Paralajmërimi rus për SHBA: Mos sulmoni më Sirinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson është në Moskë për bisedime jo të lehta me homologun rus, pas sulmit kimik mbi civilët në Siri dhe përgjigjes amerikane me 59 raketa “Tomahawk” të lëshuara drejt një baze ajrore siriane.
Pas shtrëngimit të duarve me shefin e diplomacisë amerikane, Sergei Lavrov deklaroi se është e rëndësishme të mos lejohet një përsëritje e mësymjes amerikane në atë vend.
“Kemi dëshmuar kohët e fundit disa veprime goxha shqetësuese, siç ishte ndërmarrja e një sulmi të padrejtë ndaj Sirisë. E kemi diskutuar këtë çështje edhe në telefon. Ne e konsiderojmë të një rëndësie kyçe shmangien e përsëritjes së lëvizjeve të tilla në të ardhmen”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.
Lavrov shtoi se pret diskutime të sinqerta e të hapura me Tillersonin mbi krijimin e një koalicioni kundër terrorizmit. Të njëjtën gjë kërkon dhe kryediplomati amerikan, i cili tregoi se linjat e komunikimit të Uashingtonit me Moskën do të mbeten gjithmonë të hapura.
“Takimi ynë vjen në një moment kyç të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë mënyrë, ne kemi mundësinë t’i qartësojmë më tej objektivat e përbashkëta, apo zonat e interesit dypalësh edhe atëherë kur qasjet tona taktike mund të jenë të ndryshme. Duke i sqaruar fushat, ku dallimet janë më të forta, do të arrijmë ta kuptojmë më mirë përse ekzistojnë këto mosmarrëveshje dhe cila mund të jetë perspektiva e zvogëlimit të tyre”, tha Rex Tillerson, Sekretar amerikan i Shtetit.
Shtëpia e Bardhë e akuzoi një ditë më parë Moskën, aleate të presidentit sirian Bashar al-Assad, për një fushatë që synonte errësimin e natyrës së vërtetë të sulmit kimik të 4 prillit. Zyrtarët amerikanë thanë se, gazi i përdorur në atë rast ishte lëshuar në mes të një rruge, siç e tregojnë shenjat e djegies që ka lënë pas dhe jo në një ndërtesë.