Bota

Dy të vdekur, 5 të arrestuar në operacionin për kapjen e arkitektit të sulmeve të Parisit

Një grua që mbante veshur një jelek-eksploziv hodhi veten në erë mëngjesin e së mërkurës, teksa policia e armatosur rëndë u përpoq të bastiste një apartament të periferisë së Parisit, ku dyshohej të ishte fshehur arkitekti i dyshuar i sulmeve terroriste të së premtes së kaluar.

Policia ka bërë të ditur se një mashkull është vrarë dhe 5 persona të tjerë janë arrestuar gjatë të shtënave të këmbyera mes forcave të sigurisë dhe personave të fshehur në apartament, që nisi vetëm pak përpara se të agonte dita dhe vazhdoi për më shumë se 5 orë. Një tjetër person mbeti i bllokuar brenda apartamentit.

Një zyrtar i lartë i policisë deklaroi se, besonte që Abdelhamid Abbaoud, militanti belg i Shtetit Islamik, ndodhej brenda atij apartamenti në periferinë e Saint-Denisit në Paris, i fshehur së bashku me 5 persona të tjerë të armatosur rëndë.

Zyrtari, emri i të cilit nuk mund të publikohet për shkak të rregullores së policisë, por që është informuar në mënyrë rutinë mbi operacionin, tha se dhjetëra policë bastisën ndërtesën dhe u përballën me një rezistencë të papritur dhe të dhunshme.

Një tjetër zyrtar i policisë njoftoi për 4 të plagosur mes forcave të sigurisë që mësynë banesën. Megjithatë, brenda apartamentit nuk ka pasur asnjë peng.

Zyra e prokurorit të Parisit njoftoi se ekipet e ndërhyrjes së shpejtë “SËAT” arrestuan 3 persona brenda tij, të cilët ende nuk janë identifikuar. Një tjetër mashkull dhe një grua u prangosën pranë apartamentit, bëhet e ditur në komunikatën e kësaj zyre. Ndërkohë që banorët rezidentë thanë se shpërthimet e njëpasnjëshme tronditën zonën përreth që prej orës 4 të mëngjesit.

“Pas shpërthimit të parë u dëgjuan edhe 3 shpërthime të tjera. Pati thuajse rreth 1 orë shkëmbimzjarri”, tha Baptiste Marie, një gazetar i pavarur 26-vjeçar që jetonte aty pranë. Një tjetër dëshmitar tha se kishte dëgjuar zhurmë granatash dhe të shtëna automatiku. “Ka pasur të shtëna për rreth një orë, pa ndalim. Janë hedhur edhe granata dhe janë përdorur kallashnikovë”, tha Guizani.

Shpërthime sporadike vazhduan edhe më tej, ndërsa në 7 e 30 të mëngjesit, të paktën 7 shpërthime tronditën qendrën e Saint-Denisit. “Associated Press” bën të ditur përmes reporterëve të saj se shpërthimet ishin të ngjashme me hedhjen e granatave në zonën e mësyrë.

Hetuesit kanë identifikuar 27-vjeçarin Abbaoud, belg me origjinë marokene, si arkitektin e sulmeve terroriste të së premtes në Paris, prej të cilëve mbetën të vdekur mbi 129 persona dhe rreth 350 të tjerë u plagosën.

Në Saint-Denis, këtë të mërkurë policia rrethoi një zonë të tërë përfshi edhe dyqane dhe apartamente të shekullit të 19-të. Policia largoi banorët nga rrugët, ndërkohë që u drejtonte menjëherë armën edhe personave kuriozë në mënyrë që të largoheshin. Saint-Denis është një nga vendet më historike të Francës. Mbretërit francezë janë kurorëzuar dhe janë varrosur ndër shekuj në bazilikën e famshme të tij. Sot, kjo periferi është bërë tepër e zhurmshme dhe e përzierë etnikisht prej disa popullsish, si dhe janë parë tensione sporadike mes policëve dhe të rinjve të dhunshëm. Kryebashkiaku i Saint-Denis, Didier Paillard ka bërë të ditur se transporti publik është pezulluar, ndërsa shkollat në qendër të kësaj periferie nuk do të hapen gjatë së mërkurës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button