Politika

PD: Vendimi i Komisionit për KLD, fundi i pavarësisë së gjyqësore

Oerd_Bylykbashi18tetorPartia Demokratike ka reaguar pas vendimit të sotëm të komisionit hetimor për KLD, që miratoi raportin për shkarkimin dy anëtarëve, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. Në një deklaratë për mediat nga selia blu deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e ka cilësuar një farsë këtë vendim që sipas tij synon thjesht zëvendësimin e tyre me përfaqësues të mazhorancës. Kjo sipas Bylykbashit, shënon edhe fundin e pavarësisë së gjyqësorit.

PD i ka bërë thirrj komunitetit ndërkombëtar që, ‘me qëllim sigurimin e një reforme të vërtetë dhe konsensuale në drejtësi, ta ndjekë nga afër dhe të frenojë menjëherë këtë agresion antikushtetues ndaj pavarësisë së gjyqësorit të kësaj mazhorance’.

Deklarata e plotë e PD

Sot, Kuvendi mbylli kapitullin e hetimit farsë parlamentar mbi KLD, që kishte për qëllim vetëm shkarkimin e dy anëtarëve të saj dhe zëvendësimin e tyre me komisarët e kuq të mazhorancës.

Me vendimin e sotëm për të miratuar raportin që gjykon mbi punën e KLD dhe propozon ndërprerjen e mandateve kushtetuese të anëtarëve të saj, ky komision shkel rëndë pavarësinë e pushteteve dhë thyen Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se Kuvendi nuk është organi suprem dhe nuk mund të hetojë e të gjykojë mbi aktet që janë kompetencë e organeve ‎të pushteteve të tjera.

Raporti i sotëm i miratuar nga jakobinët e mazhorancës ishte veçse akti i fundit i farsës parlamentare që Edi Rama dhe Ilir Meta e kamufluan si hetim parlamentar. Nuk ka shqiptar që nuk e di tashmë që vendimi për shkarkimin e ‎dy anëtarëve të KLD ka qenë marrë që para se ky komision gijotinë të ngrihej.

Akti i sotëm i komisionit të hetuesisë parlamentare, është një nga aktet më të rënda të shkeljes së Kushtetutës dhe parimit të ndarjes së pushteteve. Me një ligj antikushtetues duke i dhënë fuqi prapavepruese, dhe duke shkelur me të dyja këmbët vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, ‎Rama dhe Meta po uzurpojnë edhe drejtësinë.

Kjo mazhorancë, pasi ka uzurpuar çdo hapësirë të opozitës në parlament, injoron zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar mbi mazhorancën, e ka kthyer përfundimisht Kuvendin në një gijotinën jakobine.

Nuk kishte asnjë dyshim, se ligji i KLD, i miratuar me nxitim më 31 korrik, kundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos nxituar dhe për konsultim me Komisionin e Venecias, ‎kishte vetem një qëllim, kapjen politike të KLD nëpërmjet shkarkimit të anëtarëve të saj.

Madje sot, në komision u bë thirrje që të shkarkohen edhe anëtarët e KLD që vijnë nga gjyqësori. Me ligjin e sapomiratuar, kjo mazhorancë ka krijuar instrumentin për t’i shkarkuar të gjithë anëtarët e KLD që nuk i nënshtrohen asaj. Ky është fundi i pavarësisë së gjyqësorit.

Veprimi i sotëm është një minë në themelet e reformës në drejtësi e cila si gur themeli duhet të ketë pavarësinë e gjyqësorit. Këtë pavarësi e kërkon edhe BE dhe Këshilli i Evropës. Ky akt, jo vetëm që cënon standardet europiane dhe kushtetuese, por vë në pikëpyetje seriozitetin dhe qëllimet e kësaj reforme.

‎Për këtë arsye i bëjmë thirrje përsëri komunitetit ndërkombëtar që me qëllim sigurimin e një reforme të vërtetë dhe konsensuale në drejtësi, ta ndjekë nga afër dhe të frenojë menjëherë këtë agresion antikushtetues ndaj pavarësisë së gjyqësorit të kësaj mazhorance. Partia Demokratike shpreh besimin se Gjykata Kushtetuese do garantojë paprekshmërinë e Kushtetutës dhe parimeve të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button