atëherë e kisha njohur kryesisht përmes leksioneve, librave dhe dokumentarëve.

Si një turk i ri, një skenë arkivore nga lufta në Bosnjë më kishte mbetur gjithmonë e ngulitur në kujtesë: 11 korriku 1995, kur Mlladiçi pa drejt e në kamerë dhe deklaroi se kishte ardhur koha për të “marrë hak ndaj turqve në këtë rajon”. (Nacionalistët serbë shpesh u referoheshin myslimanëve boshnjakë si “turq”.) E dija se ajo që pasoi ishte vrasja sistematike e më shumë se 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Por të njohësh imazhet dhe të shohësh njeriun ishin dy gjëra krejt të ndryshme.

Kur Mlladiçi hyri në sallën e gjyqit dhe u ul në vendin e tij, u kthye nga ne të paktët që po e ndiqnim nga galeria e publikut. Përmes ndarjes prej xhami, ai bëri një lëvizje të vogël me kokë, pothuajse sikur po na mirëpriste në hapësirën e tij. Ishte çorientuese dhe shqetësuese. Ai nuk ishte më figura që kisha parë në pamjet dokumentare. Ishte një njeri i gjallë, i ulur drejtpërdrejt përballë meje.

Një vit më vonë, në verën e vitit 2016, u ktheva në tribunal, këtë herë duke kaluar portat e sigurisë jo si vëzhgues, por si praktikant ligjor pranë Trupit Gjykues që po shqyrtonte çështjen kundër Mlladiçit.

Brenda sallës së gjyqit, miti që rrethonte gjeneralin filloi gradualisht të zbehej. Procesi nuk kishte të bënte me simbole apo me narrativa të mëdha historike. Ai kishte të bënte me provat: dëshmitë e dëshmitarëve, dokumentet, materialet forenzike, argumentet kundërshtuese të akuzës dhe mbrojtjes, si dhe standardet ligjore me të cilat duhej të vlerësohej e gjithë kjo.

Një moment në qershor të vitit 2016 e bëri veçanërisht të qartë këtë kontrast. Një ekspert ushtarak rus që dëshmonte në favor të mbrojtjes, Andrei Demurenko, përfundoi dëshminë e tij dhe, në mënyrë të papritur, i kërkoi gjyqtarit kryesues leje t’i shtrëngonte dorën Mlladiçit, duke vënë në dukje se mund të ishte hera e fundit që do ta shihte. Kërkesa u refuzua. Gjyqtari gjithashtu e udhëzoi që të mos vendoste kontakt me sy me të akuzuarin. Demurenko vazhdoi të përpiqej të takonte vështrimin e Mlladiçit.

Më kujtohet se më bëri përshtypje kontrasti. Në atë kohë, tashmë isha mësuar ta shihja Mlladiçin përmes rutinave procedurale të gjyqit. Për këtë dëshmitar, kjo distancë me sa duket nuk ekzistonte.

whatsapp image 2026 09 01 at 11.51.40 e1788264270421
Ahmet Gumusbas (i dyti nga e djathta në bankën e gjyqtarëve) gjatë një seance gjyqësore në procesin kundër Ratko Mlladiçit. Foto kortezi e Ahmet Gumusbas.

Në kohën kur nisën seancat e fundit, gjatë javës sime të fundit si praktikant, marrëdhënia ime me procesin kishte ndryshuar sërish. Të vishja mantelin e zi të juristit dhe të hyja në sallën e gjyqit si pjesë e ekipit ligjor të Trupit Gjykues I ishte njëkohësisht emocionuese dhe serioze. Por nervozizmi që kisha ndier një vit më parë nga galeria e publikut ishte zhdukur.

Puna në këtë proces kishte imponuar gradualisht një lloj disipline emocionale. Ditë pas dite, ndërsa shqyrtonim mijëra prova të paraqitura në gjykatë, raporte forenzike dhe dëshmi nga prokuroria dhe mbrojtja, puna kërkonte një shkëputje profesionale.

Gjenerali që kisha parë në pamjet dokumentare gradualisht ia la vendin të pandehurit që kisha përpara. Në sallën e gjyqit, ai nuk ishte më simbol i lavdisë ushtarake apo i së keqes absolute, por një person i akuzuar, përgjegjësia penale e të cilit duhej të përcaktohej përmes provave dhe ligjit. Kjo nuk ishte keqardhje. Nuk ishte as indiferencë.

Kur Trupi Gjykues I shpalli në nëntor të vitit 2017 dënimin me burgim të përjetshëm, emocioni që ndjeva nuk ishte një triumf hakmarrës. Ishte një ndjenjë e qetë dhe e thellë përmbylljeje. Ishte kënaqësia që vinte nga të diturit se një proces i jashtëzakonshëm, i kujdesshëm institucional, në të cilin unë kisha kontribuar vetëm në një masë shumë të vogël, kishte përfunduar në mënyrë të drejtë dhe se përgjegjësia formale ligjore ishte vendosur.

Megjithatë, kjo ndjenjë përmbylljeje ishte njëkohësisht edhe e paplotë. Një vendim penal mund të përcaktojë përgjegjësinë dhe të vendosë dënimin. Ai mund të krijojë një dokumentim ligjor autoritativ të asaj që ka ndodhur. Por, në vetvete, nuk mund të sigurojë atë ndjenjë gjithëpërfshirëse të drejtësisë që kërkojnë viktimat.

Një dënim me burgim të përjetshëm nuk mund t’i kthejë të vdekurit në jetë. Një dënim fajësie nuk mund të rindërtojë një komunitet të shkatërruar, të rikthejë gjithçka që të mbijetuarit kanë humbur apo të shërojë plagët që vazhdojnë të përcillen brez pas brezi. Për viktimat, drejtësia nuk mund të reduktohet në rezultatin e një procesi penal, sado i rëndësishëm të jetë ai rezultat.

Në rrugë drejt Srebrenicës

whatsapp image 2026 09 01 at 11.54.38 e1788264341317
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Foto: Ahmet Gumusbas.

Kufijtë e këtij abstraksioni të sallës së gjyqit m’u bënë të qartë vite më vonë, kur u ktheva në Bosnjë si studiues doktorature. Teksa po udhëtonim drejt Srebrenicës së bashku me kolegë akademikë, u shfaq një tabelë anës rrugës: Kravica.

Për vite me radhë, Kravica kishte ekzistuar në mendjen time vetëm si një dokumentim ligjor. E njihja përmes dosjeve të çështjes dhe dëshmive të dëshmitarëve: vendi ku, më 13 korrik 1995, mbi 1,000 burra boshnjakë të kapur u detyruan të futeshin në një magazinë bujqësore dhe u vranë nën breshërinë e mitralozëve dhe granatave.

Pastaj pashë magazinën. Ajo qëndronte e braktisur, e dukshme nga rruga dhe nga zona përreth. Mund të shihja gjurmët fizike të plumbave të mbetura në ndërtesë.

Atje, abstraksioni ligjor ia la vendin realitetit fizik të këtij vendi. Për vite me radhë, Kravicën e kisha hasur përmes gjuhës së sallës së gjyqit. Duke qëndruar aty, e përjetova si një vend real.

Ndarja që kishte qenë e domosdoshme brenda Tribunalit papritur m’u duk krejt ndryshe. Në Hagë, kisha mësuar se drejtësia kërkon që provat të ndahen nga emocionet. Në Bosnjë, m’u kujtua se provat vijnë nga diku. Pas çdo paragrafi të një vendimi gjyqësor qëndrojnë vende, trupa, familje dhe jetë njerëzish.

Mlladiçi tashmë ka vdekur. Tribunali që e gjykoi e ka përmbushur mandatin e tij, duke lënë pas vendime gjyqësore, dokumente dhe një korpus të jashtëzakonshëm jurisprudence. Vdekja e tij nuk e fshin atë që gjykata përcaktoi, as nuk u jep fund debateve mbi kujtesën, mohimin dhe përgjegjësinë që vazhdojnë në Bosnjë dhe më gjerë.

Megjithatë, ajo që mbetet është më e madhe se fati i një të pandehuri. Si dikush që e vëzhgoi nga pas xhamit, që punoi si pjesë e GJPNJ-së dhe që më vonë vizitoi vendet ku u kryen krimet në Bosnjë, e di se salla e gjyqit ishte vetëm fillimi. Qelia e Mlladiçit tani është bosh, por puna për të kujtuar, për të rindërtuar dhe për të kërkuar llogari u mbetet të gjallëve.

Ahmet Gumusbas është ish-praktikant ligjor pranë Trupit Gjykues I të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe studiues doktorature në të drejtën ndërkombëtare në KU Leuven.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë qëndrimet e BIRN.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.