Te ndryshme

Prapsuni shefa të sushit, femrat japoneze po sfidojnë traditën

Është e premte mbrëma në Tokio dhe një grup burrash janë rreshtuar përgjatë banakut, duke pirë birrë me krikëll aq të ftohtë sa gotat janë veshur plotësisht dhe duke ngrënë sushi pjatë pas pjate. Deri tani, kjo konsiderohet si diçka normale. Por për një japonez është e kundërta. Shefat, të cilët përgatisin pjatat me oriz dhe shtrojnë mbi të peshk, janë të gjitha femra. Në Japoni, kjo është një pamje edhe më e rrallë se sa një tren i shpejtësisë së lartë që ka shkelur orarin zyrtar.

Por një grup i vogël vajzash kanë vendosur që të sfidojnë nocionin e moçëm, sipas të cilit gjinia e tyre nuk mund të gatuajë sushi.

“Unë shpresoj shumë që ndonjë ditë të mos të ketë më shef sushi mashkull, apo shefe sushi femër. Thjesht shef sushi”, u shpreh Yuki Chidui, menaxherja e “Nadeshiko Sushi”, restoranti i parë dhe i vetëm që drejtohet i gjithi nga femrat.

Shefat e sushit, ashtu si luftëtarët sumo dhe geishat, janë personifikime stereotipash të kulturës japoneze.

Duke iu referuar klishesë, ata duhet të jenë të vjetër, seriozë dhe mundësisht tullacë. Në japonisht ai quhet “itamae”, përkthimi i së cilës është përpara banakut. Përveçse duhet të jetë mjeshtër në përdorimin e thikës, shefi i sushit duhet që të dhurojë spektakël teksa gatuan pjatat e tij, por të jetë edhe “bilbil” nga goja.

Mendimi tradicional i popullit japonez është se femrat nuk mund të jenë shefe të mira të sushit, sepse duart e tyre janë shumë të ngrohta, dhe se ato nuk arrijnë që ta shijojnë sushin siç duhet për shkak të ciklit menstrual.

Me kimonon e saj ngjyrë blu me lule, goditje të forta e të prera dhe make up sysh shkëlqyes, 29-vjeçarja Chidui të bën të kuptosh se nuk ka lidhje me stereotipin që ka një pjesë e mirë e popullit japonez. “Ndonjëherë ndihem si një kafshë që po shikohet nga të gjithë. Këtë e mendoj si një performancë dhe unë kam nevojë që t’u tregoj atyre se kush jam, duke bërë sushi të mirë”, u shpreh ajo pas banakut.

Chidui mendon se femrat kanë fuqi, të cilat nëse i përdorin siç duhet, i ndihmojë shumë. “Femrat kanë aftësi më të mira komunikuese, e kjo na ndihmon ne që të krijojmë afrimitet me klientët tanë dhe të krijojmë një atmosferë të ngrohtë. Dhe për shkak se duart tona janë më të vogla, edhe kafshatat e peshkut janë paksa më të vogla. Kjo i bën më të bukura për t’u parë, por edhe më të lehta për t’u ngrënë”, shpjegon ajo. Por prapë, kur meshkujt shikojnë që në një banak ku shërbehet sushi janë të rreshtuara femra të reja, e konsiderojnë këtë thjesht si një formë reklame për ta shitur më lehtë produktin.

“Nadeshiko Sushi” ndodhet në lagjen “Akihabara”, që është qendra për ata që në Japoni njihen si “otaku”, ose të “fiksuarit pas librave”.

Rrugët e kësaj lagjeje të kryeqytetit japonez janë të zbukuruara me reklama me kartonë vizatimorë në vitrinat e dyqaneve elektronike. Aty ka edhe dyqane seksi dhe kafene ku shërbejnë femrat. Kjo e fundit në kulturën japoneze konsiderohet si një institucion, ku një vajzë e re e veshur me kostum shërbyeseje, u kërkon klientëve që të flasin plot ndjenjë kur ata duan të porosisin dhe vizaton zemra me salcë të kuqe në ushqim. Klientët nëse duan që të kenë një foto me këto shërbyese speciale, duhet që të paguajnë.

Kurioziteti duket se është arsyeja kryesore se përse klientët tërhiqen të shkojnë aty. “Unë kurrë nuk kam parë një restorant në të cilin punojnë vetëm femra”, tha Tetsu Fuji nga Hiroshima. “Unë bëra një xhiro në Tokio dhe erdha t’i hedh një sy lokalit”. Një tjetër burrë me fytyrë të vrenjtur në lokal, Shintaro Hori tha se ai mendonte se ky vend ishte në stilin e kafeneve ku shërbejnë femrat, vetëm se këtu shitet sushi. “Burrat do të mendojnë se nëse sushi përgatitet nga një vajzë e bukur, do të shijojë më mirë”, tha ai duke futur një tjetër kafshatë në gojë.

Por krahasuar me kafenetë tradicionale japoneze ka një ndryshim. Tabela përpara restorantit të sushit është në ngjyrë rozë dhe shkruan: “Të freskëta dhe të lezetshme”. Ndërkohë që kur ti merr në dorë menynë e ke të shkruar qartë se nëse ke dëshirë që të bësh një foto me stafin, atëherë duhet që të paguash $5 më shumë dhe është plotësisht e ndaluar që të prekësh punonjëset.

Drejtueset e lokalit hoqën pak, derisa gjetën edhe uniformën e përditshme. Ato e nisën me përparëse si ato që mbajnë shërbyeset në kafene, pastaj kaluan te veshjet speciale të vajzave të famshme të grupeve muzikore të vendit, e përfunduan te kimono, që vendasit i quajnë “yukata”.

Por jo të paktë janë ata klientë që e kuptojnë gabim filozofinë e restorantit. “Ka raste kur klientët futen brenda dhe mendojnë se ky vend është diçka ndryshe. Perceptimi i parë është se në këtë restorant mund të gjesh vajza lehtësisht dhe më pas afrohen dhe vënë gishtin te njëra që t’u përgatisë atyre sushin”, tregoi Chidui.

Një prej punonjëseve, Miyo Kyoda, 19 vjeçe, që mban veshur një kimono rozë dhe dallohet për flokët e gjatë kaçurrela që i bien nga shamia në kokë, kujton disa komente të pakëndshme. “Ndonjëherë burrat më kërkojnë që unë t’u flas atyre ëmbël. Ky vend u ngjan me kafenetë tradicionale. Mendoj se kjo vjen nga lagjja ku ndodhet restoranti”.

Prapë se prapë ajo është e lumtur. “Është ëndërr për mua që punoj këtu, sepse në të ardhmen dua të hap restorantin tim”.

Vajza si Chidui dhe Kyoda janë pioniere, tha Sachiko Goto, drejtues i akademisë së sushit në Japoni, vend nga i cili dalin shumë shefa të sushit. “Ka kaq pak femra që punojnë si shefe sushi. Megjithatë kur vajzat shikojnë modele të mira për t’u ndjekur, atëherë ato vendosin që të sfidojnë të vjetrën”. Rreth 1/5 e nxënësve në akademi janë vajza, të cilat po tentojnë që të futen në këtë treg. Fakti që kjo shkollë ekziston, tregon se kohët po ndryshojnë.

Mjeshtëria e të gatuarit sushi është trashëguar historikisht nga babai te djali dhe çirakët shpesh kalonin vite duke larë pjatat dhe duke derdhur plehrat përpara se të lejoheshin që të mbanin në dorë një thikë. Por popullsia në plakje dhe vështirësia e punës kanë çuar në pakësimin e shefave të sushit.

Po prapë, shumica e vajzave nxënëse në akademi e shikojnë profesionin e tyre të ardhshëm si një biletë për të gjetur punë jashtë vendit. “Përgjithësisht, kuzhinat jashtë vendit i mirëpresin vajzat, krahasuar me Japoninë. Këtu shefat japonezë mendojnë se gratë do t’ua marrin punën. Kjo është një pjesë e arsyes pse ata nuk duan që të pranojnë femrat në zanatin e tyre”, shpjegoi Goto. Gjithsesi në lokal ishte një burrë i cili po punonte. Presidenti i kompanisë ishte i dhënë i tëri pas punës, sepse kishte mungesa në staf. Ai ishte në kuzhinë duke larë pjatat, pa u vënë re nga njeri.

Burimi: Washington Post

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button