🌤️
Tiranë 16°C · Kryesisht kthjellët 27 April 2026
S&P 500 7,177 ▲0.16%
DOW 49,203 ▼0.06%
NASDAQ 24,891 ▲0.22%
NAFTA 96.15 ▲1.85%
ARI 4,693 ▼1.01%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1706 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9207 EUR/ALL 95.5658 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3985 EUR/TRY 52.7359 EUR/JPY 186.77 EUR/CAD 1.6011 EUR/USD 1.1706 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9207 EUR/ALL 95.5658 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3985 EUR/TRY 52.7359 EUR/JPY 186.77 EUR/CAD 1.6011
₿ CRYPTO
BTC $76,802 ▼ -1.85% ETH $2,288 ▼ -3.36% XRP $1.3924 ▼ -2.73% SOL $84.2200 ▼ -3.06%
S&P 500 7,177 ▲0.16 % DOW 49,203 ▼0.06 % NASDAQ 24,891 ▲0.22 % NAFTA 96.15 ▲1.85 % ARI 4,693 ▼1.01 % S&P 500 7,177 ▲0.16 % DOW 49,203 ▼0.06 % NASDAQ 24,891 ▲0.22 % NAFTA 96.15 ▲1.85 % ARI 4,693 ▼1.01 %
EUR/USD 1.1706 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9207 EUR/ALL 95.5658 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3985 EUR/TRY 52.7359 EUR/JPY 186.77 EUR/CAD 1.6011 EUR/USD 1.1706 EUR/GBP 0.8665 EUR/CHF 0.9207 EUR/ALL 95.5658 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3985 EUR/TRY 52.7359 EUR/JPY 186.77 EUR/CAD 1.6011
27 Apr 2026
Breaking
Opinion

Politikanët nuk e kanë betejën me prokurorët, por me publikun

Nga MERO BAZE

Debati mbi transmetimin ose jo të seancave gjyqësore është një debat që ka të bëjë me një të drejtë ligjore të personave nën akuzë dhe jo me ndonjë përjashtim për ata. Përjashtim është zhvillimi i një seance me dyer të mbyllura, e cila bëhet me një vendim paraprak të arsyetuar të gjykatës. Kështu që për çdo seancë gjyqësore që nuk transmetohet, duhet një vendim gjykate, vendim i cili duhet të jetë i arsyetuar bazuar në rastet që parashikon pika 2 e nenit 339, kur kemi të bëjmë me të mitur, me rrezik të sigurisë kombëtare apo cenim të moralit publik.

Rasti i politikanëve nën hetim nuk e rrezikon moralin publik, por e forcon atë nëse transmetohet; nuk rrezikon sigurinë kombëtare dhe nuk kemi të bëjmë me rrezik për të miturit. Akoma më shumë e përforcon këtë të drejtë Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, nën nenin 6 të saj, e cila thekson se gjykimi publik është rregull, ndërsa zhvillimi i tij me dyer të mbyllura përbën përjashtim që kërkon justifikim konkret dhe proporcional.

Praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka sanksionuar se kufizimi i publicitetit nuk mund të institucionalizohet si normë e përgjithshme, por duhet të vendoset rast pas rasti, me vendim të arsyetuar. Çdo devijim nga ky standard cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Po përse ndodh ky debat dhe përse këtu GJKKO krijon një problem që ka kosto për reputacionin e saj?

I gjithë ky problem ndodh sepse prokurorët e SPAK që kanë këto çështje janë të pasigurt në atë që kanë bërë, të paaftë për të qenë mbrojtës publik të akuzave që në shumicën e rasteve nuk mbështeten në prova dhe, mbi të gjitha, të paprekshëm në dhunimin e ligjit dhe shantazhimin e gjyqtarëve që gjykojnë këto çështje.

Siç e kemi vënë re edhe sot, të vetmit që flasin publikisht për të mbrojtur seancat e mbyllura dhe mos-transmetimin e tyre janë prokurorët e SPAK. Madje Olsi Dado u përpoq të tregonte që ka bërë përparime dhe si shakaxhi, ndërkohë që debati është për një çështje serioze të shkaktuar prej një vendimi të lig të tij.

Fakti që mbrojtës të mbylljes së seancave janë prokurorët që kanë ngritur akuzat dhe gjyqtarët sillen si noterë të tyre, tregon se kemi të bëjmë jo me një, por me dy probleme.

E para është pasiguria dhe paaftësia e prokurorëve që kanë ngritur akuzën dhe i shmangen ballafaqimit me publikun; e dyta, dhe më e rëndësishmja, tregon gjendjen skllavëruese të gjykatave tona përballë prokurorëve, të cilët as guxojnë të lexojnë ligjin, por quajnë ligj edhe shakat pa kripë të Olsi Dados.

Në rastin konkret, kur kemi të bëjmë me seanca gjyqësore të politikanëve të lartë dhe kur shumica e tyre kanë pretendimin se dënimet e tyre janë procese politike, i vetmi mjet që provon fuqinë e akuzës është ballafaqimi me publikun. Politikanët nuk e kanë betejën me prokurorët, por me publikun dhe historinë.

Atyre nuk u intereson dënimi penal, por raporti me publikun. Ka politikanë që i kanë fituar betejat e tyre duke u dënuar dhe të tjerë që i kanë humbur duke dalë të pafajshëm, pasi dënimi final i tyre varet nga shoqëria dhe jo nga një prokuror që e ka siguruar atë vend pune me ndere nga politikanët.

Ndaj transmetimi publik i seancave, në raste të tilla, përveçse është një e drejtë ligjore e garantuar për të akuzuarit, është nga ana tjetër një lloj gjyqi edhe për prokurorët, që deri tani kanë bërë gjyqe popullore gëbelsiane, duke përdorur një grup gazetarësh personalë që flasin në emër të SPAK për të dhëna që tani duhet të provohen në gjykatë.

Pra, më shumë sesa e drejta e të akuzuarve për t’u mbrojtur publikisht, prokurorët e SPAK i shmangen gjyqit të tyre nga opinioni publik, duke urdhëruar shkeljen e ligjit.

Kjo gjë nuk duhet lejuar. Politikanët nën akuzë, për fajësinë e të cilëve duhet një gjyq domosdoshmërisht shembullor, duhet të refuzojnë çdo seancë gjyqësore që nuk bëhet e hapur. Ata duhet të bashkohen për të refuzuar gjyqin e mbyllur derisa gjykata të pranojë t’i bëjë ato të hapura për publikun dhe për transmetim. Madje këtu duhet të ndërhyj dhe parlamenti.

Transmetimin mund ta zgjidhë vetë gjykata dhe media ta marrë nga linku i saj, pa shkaktuar konfuzion në sallë, siç e bën Gjykata Kushtetuese, por seancën e mbyllur nuk duhet ta pranojnë. Është më mirë t’i dënojnë në mungesë pa praninë e tyre, sesa të pranojnë të gjykohen në një qeli me “pesë yje” nga prokurorë që kanë frikë seancat gjyqësore, siç kanë pasur frikë provimet në fakultet.

Por nëse provimet mund t’i kenë marrë me miq, seancat nuk mund t’i marrin me shantazhe mbi gjyqtarët. Për politikanët, gjyqi publik dhe raporti i tyre me njerëzit që i kanë votuar ka shumë herë më tepër rëndësi sesa dënimi penal. Dhe e drejta e shqiptarëve për të parë dhe kuptuar se çfarë faji kanë bërë njerëzit që ata kanë votuar ka shumë herë më tepër rëndësi sesa komoditeti i qelisë “me pesë yje”, ku prokurorët shpresojnë të mbrojnë punën me dosje që ende s’i kanë lexuar dhe s’i kanë kuptuar, bashkë me gjykatësit e frikësuar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.