Përmbytet Shqipëria, rreziku më i madh në jug, ushtria evakuon banorët
Shqipëria është e zhytur në ujë nga moti i rënduar me reshje të mëdha të shiut të rëna dy ditët e fundit. Situata është problematike në të gjithë vendin.
Qarkullimi është i vështirësuar në mjaft rrugë, ndërkohë që ka ndërprerje të energjisë në disa qytete. Pikërisht Vlora dhe Fieri janë dy nga qarqet më problematike, përforcime të tjera të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit janë nisur për në këtë zonë. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të zonave që preken nga daljet nga shtrati të lumit Vjosë të përgatiten për evakuim duke bashkëpunuar pa vonesa dhe pa hezitime me organet kompetente shtetërore.
Pritshmëria e prurjeve në lumin Vjosë e bën daljen e tij nga shtrati çështje orësh. Janë bëra gati disa qendra evakuimi dhe po bashkëpunohet edhe me hotele private për strehim.
Në situatë gatishmërie janë spitalet dhe OSHEE, ndërsa forcat e armatosura megjithë motin e keq kanë angazhuar deri helikopterë për të evakuuar banorë në zona të përmbytura.
14:54 Përmbytjet zbresin në jug; Rreziku më i madh në Vlorë dhe Fier
Situata në fshatrat përgjatë shtratit të lumit Vjosë vjen duke u rënduar. Lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa shtëpi pranë Urës së Mifolit si edhe dhjetëra hektarë pyje dhe tokë bujqësore.
14:53 Rama: Banorët e zonave në rrezik të evakuohen
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ai i Bujqësisë, Niko Peleshi, kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi ka qënë në urën e Mifolit në Fier, një nga zonat kritike nga përmbytjet.
14:38 Apel për zonat më të rrezikuara nga përmbytjet: Largohuni
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi se 500 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan për menaxhimin e situatës në zonën më të prekura nga moti i keq, kryesisht në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Gjirokastrës.
14:35 Peleshi: Jemi në kufijtë kritikë të nivelit të Vjosës
Zv/kryeministri Niko Peleshi, ka shkuar pranë Urës së Mifolit për të parë nga pranë kërcënimin e lumit Vjosë si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit.
14:23 Kritike situata në Cërrik, rrezikohen 20 familje
Moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin me shira të rrëmbyer, ka krijuar një situatë të rënduar edhe në qytetin e Cërrikut.
14:15 Petrit Vasili: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkon të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend.
13:57 Shëndetësia në gatishmëri, dy misione shpëtimi me helikopter
Dy gra me probleme akute shëndetësore u transportuan para pak minutash pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, falë ndërhyrjes së Njësisë së Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
13:46 Turbullohet liqeni i Bovillës, stakohet impianti i ujit të pijshëm
Impianti i Bovillës është stakuar për shkak të turbullirës së shkaktuar nga reshjet e shiut në liqenin e Bovillës.
13:38 FA ndërhyn me helikopter për evakuimin e disa familjeve
Ushtria ka ndërhyrë me helikopterë për evakuimin e disa familjeve, që kishin mbetur të bllokuar nga përmbytjet në Mallkuç e Derven.
12:14 Shpëtohet fëmija i paralizuar në Fushë Krujë
Grupet e emergjencave civile i kanë ardhur në ndihmë një fëmije 9 vjeç të paralizuar, i cili kishte mbetur i bllokuar në banesë si pasojë e përmbytjeve.
11:58 Rifillojnë fluturimet në Rinas
Moti i keq ka sjellë përmbytje edhe në pistën e aeroportit të Rinasit, çka ka bërë që autoritetet të urdhërojnë pezullimin e fluturimeve për disa orë. Pas uljes së nivelit të ujit dhe përmirësimit të kushteve klimaterike, autoritetet e aeroportit vendosën rikthimin normal të fluturimeve.
11:42 Shembet ura e “Drojës” në Mamurras
Situata e rënduar ka shkaktuar edhe shembjen e urës në Drojës në Mamurras, e cila lidh Mamurrasin me Thumanën dhe Fushë Krujën.
11:31 Xhafaj: Policia në gatishmëri në krye të detyrës
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj duke folur nga zona e Kasharit, në aksin rrugor Tiranë-Durrës tha se policia është në situatë të jashtëzakonshme dhe prej mbrëmjes së të enjtes është në krye të detyrës.
11:12 Situata në porte, probleme në Vlorë dhe Sarandë
Nëse në Portin e Durrësit situata është në kontroll pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe erës, nuk ndodh e njëjta gjë në Vlorë dhe në Sarandë.
10:55 Shembet ura në Pezë
Një urë në ish-komunën e Pezës, në Tiranë, është shembur dhe është bërë tërësisht e pakalueshme.
10:50 Situata problematike në Krujë nga rrëshqitja e dheut
Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, por problematike paraqitet situata edhe në Krujë si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.
10:36 Moti me reshje vazhdon edhe në fundjavë
Situata duket alarmante, pasi parashikimet janë për një mot me reshje të dendura edhe në orët në vijim.
09:19 Tiranë, vështirësi në zonat rurale. Ndërhyn bashkia
Në bashkinë e Tiranës më shumë vështirësi ka pasur në zonat rurale për shkak të kushteve të këqija të kushteve atmosferike.
09:16 Autostrada e kalueshme në një anë, e lirshme rruga e Ndroqit
Autostrada Tiranë-Durrës qarkullohet me vështirësi, pas bllokimit të një nate më parë për shkak të reshjeve të dendura të shiut.