Ekonomia

Oferta turistike serbe prezantohet në Tiranë

Vendet e rajonit gjithnjë e më shumë e shikojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre si të vetmen mënyrë për të tërhequr investime por edhe turistë, kryesisht aziatik e rusisht folës.

Në Tiranë, ishte radha e operatorëve turistikë nga Beogradi për të paraqitur sot ofertat e tyre turistike. Por krahas kësaj, ata vunë theksin në faktin se duhet bashkëpunim mes vendeve të rajonit dhe hartimi i paketave të përbashkëta turistike, pasi vetëm kështu do të mund të tërheqin më shumë turistë.

Dhe lidhur me këtë, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku informoi se Shqipëria, Serbia, Kosova, Kroacia e Maqedonia kishin rënë dakord për krijimin e një grupi të përbashkët pune për promovimin e rajonit kryesisht në vendet aziatike e rusisht-folës. Kjo pasi, sipas tij, turistët nga këto vende nuk duan të vijnë të vizitojnë vetëm një vend , por interesi i tyre është për të qenë prezent dhe për të vizituar të gjithë rajonin.

”Bashkëpunimi rajonal duhet të rritet në vlerat maksimale për të nxitur një promovim jo vetëm të një shteti por të gjithë rajonit ballkanik, ku ne bëjmë pjesë“, deklaroi ai.

Një bashkëpunim i suksesshëm do të nxisë akoma më shumë turistë në vendet përkatëse por do ti bëjë vendet tona edhe shumë më tërheqëse kundrejt disa shteteve të reja që ne synojmë tërheqjen e turistëve si tregjet aziatike apo rusisht folëse. Po ashtu, theksoi ai, së shpejti Tirana turistike do të prezantohet në Shqipëri.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja tha se vazhdimisht kemi patur një ndjesi të veçantë në rajon, në zhvillimin e resurseve turistike e tregtare të tij. “Dhe unë personalisht besoj shumë te rajoni”, tha Belortaja. Duke u ndalur në shifra, Belortaja tha se më pak se 10 % e volumit tregtar është me vendet e rajonit dhe më të papërfillshme janë shifrat sa i përket fluksit të turizmit, ndaj theksoi ai, është detyra jonë e përbashkët të normalizojmë shifrat e flukseve tregtare.

“Kur shprehim këto shifra të ulëta, normalisht vjen edhe pyetja pse këto rezultate. Ka tre grupe arsyesh, dasitë e mosbesimi tradicional që kanë ekzistuar në rajon që të gjithë e njohim e duhet ta përballojmë së bashku. E dyta është infrastruktura e dobët, dhe e treta, ka të bëjë me aspektin teknik, konkretisht zotësinë e stafeve tona për të sjellë rezultatet që duam”, deklaroi Belortaja.

Por, vlerësoi Belortaja një progres i jashtëzakonshëm është bërë në të tre drejtime, në rritjen e besimit mes vendeve, afrimin tonë, gjetjen e gjuhës së përbashkët politike në proceset e përbashkëta integruese, ku jemi përfshirë dhe ku jo vetëm kemi të njëjtën aspiratë, por edhe ndihmojmë njëri-tjetrin.

Po ashtu, ai vlerësoi se edhe progresi në infrastrukturë është i prekshëm dhe po kështu stafet tona po dëshmojnë përditë që janë të aftë të përballojnë këtë sfidë në treg.

Përfaqësuesi i Air Serbia, kompanisë ajrore që kryen fluturime direkte Tiranë-Beogard, Dejan Radoviç tha se dy vendet kanë se çfarë të ofrojnë. “Ne si transportues ajror që ka 9 fluturime në javë mes Tiranës e Beogradit, jemi një lloj nxitjeje për avancimin e të gjitha veprimtarive tregtare sidomos turizmit e mikpritjes”, tha Radoviç.

Sipas tij, Shqipëria ka përparuar shumë në këto vite në zhvillimin e sektorit turistik. Edhe linja jonë Tiranë -Beograd, megjithëse e re vetëm 2 vite që operon, thotë ai, është një ndër linjat me rritjen më të shpejtë.

Ai vuri në dukje se funksionimi i një linje direkte Beograd-New York është parë me interes nga pasagjerët shqiptarë.

Përfaqësuesja e Organizatës turistike të Serbisë, Zeljka Pudar theksoi se Serbia është një vend i shtrirë në zemër të Ballkanit në kryqëzime mes perëndimit e lindjes e që ka histori e kulturë të pasur , e pozicionuar vetëm rreth 400 km larg kryeqyteteve të rajonit si Budapest, Sofia, Podgoricë e po ashtu vetëm 1 orë larg me avion nga Tirana dhe ka se çfarë të ofrojë.

Ndërsa Sanja Jakovijoviç, përfaqësuesja e Dhomës Serbe të Tregtisë theksoi se marrëveshjet e tregtisë së lirë, nënshkruar në vitin 2007, me marrëveshjen CEFTA, vendet e Ballkanit kanë marrë përgjegjësinë për të ardhmen e këtij rajoni, kështu që qëllimi ynë i përbashkët është bashkëpunimi ekonomik si çelësi i zhvillimit të rajonit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button