Kosova

Opozita e pakënaqur me ndarjen e Komisioneve Parlamentare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca javën e ardhshme, njërën të hënën me 15 dhjetor dhe tjetrën me 18 dhjetor, ku në këtë të fundit do të mbaj fjalimin vjetor presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Kështu është vendosur në Kryesinë e Kuvendit të mbajtur sot në të cilën u bë edhe ndarja e 14 Komisioneve Parlamentare.

opozita-e-pak-euml-naqur-me-ndarjen-e-komisioneve-parlamentare_hdPDK do t’i drejtojë katër Komisione, LDK po ashtu katër, Vetëvendosje dy, AAK një, Nisma një dhe minoritetet dy, një serbët dhe një jo serbët.

Pas mbledhjes së Kryesisë, opozitarët u shprehen të pakënaqur me ndarjen e komisioneve, duke thënë se opozitës nuk iu jepen Komisionet që janë me të rëndësishme, në mënyrë që të jetë në gjendje të kontrolloj sa më shumë punën e Qeverisë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë, tha se duke parë vonesën në punën e Kuvendit, kanë caktuar dy seanca për javën e ardhshme.

“Dëshiroj të potencoj se është bërë ndarja e komisioneve parlamentare mes partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend. Në të njëjtën kohë kemi marr dy vendime. Siç e dini kemi pasur vonesa për gjashtë muaj dhe të hënën do të kemi një seancë plenare të Kuvendit,në të njëjtën kohë do ë kemi me 18 dhjetor një seancë plenare të Kuvendit me kërkesë të presidentes së Kosovës në të cilën do të mbaj fjalimin vjetor”, tha Veseli.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, duke shprehur pakënaqësinë për ndarjen e Komisioneve, tha se kjo metodologji e përzgjedhjes së komisioneve nuk e lejon opozitën që të bëjë përzgjedhjen e komisioneve të rëndësishme, përmes të cilave do të monitoronte shumë më shumë punën e ekzekutivit.

“Edhe sot kjo ndarje ashtu si herëve të kaluara u bë në mënyrë jo demokratike dhe jo të drejt”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ata si opozitë propozuan që opozitës t’i jepet më shumë hapësirë në udhëheqjen e komisioneve me të rëndësishme në mënyrë që ajo të shërbej si kontrolluese e Qeverisë.

“Në këtë drejtim ne kemi propozuar që edhe në çelësin që përdorët për ndarjen e komisioneve të Kuvendit, e veçanërisht komisioneve të përhershme t’i jepet hapësirë me shumë opozitës, në mënyrë që opozita të ketë hapësirë të shërbej si një kontrollues i punës së Qeverisë. Ju e dini që Kuvendi ka çaluar në këtë drejtim dhe për këtë Kuvendi disa herë është bënë në kritikë të raporteve që vijnë nga jashtë, sidomos nga raporti i progresit duke theksuar se Kuvendi nuk po e ka mundësinë për ta kryer rolin e vet kontrollues të ekzekutivit. Në këtë drejtim ne kemi propozuar që komisioni për Buxhet dhe Financa, të drejtohet nga opozita”, ka theksuar Ymeri.

Sipas tij për këtë s’ka pasur mirëkuptim nga subjektet e pozitës, sepse ata e donin këtë komision që ta vazhdojnë avazin e vjetër, ku ndarja e parasë publike të bëhet çështje ekskluzive e koalicionit qeverisës.

VV-ja do t’i kryesoj dy komisione, atë për Legjislacion dhe atë për mbikëqyrjen e Financave publike.

Ndërsa, Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se partisë së tij i takojnë katër komisione, derisa sipas tij janë vonuar në konstituimin e institucioneve, prandaj edhe seancat plenare do të nisin qysh të hënën.

Grabovci tha se Grupet Parlamentare janë të obliguar që deri të shtunën në orën 12:00 t’i japin emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve dhe anëtarë të komisioneve për t’i aprovuar pastaj në seancë.

Ndërsa, GP i LDK-së do të udhëheq Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe atë për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button