Policia i arreston, gjykatësi i liron
Disa gjykatës po i lejnë të lirë të pandehurit e shumëkërkuar, megjithëse policia ata po i gjen me shumë mund e angazhim. Kështu thotë një zyrtar policorë, përderisa drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj, premton se do t’i hetojë këto raste.
Për ta gjetur një person të kërkuar nga gjyqësia, policisë shpesh i duhen shumë tentativa, thotë për Radio Kosovën, zyrtari i Policisë së Kosovës, Besart Shaqiri.
Por, ndodhë që kur i shumëkërkuari gjendet, gjyqtari shprehet se nuk ka kohë të merret me të pandehurin dhe policisë nuk i mbetet gjë veçse ta lirojë.
“Ka pasur raste kur në tentativën e saj të disahershme për me e gjet personin, policia arrin ta gjej, e dërgon në gjykatë, pastaj gjyqtarët duke gjetur arsye të ndryshme, bisedojnë me të dyshuarin, arrijnë një farë marrëveshje, thonë se për shkak të punëve ose mos-kohës në dispozicion, ose thirren në mungesë të daktilografes, edhe kërkojnë që ta shoqërojmë një ditë tjetër. Personi lirohet, pastaj duhet prapë një kohë e mundimshme për ta gjetur apo nuk gjendet fare edhe lënda parashkruhet”, tha ai.
Kapiten Shaqiri thotë se gjykatësit gjejnë arsye të ndryshme për t’i liruar të pandehurit.
“Kemi raste që gjyqtarët edhe pas orës 16 janë njoftuar nga ana e policisë se janë gjetur personat që kërkohen por gjyqtarët kanë thënë se nuk janë afër vendit të punës ose vendbanimit, kështu që thonë bisedo me të, merrja një dokument dhe silleni. Personi s’ka pas dokument fare, edhe në këtë mënyrë policia de-motivohet edhe detyrohet me e lëshua personin që ka urdhëresë për ekzekutim”, tha ai.
Këto raste vlerësohen si të patolerueshme nga Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj, i cili thotë se edhe pas orarit të zakonshëm të punës ka gjyqtarë e prokurorë kujdestarë të cilëve iu takon të merren me raste të tilla. Ai paralajmëroi hetim për këto raste dhe kërkoi ndihmë nga policia.
“Inkurajoj dhe i lus që këto raste të tilla t’i përcjellin tek ne me shkrim në mënyrë që t’i marrim këto raste dhe të procedojmë më tutje”, tha ai.