Një mbishkrim i Sulejmanit të Madhërishëm në Lezhë
Nga Fatmira Nikolli
Në vitin e largët 1522, kalaja e Lezhës u rikonstruktua. Për nder të Sulltan Sulejmanit, të Madhërishmit (Ligjvënësit), një pllakë me një mbishkrim u vendos në hyrje të kalasë. Austriakët, me në krye Milan Shuflain, e gjetën aty rreth katër shekuj më vonë, por nuk arritën dot ta përkthenin.
Nuk dihet kur, pllaka u hoq prej hyrjes së kalasë, ku vendi është ende bosh, por në vitet 1960, Frano Prendi e pikasi atë në muret e një fshatari. E mori prej andej dhe e çoi në depon e muzeut të qytetit, ku prehej deri para pak muajsh. Një vizitë e Auron Tares në këtë depo dhe disa fotografi që iu dërguan një otomanisti në Holandë, kanë bërë të mundur, që sot mbishkrimi të përkthehet dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e tij, të kalasë, dhe të tregojë njëherësh se nëpër depo mund të kemi thesare.
E rikonstruktuar nga pinjolli i një aristokrati shqiptar i familjes (në kohën e konvertimit të fesë), në vitin 1522, kalaja mbajti në hyrje të saj një pllakë ‘falënderuese’ (një nga tri më të rrallat në Shqipëri) për arkitektin Skura dhe vetë sulltanin e Portës së Lartë, derisa një ditë ajo u gjet në muranën e një banori…
Historia e veçantë e një pllake mesjetare vjen e rrëfyer nga Auron Tare.
Rrëfimi
“Në Lezhë ndodhet një nga mbishkrimet e rralla të periudhës otomane. Përkthimi i mëposhtëm i bërë i mundur nga Prof. Mehmet Tutuncu nga Qendra Orientale në Holandë: “Sultan Süleyman, son of Selim, son of Bayezid Han has constructed this blessed castle May God poerpetuate his reign and prolong his life, with the help of (architect) Dervish Muhammed, son of Uzgur (Skura), at the date of: “Lofty is Süleyman’s castle, and strong”, year 928 (1522)”. Në shqip ky mbishkrim përkthehet: Sulltan Sulejmani, ka rikonstruktuar këtë kështjellë të bekuar, Zoti e përjetësoftë mbre-tërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e (arkitektit) Dervish Muhamedi, i biri i Uzgur. Kryelarta kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928, ose me kalendarin gregorian, viti 1522″. Auron Tare, dashamirës i trashëgimisë jep në anglisht dhe në shqip, mbishkrimin e një pllake të kalasë së Lezhës.
Sipas Tares, që ka hulumtuar për këtë çështje, ky mbishkrim është përmendur për herë të parë nga ekipi i studiuesve austriakë përpara Luftës së Parë Botërore me në krye Milan Shuflain. “Për një kohë të gjatë mbishkrimi konsiderohej i humbur. Sipas një përshkrimi të Machiel Kiel, u rizbulua nga Frano Prendi diku në vitet ’60 në muret e një fshatari me emrin Esref Resuli. Prej asaj kohe ka qenë vendosur në depon e Muzeumit Lokal të Lezhës. Sipas Prof. Tutuncu, është mjaft e vështirë për t’u kuptuar se si një mbishkrim i tillë me një vlerë mjaft të rëndësishme nuk është botuar dhe studiuar gjerësisht”, – sqaron Tare. Nga kontaktet me specialistët e fushës, ai bën me dije se gjuha e përdorur është një arabishte pa asnjë formë poetike, gjë që tradicionalisht përdorej në mbishkrimet perandorake. Kjo sipas tij, mund të nënkuptojë se mbishkrimi është kërkuar dhe ekzekutuar nga njohës jo të mirë të arabishtes së kohës, ndoshta nga figura ushtarake lokale.
Pikëçuditëset dhe rëndësia e një ‘zbulimi’
Ndërsa një ‘grumbull fjalësh’ në gjuhë të huaj marrin tashmë një kuptim të përkthyera në shqipe nga njohës të mirë të fushës, vlen pyetja: ç’rëndësi ka një pllakë mesjetare me një shënim mesjetar mbi të? Tare e ka gati përgjigjen: “Mbishkrimi ka shumë rëndësi, sepse i përket një prej figurave më të njohura të Perandorisë Osmane: Sulejmanit të Madhërishëm, Ligjvënësit. Ai është një prej tri mbishkrimeve më të hershme që është zbuluar deri tani në Shqipëri. Është i vetmi mbishkrim i shkruar në emër të Sulltan Sulejmanit dhe vlen të vëmë në dukje, se është edhe më i rrallë, nëse veçojmë faktin që ai u shkrua në vitin e parë të sundimit të tij, kur sapo kishte marrë pushtetin”.
Për të, përbën interes edhe fakti që në këtë pllakë, është përmendur arkitekti që ka bërë rikonstruksionin e kështjellës. “Me sa duket i përket aristokracisë vendase. Jemi në një kohë, kur sapo ka filluar konvertimi i familjeve të mëdha katolike në fenë myslimane. Dervish Muhamedi, i biri i Skura apo në turqisht Uzgur-oglu, është me siguri anëtar i familjes së njohur aristokrate katolike Skura dhe sipas Michael Kiel ka shumë mundësi të jetë i njëjti Mehmet Bej themeluesi i xhamisë së famshme në Berat”.
Mbishkrimi jep datën e saktë të rikonstruksionit të kalasë së Lezhës nga otomanët, pra më 1522. Sipas prof. Tutungut, është një informacion që vjen nga mbishkrimi dhe është unikal për Shqipërinë.
Veçse në këtë pikë, askush s’di të thotë se si pllaka e kalasë, është shkulur prej andej për të përfunduar në muranën e një banori të zonës, ku për fat të mirë është gjetur nga Frano Prendi.
“Nga kalaja është hequr në harkun kohor nga Lufta e Parë Botërore, deri më 1960-ën. Nuk dihet kur. Ai ka qenë në hyrje të kalasë, ku e kanë parë austriakët. Ky rizbulim nxjerr nevojën për të riparë depot e muzeve dhe inventarët e tyre, sepse siç duket, është ende e paqartë se ç’ka në to”, – thotë ai.
Për fat të keq, nuk është fort çudi që pjesët e kalave bëhen ‘pronë private’. Vite më parë, media raportoi se banorët e Kaninës, merrnin gurët e kalasë dhe me to ndërtonin shtëpi, në shekullin e 21-të, kur diç është kuptuar ç’do me thënë monument kulture.