Papa Leone XIV dënon zgjerimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve
Papa Leone XIV denoncoi sot zgjerimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve gjatë fjalimit të parë të vizitës së tij në Monako, një principatë e vogël katolike e njohur më së miri për luksin e saj.
Në një fjalim të mbajtur në frëngjisht nga ballkoni i Pallatit të Princit, para princit Albert II dhe dinjitarëve kryesorë të principatës, papa amerikan dënoi “konfigurimet e padrejta të pushtetit, strukturat e mëkatit që zgjerojnë hendekun midis të pasurve dhe të varfërve, midis të privilegjuarve dhe të përjashtuarve, midis miqve dhe armiqve”.
”Çdo talent, çdo mundësi, çdo pasuri e vënë në duart tona ka një qëllim universal, një detyrë të brendshme për të mos u grumbulluar, por për t’u rishpërndarë, në mënyrë që jeta e të gjithëve të jetë më e mirë”, vazhdoi ai në këtë mikroshtet në Rivierën Franceze, i cili krenohet me institucionet dhe fondacionet e shumta bamirëse.
”Të jetosh këtu është një privilegj për disa dhe një thirrje specifike për të gjithë që të reflektojnë mbi vendin e tyre në botë”, theksoi ai.
”Dhurata e përulësisë (…) e angazhon pasurinë tuaj në shërbim të ligjit dhe drejtësisë, veçanërisht në një moment historik kur demonstrimi i forcës dhe logjika e plotfuqishmërisë plagosin botën dhe rrezikojnë paqen”, shtoi ai, në një referencë të qartë për konfliktet që po shumohen në të gjithë globin.
Pak para fjalimit të papës, princi Albert II kishte theksuar gjithashtu ekzistencën e një ”imperativi solidariteti nga ana e atyre që kanë më shumë burime”.
”Ashtu si ju, edhe ne e dimë se shtetet e vogla mund të kontribuojnë për ta bërë botën një vend më të mirë, me kusht që ato t’u qëndrojnë besnike vlerave të tyre dhe të jenë të forta në vendosmërinë e tyre”, këmbënguli ai.
Vatikani dhe Monako janë ndër shtetet më të vogla në botë për nga sipërfaqja./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.