Ekonomia

Nuk ka rritje tarifash, zv/dekani i Ekonomikut: E fundit ishte në 2014-n

Opozita akuzon qeverinë se ka rritur tarifat e studimit gjatë vitit akademik 2016. Përmes një statusi në Facebook, ish lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha shkruan se pagesat e studimit në krahasim me 2015-n janë rritur në masën 247%. Por, zv. dekani i fakultetit Ekonomik, në universitetin e Tiranës ka një përgjigje tjetër për këtë.

“Në vitet e fundit të paktën në Universitetin e Tiranës dhe aq më shumë në fakultetin Ekonomik nuk ka pasur asnjë rritje tarife. Tarifat e fundit që janë rritur janë të vitit 2014-2015. Edhe për vitin e ri akademik ‘17-‘18 Universiteti i Tiranës nuk parashikon të ketë rritje tarifash”, thotë Ervin Demo, zv. Dekan i Fakultetit Ekonomik, UT.

Por, Demo pranon se dy janë rrugët që rrisin buxhetin e universiteteve publike, ku këto të fundit sipas tij kërkojnë më shumë para nga shteti, dhe jo nga studentët.

Sipas zv. dekanit të Ekonomikut, paratë që shkojnë për arsimin prej rreth një dekade janë të papërfillshme. Bëhet fjalë për 3.4 miliard lekë në vit që shteti jep për të gjitha universitetet publike

“Universitetet publike nuk është se politikën e tarifave e shohin me një përqëndrim të madh që të ardhurat të gjenerohen nga rritja e tarifave. Në realitetin shqiptar ka vetëm dy rrugë të financimit të universitetet publike. Një është financimi nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga tarifat e studentëve. Universitetet publike gjithmonë kanë kërkuar që financimi që vjen nga buxheti i shtetit duhet të jetë më e madhe”, thotë Demo.

Ndërkohë Demo thotë se fakulteti Ekonomik ka nisur përgatitjet për vitin e ardhshëm akademik, ku do të ketë rreth 10% kuota më shumë se vjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button