Ekonomia

Nuk keni dorëzuar deklaratat tatimore? Deklarojini deri në 30 qershor që të shpëtoni gjobat

Të gjitha bizneset që  nuk kanë bërë deklarimet e përmuajshme, apo një herë në tre muaj në sistemin online të tatimeve deri në fund të 2016-s kanë një shans për të shpëtuar nga gjobat që u ka vënë sistemi automatikisht.

Ligji i ri për  “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”, i sapomiratuar nga Kuvendi parashikon heqjen e gjobave për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara. Por, në mënyrë që të hiqen gjobat, kushti është që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.

Krahas gjobave për deklarata të vonuara falen edhe gjobat e llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar, deri më 31.12.2016, përfshirë edhe gjobat që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve, si dhe gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare,  të llogaritura deri në datën 31.12.2016.

Fshihen edhe gjobat për shoqëritë e autorizuara, sipas nenit 123 të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të evidentuara deri më datën 31.12.2016 si dhe gjobat si rezultat i aplikimit të dispozitave të Ligjit nr. 99/2015, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese

Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas miratimit në Fletoren Zyrtare dhe sipas Ministrisë së Financave nga fshirja e detyrimeve, përfitojnë 200 mijë tatimpagues. Afati i zbatimit është deri më 31 dhjetor 2017.

Detyrimet tatimore kombëtare dhe vendore që fshihen me dhe pa kusht pagese janë:

-Për periudhat tatimore deri në 2010, fshihet plotësisht detyrimi tatimor (tatim/taksë/ tarifë, kamatëvonesa dhe gjoba), me përjashtim të detyrimit principal për kontributet e sigurimeve.

-Për periudhat tatimore 2011-2014, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për çdo lloj detyrimi tatimor përfshirë edhe për kontributet, me kusht pagesën e principalit brenda datës 31.12.2017.

Fshihen edhe detyrimet tatimore (principal përfshirë kontributet, kamatëvonesën dhe gjobat) për subjektet persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara të regjistruara ose jo, apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH, ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014.

Për të vetëpunësuarit në bujqësi fshihen gjobat dhe kamatëvonesave për kontributet e sigurimeve, për periudhat 2011-2016, me kusht pagesën e kontributit brenda datës 31.12.2017.

Detyrime të pagueshme në doganë:

Fshihen/shuhen pa kusht detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të këtij ligji, të papaguara  dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të administratës doganore deri në datën 31 dhjetor 2010.

Fshihen/shuhen detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të këtij ligji, të papaguara dhe të evidentuara për individët lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të administratës doganore deri në datën 31 dhjetor 2016.

Fshihen/shuhen detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.

Fshihen/shuhen gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese, të papaguara dhe të evidentuara nga 1 janari 2011-31 dhjetor 2014, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet plotësisht pjesa tjetër e detyrimit të pagueshëm në doganë, përkatësisht taksa doganore, TVSH, akcizë, rentë, taksë ambalazhi, taksa qarkullimi, taksë karboni.

Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nga 1 janari 2011- 31 dhjetor 2016, fshihen/shuhen me kusht që brenda 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button