Sporti

Panucci: Skocisë i “dhuruam” dy gola

Pas fitores në ndeshjen e parë me Izraelin, Shqipëria u mund në takimin e dytë të Ligës së Kombeve të Evropës në futboll, duke u dorëzuar 2-0 përballë Skocisë në ndeshjen që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Minuta e 4-t ndez alarmin e parë tek porta kuqezi, aty ku Strakosha tregohet i vëmendshëm dhe grushton jashtë një top të fortë, të ardhur nga një goditje e lirë nga e djathta e sulmit skocez. Nga goditja e këndit në vijim, ka një rrëmujë në zonën e Shqipërisë, por sulmuesit skocezë nuk arrijnë të përfitojnë dhe kuqezinjtë shpëtojnë me vetëm një rivënie fundore.
Loja vijon të zhvillohet në gjysmëfushën kuqezi dhe në minutën e 10-të, portieri kuqezi reagon sërish mirë, duke neutralizuar një tjetër goditje të lirë të skocezëve. Shqipëria përmendet vetëm pas një çerekore loje, por një harkim i dobët i Gavazajt i jep fund një kundërsulmi të mirë kuqezi. Kundërpërgjigjet Skocia dhe Rasëll dhe Robertson nuk tregohen të saktë brenda zonës kuqezi dhe Gjimishiti bllokon në momentin e duhur sulmuesin vendas, në një tjetër situatë të vështirë në zonën e Shqipërisë.
Skuadra e Panuçit ka një rast në minutën e 22-të, por goditja e Gavazajt në kufinjtë e zonës është e pasaktë.
Skocezët kanë rastin më të mirë të ndeshjes deri në minutën e 24-t, kur një tjetër goditje e lirë, i jep mundësi Nejsmithit të jetë pranë portës kuqezi, por goditja e tij me kokë rrok shtyllën dhe më pas largon mbrojtja kuqezi.
Loja bie në një kllapi në 10 minutat që vijojnë, me të dyja skuadrat që më shumë prishin lojën e njëra-tjetrës sesa ndërtojnë të vetë, por MekDonald ka një rast të mirë në minutën e 35-të, por goditja e tij në kufinjtë e zonës është e pasaktë.
Skocia e ka gjetur golin në minutën e 41-të, por për fatin e mirë të kuqezinjve, Nejsmith ishte në pozicion jashtë loje dhe gjyqtari e anulon golin.
Në krahun tjetër, Memushaj fiton një top në gjysmëfushën skoceze dhe rend përpara, por finalizimi i tij lë për të dëshiruar.
Me rrjeta të paprekura është mbyllur pjesa e parë, ndërsa e dyta nis praktikisht me gol, pasi Nejsmith, në një pozicion të dyshimtë, godet saktësisht me kokë nga afër dhe përshëndet rrjetën e Strakoshës, duke kaluar Skocinë në epërsi.
Shqipëria nuk jepet, por hidhet menjëherë në sulm dhe në dy rastet të njëpasnjëshme në minutat 49-të dhe 50-të, është Bekim Balaj fajtor për dy mundësi të shpërdoruara, fillimisht për pasaktësi në finalizim dhe më pas për meritë të portierit vendas, i cili bën heroin, duke i mohuar shqiptarit golin. Janë minuta të mira këto për Kombëtaren në kërkim të një goli të shpejtë barazimi, por pa rezultat.
Loja është hapur tashmë dhe janë skocezët që përfitojnë dhe synojnë ta godasin Shqipërinë në kundërsulm, dhe vetëm paaftësia e vendsave për të finalizuar saktësisht dhe mbrojtja stoike e kuqezinjve shmangin golin në minutën e 57-të. 9 minuta më pas, Balaj sërish godet zgjuarsisht brenda zonës, por nuk e kalibron siç duhet topin, që nuk e gjen dot kuadratin e gardianit skocez.
Në minutën e 67-të, Skocia bën atë që nuk e bëri dot Shqipëria dhe gjen edhe një gol tjetër, me të njëjtin autor, Nejsmith, që përfiton nga një goditje këndi dhe paaftësia e kuqezinjve për të larguar topin dhe godet saktësisht me kokë në rrjetën e boshatisur. 
Shqipëria duket e çoroditur pas pësimit të golit të dytë dhe skocezët janë shumë pranë gjetjes së një tjetër goli për disa minuta me radhë, por kuqezinjtë mbijetojnë në një farë mënyre.
Skocia vazhdon ta adminstrojë rezultatin në minutat e mbetura dhe ato shtesë dhe merr 3 pikë në ndeshjen e saj të parë të grupit të parë të Ligës C të Ligës së Kombeve, duke mbajtur vendin e parë në renditjes, falë një golaverazhi më të mirë sesa Shqipëria, ndërsa Izraeli mban vendin e fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button