MaqedoniaRajoni

Policia vazhdon të mbajë të rrethuar Gushincën

Gushinca vazhdon të mbetet nën masa të rrepta sigurie, edhe pse situata është e qetë. ALSAT tentoi sot të hynte në fshat, por policia nuk na lejoi. Nga ana tjetër, banorët e rajonit thonë se në mesin e tyre nuk ka panik, madje as që kanë dëgjuar për krisma. Ata nuk e mohojnë që ngjarja të jetë propagandë që synon shpërqendrimin e vëmendjes publike.

“Në vitin 2001 e kaluam ne këtë sëmundje. Tani këto janë disa montime, duan që të na hedhin topin neve këtu në komunën e Likovës. Ne t’i largojnë këta nga vendi ynë sepse nuk ka budalla më, kanë vdekur. Absolutisht nuk ka pasur krisma, ata krisin diku tjetër, e thonë se ka pasur krisma këtu”.

“Porosia jonë është që të jemi rahat, të zhvillohet ekonomia, jo lufta sepse luftë kemi pasur në vitin 2001. Lufta nuk bëhet përditë, ajo nuk është dasmë. Ne ende nuk jemi rimëkëmbur si pasojë e 2001-shit, tash nëse përsëri bëhet diçka, vetëm të vdesim”.

Edhe kreu i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku thotë se sulmi ndaj stacionit policor në Gushincë të kësaj komune është enigmatik dhe i pakuptueshëm. Duraku thotë se nuk ka nevojë për panik tek banorët dhe garanton se gjendja është e stabile.

Ndërkohë Gushinca vazhdon të jetë e izoluar nga forca të shumta policore të cilat gjatë natës janë shtuar, ndërsa në rrugën që të çon për tek fshati janë vendosur kordonë policore të cilat në mënyrë selektive ndalonin mediat të depërtonin në fshat. Ekipi i televizionit Alsat M priti me orë të tëra përballë kordonit policor duke tentuar ta kalojë atë, për të shkuar më pas në fshatin Gushincë, por nuk u lejua. Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski na tha në telefon, se duhet zbatuar urdhri i policisë. Sipas policisë, televizionet nuk lejohen të hyjnë në fshat, për shkaqe sigurie. Edhe mediat nga Kosova u penguan të raportonin.

“Ndalimi i gazetarëve në një zonë ku nuk ka konflikt të armatosur, më duket si përpjekje për të fshehur diçka. Ndërsa mediat shqiptare nuk lejohen, unë pashë se aty lejohen të futen mediat maqedonase. Kjo për mua është e pakuptimtë dhe është ndërhyrje shtetërore në lirinë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar për ngjarje cilado qoftë ajo. Kamë udhëtuar edhe në vende të tjera, por si kjo sot, nuk kam hasur… të të ndalojë policia me hy në fshat, thjeshtë është e pakuptimtë”, u shpreh Vebi Kajtazi, Gazetar i “Kohës Ditore”.

Ditë më parë, policia njoftoi se stacioni policor është sulmuar pas orës 2 të mesnatës, nga 40 persona të armatosur të cilët mbajtën peng edhe 4 policë. Madje, policia aludoi, bazuar në theksin e shqipes dhe serbizmave, se personat me emblema UÇK-je kanë qenë nga Kosova. Pa shumë të dhëna, policia guxoi të etiketonte madje, bazuar vetëm në dëshmitë e policëve, se akti është terrorist.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button