OSHEE, investim 1.5 mln euro për 5 fidra të rinj në Spitallë- Çela: S’ka më ndërprerje të energjisë
OSHEE përfundon një tjetër projekt me rëndësi, kësaj here në qytetin bregdetar të Durrësit. Me një investim prej 1.5 milionë eurosh, ka përfunduar ndërtimi i 5 fidrave të rinj që dalin nga nënstacioni i Spitallës dhe lidhen në formë unaze me fidrat e nënstacionit të Shkozetit.
“Ky investim i radhës rrit sigurimin e furnizimit me energji elektrike të abonentëve që marrin energji elektrike nga keto 5 fidera 20 kV, pasi do të lidhen unazë me fidrat ekzistues nga N/st Shkozet. Redukton frekuencën e shpeshtë të defekteve, si dhe bëjnë një lehtësim të ngarkesave në rrjetin ekzistues që furnizohen momentalisht nga N/st Shkozet”, deklaroi për mediat, administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela.
Sipas administratorit të OSHEE-së, investimi prek rreth 60 mijë banorë të qytetit të Durrësit dhe jep siguri në menaxhimin më të mirë të ngarkesës në rrjet.
Të 5 fidrat shtrihen në akset rrugore “Aleksandër Goga”, “Aleksandër Moisiu”, “Rrugën e Dëshmorëve”, “Hafiz Podgorica” si dhe “Rrugën Egnatia”, si dhe prekin zonat:
Lagjen nr.7, rruga “Aleksandër Goga”, përballë shkollës “Nënë Tereza; lagjen 8; lagjen 4 te “Rruga Egnatia”, pranë shkollës së Muzikës, e deri te lagjja 1, e cila shtrihet nga Porti Detar, “Rruga Taulantia”, etj., përmes një linje 22.3 km të gjatë TM 20 kV.
Aktualisht në Durrës po investohet për ndërtimin e 4 fidrave të rinj në zonën e Shkozetit, me vlerë investimi 4 milionë euro.
“Kjo zonë, dikur industriale, është kthyer pas viteve ’90 në një “rajon” i tëri informal, i mbipopulluar dhe me rrjet elektrik të mbingarkuar dhe kaotik, të amortizuar, etj. Këto 4 fidra të rinj do të garantojnë jo vetëm cilësi të furnizimit të konsumatorëve, por dhe siguri pasi do të kemi dy burime të ndryshme furnizimi (pra do të jenë në formë unaze)”, deklaroi Çela.
Deri më tani, OSHEE ka investuar dhe po investon në Durrës rreth 17 milionë euro.
Në të ardhmen pritet të financohen projekte të tjera me rreth 9 milionë euro të tjera, që prekin qytetin, por edhe zonat turistike dhe rurale të qytetit të Durrësit.
P.sh., do të nisë shumë shpejt rikonstruksioni i 22 kabinave, tejet të amortizuara, ku niveli i humbjeve është tejet i lartë, dhe që ndodhen në Durrës dhe përreth.
Pas ndërtimit të tyre sipas standardeve bashkëkohore, me linja ABC, humbjet zbresin në 8%, nga 30% që janë aktualisht, me vlerë investimi 800 mijë euro.