Ekonomia

“Procesi i Berlinit” Giacomelli: Projekte të reja për Ballkanin, mbështetje për SME-të

“ Procesi i Ballkanit Perëndimor” nuk mund të zgjidhë problemet që rajoni ka, por natyrisht që është një mjet i rëndësishëm për të rritur bashkëpunimin politik dhe rajonal mes vendeve”. Kështu u shpreh në një intervistë të veçantë Michele Giacomelli, i dërguari special i Ministrisë së Jashtme të Italisë për Procesin e Berlinit dhënë për European Western Balkans. Gjatë forumit të Shoqërisë Civile që u mbajt në Tiranë, zyrtari i lartë italian shpjegoi se çfarë pritet të ndodhë në samitin e Triestes që do të mbahet në korrik të këtij viti.

Ai e vlerësoi si të suksesshëm progresin e bërë nga vendet e rajonit që përfshijnë Shqipërinë, Maqedoninë, KOsovën, Bosnje – Hercegovinën, Serbinë e Malin e Zi pas tre vitesh dhe tre samitesh. “Procesi është një mjet i fuqishëm për të ndihmuar në transformimin e rajonit dhe në integrimin e tij më të shpejtë drejt BE-së.  Është gjithashtu një mundësi e madhe për rezultate ekonomike dhe përfitime veçanërisht në fushën e transportit. Tek e fundit mendoj se ka qenë një proces i suksesshëm”, tha zyrtari i lartë.

Sipas tij në Samitin e Triestes do të shihet ecuria e projekteve që janë në zbatim si dhe do të prezantohen projektet e reja.

“Ne do të vazhdojmë të punojnë për të mbështetur të rinjtë, për të cilët do të ketë edhe projekte që do të mbështeten financiarisht nga vendet anëtare të Komisionit Europian. Ne gjithashtu do të nxisim edhe integrimin ekonomik rajonal. Ne mendojmë se sa më shumë të integruara të jenë tregjet e këtyre vendeve aq më shumë shkëmbime tregtare do të ketë. Si rrjedhim rajoni do të mund të tërheqë më shumë investime të huaja. Por, këto vende duhet të kuptojnë më mirë objektivat e kësaj iniciative, pasi do të ndihmojë integrimin në BE”, tha Giacomelli.

Ai shpjegoi se gjatë Samitit të Triestes, Italia do të prezantojë një objektiv të ri atë të mbështetjes për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, përmes instrumenteve financiare.

“Ne kemi qenë gjithmonë një ndër mbështetësit kryesorë të integrimit të Ballkanit kjo edhe falë fijeve historike që na lidhin, historisë dhe afërsisë gjeografike. Nga ana tjetër vendet e rajonit e shohin Italinë si një partner të rëndësishëm tregtar, por edhe si partnerë të besueshëm pasi ne nuk kemi pasur ndonjëherë axhendë të fshehtë”, tha Giacomelli në intervistën e tij.

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të raportojnë në Trieste mbi ecurinë e investimeve të ndërlidhjes që financohen në emër të këtij projekti të madh.

Në rastin e Shqipërisë bëhet fjalë për projektin hekurudhor Tiranë – Rinas – Durrës, ku kostoja totale parashikohet në 81.5 mln euro.  Për Serbinë është projekti pjesë e Korridorit Orient/East-Med e që ka të bëjë me ndërtimin e segmentit hekurudhor Serbi – Bullgari. Vlera totale është parashikuar në 84.4 mln euro. Për Kosovën, bëhet gjithashtu fjalë për të njëjtin korridor, e më konkretisht për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Serbinë. Për pjesën e Kosovës, vlera totale e projektit është parashikuar në 42.3 mln euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button