Kronika

Përplaset autobusi shqiptar në Malin të Zi, një i vdekur

Po ktheheshin nga vizita në Kroaci. Ministri Beqaj në Podgoricë, në spital 4 të plagosur rëndë

mal-i-ziNjë grua mbeti e vdekur në një aksident rrugor që përfshiu një autobus shqiptar në Malin e Zi, ndërsa 17 persona kanë mbetur të plagosur. Mediat malazeze raportojnë se ngjarja ndodhi në fushën Mrkojevicko, në vendin e quajtur Ura e Mërkotit rreth orës 18.00, në rrugën midis Tivarit dhe Ulqinit, kur autobusi me targat shqiptare AA 581JX, po kalonte në autostradë. Nga të dhënat e para u mësua se një grua ka vdekur në aksident, ndërsa ekipet e shpëtimit u përpoqën të merrnin një fëmijë që kishte mbetur brenda. Personat me origjinë shqiptare, të cilët mendohet të kenë vizituar Dubrovnikun (Kroaci) për Krishtlindje, ishin duke u kthyer për në Shqipëri përmes Malit të Zi, me një agjenci turistike. Në autobus ishin 57 pasagjerë, nga të cilët disa persona mbetën të plagosur rëndë dhe disa më lehtë. Të plagosurit në aksident u transportuan në spitalin e Podgoricës.

Sipas informacioneve nga Mali i Zi, në autobus ndodheshin dhjetëra shqiptarë, të cilët kishin udhëtuar për turizëm drejt Dubrovnikut. Terreni në segmentin ku ka ndodhur aksidenti është shumë i vështirë, duke shtuar edhe kushtet klimatike.

Ndërkaq, nga Shkodra u nisën dy ambulanca, ndërsa disa institucione shqiptare janë angazhuar për të ndjekur me vazhdimësi ngjarjen. Mësohet se me urdhër të kryemnistrit Rama, disa ministri kanë kontaktuar homologët e tyre malazezë. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kontaktuar me ambasadën në Podgoricë, duke ndjekur hap pas hapi për ngjarjen, ndërsa mbrëmë vonë ka reaguar edhe kryeministria, e cila faktoi edhe për një të vdekur në aksident. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u nis mbrëmë në Mal të Zi, për tu interesuar për gjendjen e të plagosurve.

Ndërkohë, ministria e Brendshme Shqiptare tha dje në mbrëmje se ministri Tahiri është në kontakt me autoritetet e Malit të Zi për të marrë informacion lidhur me aksidentin e ndodhur dje pasdite ku një autobus me shtetas shqiptarë ka dalë nga rruga. Ministria tha se drejtuesi i autobusit ishte Shkëlqim Cali dhe afërsisht 57 pasagjerë në bord ka qenë duke u kthyer nga Dubrovnik në Kroaci. “Në segmentin rrugor Ulqin-Tivar automjeti ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka gjetur vdekjen një shtetase e moshës 25-30 vjeç” tha ministria e Brendshme. Sipas saj, katër pasagjerë janë dërguar me urgjencë në Podgoricë pasi kanë qenë në gjendje të rëndë për jetën. 13 pasagjerë të tjerë janë në spitalin e Tivarit ku po marrin mjekim e duhur, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve janë jashtë rrezikut për jetën me dëmtime të lehta. “Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar në Malin e Zi drejtues të policisë së Shkodrës për të ndjekur nga afër situatën dhe marrë më shumë informacion lidhur me ngjarjen. Po ashtu MPB është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme të Malit të zi” thuhet në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button