Odise Plaku: Komedia “Martini” në teatër, ku e zakonshmja zbulon dramat më të mëdha
Jeta e përditshme shqiptare, ku marrëdhëniet familjare dhe konfliktet e heshtura mes brezave zbulojnë drama që fshihen pas situatave në dukje të zakonshme janë në qendër të një komedie të re satirike. Dramaturgu Odise Plaku thotë se për këtë vepër zgjodhi satirën dhe humorin, sepse beson se komedia ka një fuqi të veçantë, ajo e thotë të vërtetën pa e rënduar publikun, por duke e bërë atë të reflektojë.
Jeta e përditshme shqiptare, ku marrëdhëniet familjare dhe konfliktet e heshtura mes brezave zbulojnë drama që fshihen pas situatave në dukje të zakonshme janë në qendër të një komedie të re satirike. Dramaturgu Odise Plaku thotë se për këtë vepër zgjodhi satirën dhe humorin, sepse beson se komedia ka një fuqi të veçantë, ajo e thotë të vërtetën pa e rënduar publikun, por duke e bërë atë të reflektojë.
Në intervistën për gazetën “SOT” dramaturgu Odise Plaku thotë se vepra është e ndërtuar artistikisht dhe e përpunuar përmes humorit dhe satirës, por thelbi i saj mbetet thellësisht real. Sipas tij, nëse spektatori arrin të shohë një pjesë të jetës së tij në skenë, të qeshë me të dhe njëkohësisht të reflektojë mbi të, atëherë vepra e ka përmbushur misionin e saj.
Komedia vjen në skenë nën regjinë e Adelina Muçës, e cila përveç se drejton shfaqjen, ka gjithashtu një rol në këtë vepër, ndërsa aktorja Julia Ilirjani është gjithashtu pjesë e kastit. Në skenën e Fierit janë vënë dhe të tjera vepra të autorit Odise Plaku, si “Klithma e një nëne të marrë” në 2006, “Shtëpia e re” në vitin 2024, “Pleqëri me kusure” në 2025.
Vepra të ndryshme teatrore drama dhe komedi janë vënë në skena shkruar nga ju. Këtë herë pritet një tjetër vepër, që vjen si premierë në teatrin “Bylis” në Fier. Çfarë ju frymëzoi për të shkruar veprën e radhës dhe pse zgjodhët që ta trajtoni përmes një
Frymëzimi për komedinë “Martini” lindi nga vëzhgimi i përditshmërisë sonë shoqërore dhe familjare, ku shpeshherë dramat më të mëdha fshihen pas situatave që, në pamje të parë, duken të zakonshme apo edhe komike. Marrëdhëniet brenda familjes shqiptare, sidomos tensionet e heshtura mes brezave dhe rolet e imponuara ndaj gruas, më kanë shtyrë ta trajtoj këtë realitet në një formë artistike.
Zgjodha satirën dhe humorin, sepse besoj se komedia ka një fuqi të veçantë: ajo e thotë të vërtetën pa e rënduar publikun, por duke e bërë atë të reflektojë. Përmes të qeshurës, spektatori arrin të njohë veten dhe realitetin që e rrethon. “Martini” nuk është thjesht një histori për një keqkuptim apo për një moment çlodhjeje, por një pasqyrë e hollë e kontrasteve sociale, e kufizimeve që vendos shoqëria dhe e dëshirës së individit për liri.
Në thelb, vepra “Martini” mbështetet fuqishëm në realitetin shqiptar, në ato përjetime dhe dinamika që i hasim çdo ditë në familjet tona. Marrëdhëniet si ajo nuse-vjehërrë, ndjenja e kontrollit brenda familjes, mungesa e hapësirës personale apo edhe përballja me vështirësitë ekonomike nuk janë thjesht elemente artistike, por pasqyrime të një realiteti të njohur për shumëkënd. Personazhet e Laurës dhe Medies nuk janë figura të izoluara, ato përfaqësojnë dy anë të së njëjtës shoqëri.
Nga njëra anë kemi një grua që jeton brenda kufizimeve të një martese dhe një strukture familjare tradicionale, dhe nga ana tjetër një grua që përballet me vetminë dhe varfërinë. Këto janë histori që, në forma të ndryshme, i ndeshim shpesh në realitetin shqiptar. Sigurisht, vepra është e ndërtuar artistikisht dhe e përpunuar përmes humorit dhe satirës, por thelbi i saj mbetet thellësisht real. Pikërisht kjo e bën komedinë më të afërt me publikun, sepse pas të qeshurës, spektatori arrin të njohë copëza të jetës së vet.
-Si ka qenë bashkëpunimi juaj me regjisoren Adelina Muça në sjelljen e kësaj vepre në skenë?
Ne jemi në hapat e para me veprën dhe kemi një frymë bashkëpunimi në emër të realizimit të një vepre, e cila do të shpërfaqë jo vetëm vlerat e saj si regjisore, por të jetë e mirëpritur nga publiku. Gjatë diskutimit mbi veprën kam vënë re që ajo ka një ndjeshmëri të veçantë në trajtimin e detajeve skenike dhe një aftësi për të depërtuar në thelbin e personazheve, çka do t’i japë “Martini”-t një dimension edhe më të gjallë në skenë. Jemi në një dialog të vazhdueshëm krijues, ku teksti nuk është parë si diçka e ngurtë, por si një organizëm në të cilin do të ruajmë frymën satirike dhe ritmin e komedisë, duke i dhënë njëkohësisht hapësirë emocioneve dhe mesazhit që vepra përcjell. Mendoj se ky bashkëpunim do të ndihmojë që “Martini” të vijë tek publiku jo vetëm si një tekst i shkruar, por si një përjetim skenik i plotë, ku humori, reflektimi dhe realiteti ndërthuren në mënyrë të natyrshme.
Kam pasur fatin dhe kënaqësinë të bashkëpunoj si me Julia Ilirjanin dhe Adelina Muçën. Julia Ilirjani ka qenë pjesë e komedisë “Miu Griosh”, ku ka sjellë një interpretim plot energji dhe finesë, ndërsa Adelina Muça ka luajtur në dramën “Shtëpia e re”, duke dëshmuar një thellësi të admirueshme artistike. Janë dy artiste me përvojë dhe ndjeshmëri të veçantë skenike, me të cilat është gjithmonë kënaqësi të punosh. Bashkëpunimi me to ka qenë jo vetëm profesionalisht i vlefshëm, por edhe frymëzues, pasi secila prej tyre sjell në skenë një botë të pasur interpretimi dhe përkushtimi ndaj artit. Por në këtë vepër Adelina Muça do të ketë një barrë dyfishe pasi jo vetëm do të jetë regjisore, por edhe aktore, fusha në të cilat ajo kam emrin e saj me meritë në skenën shqiptare.
-Kur pritet premiera dhe çfarë mesazhi do të donit, që publiku të marrë me vete pasi të shohë komedinë në teatrin “Bylis”?
Komedia i zhvillon ngjarjet në një zonë urbane në ditët e sotme të jetës moderne. Premiera pritet të vijë në ditët e para të qershorit në teatrin “Bylis”, një hapësirë që gjithmonë ka mirëpritur dhe përcjellë me ndjeshmëri krijimet teatrore. Sa i përket mesazhit, do të doja që publiku të largohej nga salla jo vetëm me buzëqeshje, por edhe me një reflektim të brendshëm.
Shfaqja synon të tregojë se pas humorit dhe situatave komike fshihen realitete të prekshme: nevoja për liri personale, sfidat e marrëdhënieve familjare dhe përballja me vetveten. Nëse spektatori arrin të shohë një pjesë të jetës së tij në skenë, të qeshë me të dhe njëkohësisht të reflektojë mbi të, atëherë vepra e ka përmbushur misionin e saj. Në fund të fundit, teatri është një pasqyrë dhe unë do të doja që kjo pasqyrë të ishte sa më e sinqertë.
-Satira shpesh godet tema të ndjeshme, keni pasur hezitime për mënyrën si publiku mund ta perceptojë veprën?
Natyrisht, satira gjithmonë ecën në një vijë të hollë, sepse prek tema të ndjeshme dhe shpesh sfidon mënyrën si jemi mësuar t’i shohim gjërat. Por nuk do ta quaja hezitim, më tepër një përgjegjësi artistike për ta trajtuar këtë material me kujdes dhe ndershmëri. “Martini” nuk synon të provokojë për hir të provokimit, por të pasqyrojë realitete që ekzistojnë, shpesh të pathëna.
Humori këtu shërben si një urë komunikimi me publikun, për t’i bërë temat më të pranueshme dhe për të hapur një dialog të sinqertë. Besoj se publiku shqiptar e ka pjekurinë për ta kuptuar satirën jo si sulm, por si reflektim. Në fund, nëse dikush e gjen veten në skenë, qoftë edhe në mënyrë të sikletshme, atëherë vepra ka arritur të prekë një të vërtetë.
– Sipas jush, çfarë roli duhet të luajë teatri në një shoqëri që po përballet me ndryshime të shpejta sociale dhe kulturore?
Teatri, në çdo kohë, por sidomos në një shoqëri që përjeton ndryshime të shpejta sociale dhe kulturore, duhet të mbetet një hapësirë reflektimi dhe ndërgjegjësimi. Ai nuk është vetëm argëtim, por një mjet i fuqishëm për të vënë përballë publikut realitetin, për ta pyetur dhe ndonjëherë edhe për ta sfiduar atë.
Në një kohë kur ritmi i jetës është përshpejtuar dhe komunikimi shpesh bëhet sipërfaqësor, teatri krijon një moment ndalese, një mundësi për të parë më thellë në marrëdhëniet njerëzore, në konfliktet sociale dhe në vetveten. Ai ka detyrën të ruajë kujtesën, të nxisë dialogun dhe të trajtojë temat që ndonjëherë shmangen në diskursin e përditshëm. Mendoj se roli i teatrit është të jetë i ndershëm dhe i guximshëm: të mos i shmanget së vërtetës, por ta sjellë atë në skenë me ndjeshmëri artistike. Vetëm kështu ai mund të mbetet i domosdoshëm për shoqërinë, si një pasqyrë, por edhe si një zë që nxit mendimin dhe ndryshimin.
Intervistoi: Julia Vrapi



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.