Opinion

Për Lavdim Musain, mikun dhe poetin

Nga THOMA GËLLÇI

Sot u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, Lavdim Musaj, miku im nga Elbasani. Ishte vetëm 66 vjeç. Lajme të tilla nuk vijnë kurrë në kohën e duhur; ato të zënë gjithmonë të papërgatitur, sepse ikja e një miku nuk është thjesht humbje, por një boshllëk që nuk mbushet më.

Ladi ishte poet nga zemra dhe nga shpirti. Jo poet nga ata që vetëm shkruajnë vargje, por nga ata që e jetojnë poezinë si mënyrë të të qenit në këtë botë. E njoha në vitet e rinisë, kur unë isha ushtar në Ersekë dhe ai ishte emëruar drejtor i financave në Degën e Punëve të Brendshme. Rrethana krejt të ndryshme na bashkuan, por ajo që na mbajti afër ishte dashuria për letërsinë, për poezinë mbi të gjitha.
Në Ersekë, Ladi nuk gjeti vetëm miq. Aty gjeti edhe shoqen e jetës, Anilën, gruan që do të ishte pranë tij deri në fund, me një përkushtim të rrallë dhe një dashuri të heshtur, por të pathyeshme. Në ditët më të vështira të sëmundjes, ajo i qëndroi tek koka, duke sfiduar edhe parashikimet më të zymta të mjekëve. Ishte ajo dëshmi e gjallë se dashuria, ndonjëherë, është më e fortë se çdo diagnozë.
Gjithmonë mbeti poet në shpirt dhe në jetë. Edhe kur rrugët e jetës e çuan drejt shifrave, bilanceve dhe llogarive, poezia nuk u largua kurrë prej tij. Ladi ishte baba i dy fëmijëve , Idlirit dhe Jerinit, dhe gjysh i gëzuar deri në fund të jetës. Familja ishte krenaria e tij e qetë, ajo për të cilën fliste me sy që i ndizeshin pa zhurmë.
Pas viteve ’90 u kthye në Elbasan, ku ndërtoi jetën e vet si kontabilist financiar. Por edhe aty, në përditshmërinë e punës, ai i këndonte shpirtit çdo ditë me poezinë e tij. Vargjet ishin mënyra e tij për të mos u dorëzuar përballë rëndesës së jetës, për të mbetur i lirë brenda vetes.

 

Kur isha ushtar, mburresha që kisha shok Lavdim Musain. Sot, pas kaq vitesh, e njëjta ndjenjë mburrjeje më shoqëron ende: që kam qenë shok i Lavdimit. Sepse miqësia me njerëz të tillë është pasuri që nuk e zbeh as koha, as ikja. Ladi iku, por poeti që ishte, njeriu që la gjurmë, mbetet. Në kujtime, në vargje, në atë ndjenjë të qetë krenarie që nuk shuhet kurrë.

Lavdim Musaj
QESH DHE QAN NËN RE NJË HËNË
Gjithë ditën s’pushoi shiu.
Pa rrebeshe, urtë e but’.
Shushurima krahët shtriu
Që nga agu gjer në muzg.
Skaj më skaj në horizonte
As rrufe, as vetëtima.
Shushurima monotone.
Qielli qau për bubullima.
Nata ra. Në largësi
Retë yjet kishin ngrënë.
Mbi qerpikë, s’di se si,
Qesh dhe qan nën re një hënë.
Elbasan, 06.12.2025
Lamtumirë mik i mirë!

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button