Obama: Rusia, Irani e Siria i kanë duart me gjak, pse s’e ndala dot luftën në Alepo
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Rusia, Irani dhe Siria “kanë gjak në duart e tyre” nga betejat brutale të Aleppos, teksa është ankuar se nuk ka mundur ta ndalë gjakderdhjen në Siri, me gjithë përpjekjet disa vjeçare.
“Bota në kohën si është tani, është e tmerruar nga sulmet brutale nga regjimi sirian dhe aleatët e saj rusë dhe iranianë në qytetin e Aleppos. Ne kemi parë një strategji të qëllimshme të rrethimit dhe mbajtjes së civilëve të uritur. Ne kemi parë sulmet që kishin objektiv punonjësit humanitarë dhe personelin mjekësor”.
“Lagje të tëra janë shndërruar në gërmadha dhe pluhur. Ka raportime të vazhdueshme për civilët që po ekzekutohen. Këto janë shkelje të tmerrshme të ligjit ndërkombëtar. Përgjegjësia për këtë brutalitet bie mbi një adresë, regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin. Ky gjak dhe këto krime gjenden në duart e tyre”, ka thënë Obama gjatë konferencës së fundit për këtë vit me gazetarët.
Obama, veçanërisht ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al Assad, lufta civile e të cilit ndaj kundërshtarëve të armatosur prej vitit 2011 ka vrarë mbi 250 mijë njerëz, se ai nuk do të jetë në gjendje që “duke kryer vrasje masive, t’i japë vetes legjitimitet”.
Mirëpo, të njëjtën kohë, Obama ka pranuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë arritur pak sukses në përpjekjet e tyre që ta ndalin gjakderdhjen apo ta zvogëlojnë sado pak atë. Sipas Obamës, kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e vendimit të tij të mëhershëm gjatë luftës që të mos e përfshijë SHBA-në ushtarakisht.
“Për vite të tëra, ne kemi punuar që ta ndalim luftën civile në Siri dhe t’i lehtësojmë vuajtjen e njerëzve… Kjo ka qenë një nga çështjet më të vështira, me të cilat jam përballur si president”, ka theksuar Obama.
Presidenti Obama ka thënë se ai ka arritur në përfundim se përfshirja e SHBA-së ushtarakisht në Siri, nuk do të ishte diçka që do të bëhej lehtë apo pa pasoja.
“E vetmja mënyrë ishte që ne të përfshihemi në tërësi dhe të marrim kontrollin mbi Sirinë, ndryshe do të përballeshim me probleme”, ka thënë Obama dhe ka shtuar se okupimi ushtarak nënkuptonte “vendosjen e shumë ushtarëve në terren, të paftuar, pa një mandat sipas ligjit ndërkombëtar”.
Obama, gjithashtu, e ka pranuar se përpjekjet e administratës së tij për të vendosur një proces paqeje përmes Kombeve të Bashkuara apo edhe me negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, nuk kanë dhënë rezultate.
“Nuk mund të pretendoj se kemi qenë të suksesshëm. Dhe, kjo është diçka, njëjtë si me shumë probleme e telashe të tjera nëpër botë, me të cilën më duhet të shtrihem në shtrat çdo natë. Por, unë vazhdoj të besoj se kjo ishte qasja e duhur, marrë parasysh atë që ne realisht do të mund të bënim”, ka thënë presidenti amerikan.
Shumë analistë konsiderojnë se mosveprimi nga perëndimi ka nxitur vendimin e Rusisë që të ndërhyjë. Moska është duke e ndihmuar regjimin e Assadit që të shënojë sukses të madh në rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga rebelët.
Derisa Obama po mbante konferencën me gazetarë, Rusia dhe Siria kanë ndaluar evakuimin e mijëra civilëve dhe luftëtarëve, ndërsa po i vazhdojnë përpjekjet të marrin pjesën e fundit të Aleppos, që ende është nën kontroll të rebelëve.
Obama e ka përkrahur iniciativën franceze në OKB që të autorizohen vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara për të monitoruar evakuimin, mirëpo Rusia e ka bllokuar këtë duke i lënë zyrtarët e OKB-së po aq të zemëruar sa presidenti amerikan rreth asaj se si të vazhdohet tutje.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në konferencën e fundit të tij në këtë pozitë, më 16 dhjetor, ka thënë se lufta në Siri është diçka që “i ka thyer zemrën atij”, veçanërisht pasi përpjekjet për evakuimin e qindra mijëra civilëve të lënduar, janë pezulluar më 16 dhjetor.
Forcat siriane kanë thënë se e kanë pezulluar evakuimin, sepse grupet rebele nuk i janë mbajtur premtimit që të lejojnë evakuimin e trupave qeveritare dhe civilëve të lënduar nga dy fshatra shiite që rebelët i mbajnë nën kontroll në krahinën e Idlibit.
Irani ka kërkuar që fshatrat të përfshihen në marrëveshjen e armëpushimit që ka mundësuar largimin e njerëzve nga Aleppo, thonë zyrtarë të OKB-së.
Turqia, një nga përkrahësit kryesor të rebelëve, ka thënë se Ankaraja është duke biseduar me homologër në Teheran në përpjekje për të lejuar vazhdimin e evakuimit.
Presidenti amerikan, Obama, i ka hedhur poshtë pretendimet ruse dhe siriane se të gjithë civilët që kanë qenë të ngujuar në Aleppo, kanë pasur mundësi të largohen.
“Aktualisht, rusët dhe Assadi pretendojnë se të gjithë civilët e pafajshëm që kanë qenë të ngujuar në Aleppo kanë dalë, derisa organizatat ndërkombëtare, organizatat humanitare që janë në terren, kanë thënë se ka ende dhjetëra mijëra njerëz që mbesin të ngujuar dhe janë të gatshëm të largohen në çfarëdo rrethana. Pra, momentalisht prioriteti ynë më i madh është t’iu bëjmë presion aty ku mundemi që t’i nxjerrim ata jashtë”, ka thënë Obama.