Kryeartikull

Politika e kombit

ENIS SULSTAROVA

Enis SulstarovaParë nga aspekti i një “politike të kombit”, ngrihet pyetja nëse shteti shqiptar, në periudhat e konsolidimit të tij, ka pasur ose jo një qasje konsistente në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit. Nga jetëgjatësia e tij më shumë se 100-vjeçare, periudha konsolidimi mund të quajmë vitet kur Shqipëria ka gëzuar njohje ndërkombëtare, kufij të qartë e në tërësi të pakundërshtuar, një qeverisje qendrore dhe me aftësi për t’u angazhuar në veprimtari diplomatike, tregtare etj. jashtë kufijve të saj. Periudha të tilla, Shqipëria ka njohur tri: mbretëria, komunizmi dhe tranzicioni demokratik paskomunist që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Pikërisht periudha e “Shqipërisë së Madhe”, koha ku një shtet shqiptar ishte i shtrirë në masën më të madhe të territorit shqiptar, nuk mund të quhet e konsolidimit, për vetë faktin se Shqipëria ishte e pushtuar nga fuqitë e boshtit fashist, pa sovranitet, me kufij të paqëndrueshëm ndërkombëtarisht, me një qeverisje qendrore kuislinge, pra të kundërshtuar nga fuqi të huaja dhe organizata të armatosura shqiptare.

Në të tria periudhat e konsolidimit shtetëror, Shqipëria nuk ka pasur një qasje konsistente gjithëpërfshirëse ndaj shqiptarëve jashtë kufijve. Përpjekje ka pasur për ndërtimin e një politike unike për shqiptarët jashtë shtetit, por ato nuk kanë qenë tepër të varura nga konteksti i dhënë gjeopolitik e ideologjik dhe ndryshimi i rrethanave ndërkombëtare ka bërë që të zhvlerësoheshin dhe të kërkoheshin përgjigje të reja. Në dy nga tri periudhat, Shqipëria është udhëhequr nga një mbret autoritar dhe më vonë nga një diktator, të cilët kanë pasur prioritetin e parë sundimin e tyre personal dhe janë interesuar më shumë për bazat e tyre të pushtetit brenda vendit, sesa për popullatat jashtë që nuk i kishin nën kontrollin e tyre. Kështu, Zogu dhe Hoxha shqetësoheshin se mos Kosova bëhej bazë e jugosllavëve për t’i rrëzuar nga pushteti në Shqipëri, prandaj përpiqeshin që të kishin ndikimin e tyre vetjak mes shqiptarëve të Kosovës, sidomos kur nuk i kishin marrëdhëniet e mira me udhëheqjen e Jugosllavisë. Kështu, Zogu ra dakort me serbët që të mbytej lëvizja kaçake, por kur u lidh me Italinë e shpalli veten “Mbret të shqiptarëve”, një titull që paraqiste një pretendim sado të zbehtë për të unifikuar shqiptarët. Hoxha sa i kishte vaj punët me Titon heshti për masakrat e vuajtjet e shqiptarëve në Jugosllavi, ndërsa pasi u prish me Titon filloi subvencionimin e lëvizjeve ilegale shqiptare në Jugosllavi e në diasporë. Kur Shqipëria i prishi për vete marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ndikimi politik i Hoxhës në Kosovë u kufizua në aspektin propagandistik, më shumë për të pasur edhe ai përkrahësit e vet në krahinë, si trysni ndaj Titos e titistëve shqiptarë.

Përmbysja e madhe e komunizmit, që u shoqërua me shpërbërjen e Jugosllavisë, i gjeti sërish shqiptarët pa një orientim të qartë e unik. Shqipëria ishte në prag të kolapsit të plotë ekonomik, ndërsa shqiptarët në ish-Jugosllavi iu nënshtruan ndarjes e trevave shqiptare në disa shtete sovrane, pa përfituar ndonjë status të veçantë politik në shtetet e reja. Ndoshta shqiptarët gjithsesi do t’i ndanin në disa shtete, sepse kjo ishte përtej fuqisë së tyre, por ajo që duam të themi është se vendimet u morën pa i konsideruar aspak si faktor politik, meqenëse edhe institucionet autonome të Kosovës ishin të pezulluara në atë kohë. Ndërsa në IRJM u desh një konflikt i armatosur që të ndryshonte diçka për sa i përket statusit kushtetues së shqiptarëve në këtë shtet. Zhvillimet e fundit po tregojnë se edhe ajo që u arrit me krismat e armëve po zhvlerësohet me shpejtësi dhe jo vetëm që Marrëveshja e Ohrit ka mbetur pa u realizuar, por shqiptarët praktikisht janë rikthyer në statusin e një pakice. Getoizimi i shqiptarëve në Shkup dhe së fundi “çështja e simbolikës së luanit” po e tregojnë qartë pozitën vasale ku kanë rënë përfaqësuesit politikë shqiptarë në IRJM. Serbët e Kosovës kanë dhe po fitojnë më shumë të drejta se sa shqiptarët në IRJM, ndërsa për shqiptarët në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës aq që bëhet fjalë që t’i afrohen ndopak lirive dhe të drejtave që gëzojnë dhe ushtrojnë serbët e Kosovës. Vota shqiptare ishte vendimtare për të arritur 55% të referendumit të pavarësisë së Malit të Zi, por vazhdon edhe sot e kësaj dite diskriminimi dhe mohimi i të drejtave të tyre, sidomos në Malësi dhe Plavë-Guci.

Për këtë dobësi endemike të faktorëve politikë shqiptarë në shtetet e reja pas rrënimit të Jugosllavisë ka pjesën e vet të përgjegjësisë edhe politika e shtetit shqiptar. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, politikani tek i cili shqiptarët jashtë kufirit të Shqipërisë i varën më shumë shpresat se do të ndryshonte diçka në këtë drejtim, Sali Berisha, vazhdoi nëpër të njëjtën hulli si paraardhësit e tij. Në vend që me hapa të matur të vlerësonte pozicionin rajonal të Shqipërisë dhe të përgatiste shkallë-shkallë bashkimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një strategjie afatgjatë për avancimin e interesave të përbashkëta, ai në politikën e jashtme pati po aq pak vizion sa edhe në atë të brendshme. Pasi krijoi një kult vetjak te shqiptarët e ish-Jugosllavisë, ai e përdori atë si kapital politik për ta shkëmbyer me Perëndimin në këmbim të pushtetit në Shqipëri. Sigurisht që hapa pozitivë ka pasur ndërkohë – ndër to më kryesorja mbetet shpallja e pavarësisë së Kosovës, por e bukura është se janë arritur pa ndonjë politikë koherente kombëtare të vetë shtetit shqiptar. Ishte dështimi i qeverisjes së parë demokratike, skemat piramidale dhe rënia e autoritetit shtetëror që në mënyrë paradoksale e ndihmuan më shumë qëndresën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës. Qeverisja e mëpasshme socialiste e futi vendin nën një varësi informale ndaj Greqisë, nga e cila duket se Shqipëria po jep shenja se po çlirohet vetëm sepse Greqisë i ka rënë takati pas krizës së saj, por jo ambicia. Marrëveshja e ujërave detare e mbetur pezull, përfshirja e etnisë dhe e fesë në censusin e popullsisë, uzurpimi i KOASH-it, provokimet e njëpasnjëshme në Himarë, “harresa” e çështjes çame, të gjitha këto kanë treguar se Shqipërisë i ka munguar një politikë koherente kombëtare brenda vendit e lëre më jashtë tij. Së fundi, politika e jashtme e qeverisë së re të Shqipërisë po tregon shenja se do të mbrojë disa parime që janë legjitime për një shtet sovran dhe se nuk do të ngurojë të rreshtohet me kërkesat legjitime të faktorëve politikë shqiptarë në rajon. Si gjithmonë, thembra e Akilit mbetet çështja e Kosovës dhe aty ka gjithnjë vend për një politikë origjinale dhe jo thjesht të një zëdhënësi shqiptar të vendimeve të politikës së madhe ndërkombëtare (edhe kur kjo nuk është gjithmonë në favor të interesave jetike të shqiptarëve të Kosovës).

Sigurisht që faktori ndërkombëtar nuk duhet harruar asnjëherë. Është e vërtetë që zhvillimet e dhjetëvjeçarëve të fundit në botë dhe në Europë kanë qenë më të favorshme për kombin shqiptar po të krahasohen me ata të mëparshmit, mirëpo faktorët e fuqishëm politikë ndërkombëtarë nuk vihen në lëvizje vetë, pa u provokuar nga zhvillimet në zona të caktuara nevralgjike, siç është Ballkani. Kjo është një e vërtetë historike që në Ballkan është e provuar të paktën që nga shek. XIX kur Perandoria Osmane po rrënohej dhe parashikohej rënia e saj. Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e reja ballkanike filluan të hartonin planet e tyre për Ballkanin pasosman dhe në këtë drejtim shqiptarët ishin të vonuar, por ç’është e vërteta, një plan të tillë nuk e kemi të përpunuar as sot. Po ta kesh planin, i shfrytëzon rastet, po të mos ta kesh duhet të improvizosh edhe kur raste të favorshme paraqiten. Për të dhënë një shembull, sllavo-maqedonasit shfrytëzuan deri tërmetin që shkatërroi Shkupin e vjetër më 1963 për të përzënë shqiptarët prej qytetit, sepse e kishin synimin dhe mundësitë për ta bërë këtë. Ata nuk u penguan aspak nga konsiderata ideologjike të socializmit, vëllazërimit të popujve etj., që ishin në fuqi në atë kohë, por zbatuan një synim të pastër kombëtar: zotërimin e qytetit të Shkupit për kombin e ri maqedonas.

Prandaj, mendojmë se një platformë për të ardhmen politike të shqiptarëve do të duhej të ekzistonte patjetër, sidomos tani që është arritur pavarësia e Kosovës. Nuk është çështja që Shqipëria të tregojë paternalizëm, por që të marrë përsipër bashkërendimin e punëve me interes kombëtar që këto të bëhen sa më mirë. Ndarja e kombit në disa shtete nuk është arsye për të mos e pasur, por, përkundrazi, për ta pasur një platformë të përbashkët bashkëpunimi. Kombi është një bashkësi e përfytyruar, thotë Benedict Anderson dhe shqiptarët, sado të zbehtë ta kenë përfytyrimin e tyre kombëtar, prapëseprapë e mendojnë veten si një komb të vetëm. Reagimet pas ndeshjes së ndërprerë të futbollit Serbi-Shqipëri e tregojnë se emocionalisht në raste të skajshme ndihemi një komb. Problemi qëndron se si të ndërtojmë politika mbi këtë ndjenjë të përbashkët, që ajo të mos mbesë si diçka spontane dhe simbolike. Në një aspekt, atë mediatik, jemi më të njësuar se më parë, ngaqë vetë teknologjia e përparuar e informacionit në gjuhën shqipe na ka afruar me njëri-tjetrin. Atë që më parë e bënin librat shqip të kontrabanduar e të lexuar fshehurazi, tani e bëjnë haptazi e gjatë gjithë ditës televizioni, interneti e Facebook-u. Edhe në rrafshin kulturor, me këngë, festivale, panaire librash, spektaklesh të ndryshme etj., integrimi kombëtar po ecën disi mirë. Infrastruktura e përmirësuar rrugore po sjell edhe ajo ndryshime pozitive. Nismat e njësimeve në arsim janë urgjente jo vetëm midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me përfshirjen e shqiptarëve të IRJM-së, Malit të Zi e Luginës së Preshevës, sigurisht duke iu përshtatur rrethanave ligjore e politike të çdo shteti, por edhe duke u përpjekur për t’i kapërcyer bllokimet e vështirësitë që krijojnë ato.

Pengesa kryesore është pikërisht aty ku nevojitet planifikimi dhe investimi afatgjatë (dhe për të cilat është avantazh pasja e një shteti të vetëm, por që ne nuk e kemi): bashkëpunimi dhe ndërvarësia ekonomike midis pjesëve të kombit, e cila është më pas në gjendje të prodhojë edhe solidaritetin shoqëror. Kjo vjen edhe si pasojë e varfërisë së përgjithshme të shqiptarëve, por prapëseprapë ka vend për bashkërendim edhe në varfëri, madje më të varfrit e kanë të nevojshme të bashkojnë forcat. P.sh. në bujqësi, energjetikë e xehetari, vonesat e bashkërendimit të punëve midis dy republikave janë të pafalshme. Nuk mjafton privatizimi dhe liberalizimi i tregut, por nevojitet në këta sektorë ndërhyrje nga shteti, madje, do të thoshim se në këta tre sektorë strategjikë planifikimi shtetëror (e dyshtetëror në rastin Kosovë-Shqipëri) duhet të vijë përpara e më pas privatizimi si plotësues i rolit të shtetit. Sektor tjetër ku nevojitet bashkëpunimi është ai i sigurisë, por që në rastin e Kosovës vështirësohet nga statusi akoma i paqartë i ushtrisë, mirëpo do të vijë një ditë kur trupat e NATO-s do të tërhiqen prej andej dhe nuk ka asgjë më të natyrshme dhe në pajtim me interesin kombëtar se sa strategji plotësuese mbrojtëse të dy republikave, gjë që do të ishte edhe optimale në aspektin e shpenzimeve.

Një platformë bashkërenduese kombëtare e mendojmë të jetë dinamike dhe jo të mbyllur. Ajo duhet të ketë disa parime dhe objektiva afatgjata që të ofrojnë një vizion për të gjitha forcat politike shqiptare. Më pas, zbërthimi i tyre në rrethanat konkrete për secilin shtet e rajon ku janë shqiptarët, e strategjitë e taktikat që duhen ndjekur le të jenë objekt i debatit, i konkurrencës e i votës, le të provohen e sprovohen e le të ndryshojnë, së bashku me ndryshimin e rrethanave. Mirëpo një bashkëpëlqim për objektivat madhore afatgjata, sado i brishtë që të jetë, duhet të ekzistojë te forcat politike kryesore shqiptare e më pas në institucione. Sigurisht që ekziston te shqiptarët vizioni i përbashkët për t’u integruar në BE dhe në NATO, por këto nuk janë projekte shqiptare, janë projekte kolektive europiane e perëndimore, që një projekt kombëtar shqiptar duhet t’i marrë parasysh të përfshihet te to.

Sigurisht që është e vështirë që të ndryshohet hegjemonia e tanishme në politikë, e cila çështjen kombëtare shqiptare e quan të mbyllur, ose së paku e sheh të copëtuar në zgjidhje të pjesshme, sipas shteteve ku është i ndarë kombi shqiptar. Megjithatë, dora-dorës po shtohen zërat që kërkojnë një solidaritet më të madh ndërshqiptar dhe politikë të përbashkët. Sigurisht që të interesuarit e parë për një “politikë të kombit”, e cila të jetë unike, pavarësisht nga ndarjet partiake e shtetërore ekzistuese, janë shqiptarët e periferive: ata në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, pse jo edhe ata të IRJM, si dhe bashkësia çame në Shqipëri. Sigurisht që edhe diaspora do ta mbështeste një zhvillim të tillë. Më të stepur do të jenë politikanët e Tiranës (me ndonjë përjashtim), të cilët nuk e shohin si urgjente çështjen kombëtare dhe pjesa e korruptuar dhe e shantazhuar e politikanëve të Prishtinës që po e rrënojnë me duart e tyre edhe atë nivel mëvetësie që është fituar me flijime të mëdha. Në Tiranë dhe Prishtinë duhet tejkaluar pengesa më e madhe. Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd dëshmoi se Shqipëria kërkon një pozitë dinjitoze ndaj fqinjëve të saj dhe në vetvete ky është një zhvillim premtues. Rama po fiton kapital politik në mesin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe mbetet të shihet se si do ta përdorë këtë kapital: për të vazhduar traditën e paraardhësve, apo për të sendërtuar vullnetin politik në Tiranë për një “politikë të kombit”. Le të shpresojmë për të dytën!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button