Ekonomia

Panariti takim me donatorët: Organizimi i fermerëve shton prodhimin dhe konsolidon markën shqiptare

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, gjatë një aktiviteti në Tiranë, me donatorë dhe prodhues të frutikulturës u shpreh se, rritja e prodhimit bujqësor dhe cilësisë duhet të ndërthuret me investime për rritjen e vlerës së produktit dhe për tregtimin e tyre me një çmim të denjë.

“Organizata e prodhuesve në frutikulturë është një shembull suksesi”, tha ministri Panariti, ndërsa evidentoi se ministria që drejton mbështet iniciativat private në frutikulturë në Dibër, Korçë, Shkodër e Kukës.

Ministri Panariti gjatë fjalës së tij theksoi se, një bujqësi e cila nuk eksporton është një sektor që nuk zhvillohet. Modeli “bujqësi me porosi” është çelësi i zhvillimit të këtij sektorit, u shpreh Panariti, ndërsa shtoi se organizimi i fermerëve do të shtojë prodhimin dhe do të konsolidojë markën shqiptare.

Në funksion të shtimit të prodhimit, Ministria e Bujqësisë po projekton të shpërndajë edhe fondet që ka në dispozicion, përfshirë edhe ato që vijnë nga donatorët. “Mënyrë e zgjuar është të investohet në pika grumbullimi, magazina frigoriferike, teknologji të reja, ambalazhim dhe paketim, sepse kjo ndikon në një masë shumë më të madhe fermerësh se sa kur paratë ndahen individualisht”, shtoi Panariti.

pa2Ministri pranon se sistemi bujqësor çalon në aspektin e teknologjisë dhe marketingut aq sa produktet shqiptare me shumë vështirësi arrijnë të shesin veten në tregun ndërkombëtar për shkak të cilësisë së dobët të ambalazhimit.
“Nëse 1 kg sherebelë para 2 vitesh e kemi shitur me 4,5 dollarë, nëse bëjmë një përpunim këtu, do ta thajmë, do ta grimcojmë, do ta paketojmë apo do ta ekstraktojmë në formën e vajit eterik, sigurisht që do ta shesim 5 herë më shtrenjtë. Ky është një apel për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi”, tha Panariti.

Në kuadër të këtij aktiviteti në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë u çel edhe panairi për promovimin e frutikulturës. Aktiviteti kishte në fokus prezantimin e një cikli të mbyllur dhe të suksesshëm të modelit nga prodhimi në tavolinë. Pra një zinxhir nga baza gjenetike e fidanit tek ngritja e pemëtoreve, konsodilimi i prodhimit dhe përpunimi. Të gjitha këto të para në një model suksesi që organizon prodhuesit në grupe ekonomike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button