🌤️
Tiranë 34°C · Kryesisht kthjellët 30 June 2026
S&P 500 7,440 ▲1.18%
DOW 52,183 ▲0.59%
NASDAQ 25,820 ▲2.07%
NAFTA 71.12 ▲0.52%
ARI 4,044 ▲0.13%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1416 EUR/GBP 0.8620 EUR/CHF 0.9226 EUR/ALL 94.1999 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3848 EUR/TRY 53.2600 EUR/JPY 184.81 EUR/CAD 1.6216 EUR/USD 1.1416 EUR/GBP 0.8620 EUR/CHF 0.9226 EUR/ALL 94.1999 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3848 EUR/TRY 53.2600 EUR/JPY 184.81 EUR/CAD 1.6216
₿ CRYPTO
BTC $58,300 ▼ -2.65% ETH $1,554 ▼ -1.38% XRP $1.0292 ▼ -2.44% SOL $72.1100 ▼ -2.12%
S&P 500 7,440 ▲1.18 % DOW 52,183 ▲0.59 % NASDAQ 25,820 ▲2.07 % NAFTA 71.12 ▲0.52 % ARI 4,044 ▲0.13 % S&P 500 7,440 ▲1.18 % DOW 52,183 ▲0.59 % NASDAQ 25,820 ▲2.07 % NAFTA 71.12 ▲0.52 % ARI 4,044 ▲0.13 %
EUR/USD 1.1416 EUR/GBP 0.8620 EUR/CHF 0.9226 EUR/ALL 94.1999 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3848 EUR/TRY 53.2600 EUR/JPY 184.81 EUR/CAD 1.6216 EUR/USD 1.1416 EUR/GBP 0.8620 EUR/CHF 0.9226 EUR/ALL 94.1999 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3848 EUR/TRY 53.2600 EUR/JPY 184.81 EUR/CAD 1.6216
30 Jun 2026
Breaking
Opinion

Profesori që na mësoi të duam gjuhën angleze

Nga ALBERT SHEQI

Profesor Ilo Stefanllarin, para se ta takoja personalisht dhe të kisha fatin ta kisha edhe profesorin tim, e njihja si emër që kur studioja për gjuhë angleze në Shkollën “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër, sepse edhe zysh Irena, edhe prof. Afrimi na i përmendnin shpesh dhe me shumë dashuri emrat e profesorëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sidomos prof. Hamlet Bezhani dhe prof. Ilo Stefanllari ishin emra që mbahen mend me lehtësi.

Një pjesë e mirë e jona, e Pandeli Sotirsave të Gjirokastrës, fituam edhe konkursin dhe u pranuam në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, ku profesor Ilon e njohëm nga afër. Brezi ynë, 1996–2000, qëlloi edhe brezi i parë në FGJH me profilizimin në tri degë: (1) gjuhësi angleze, (2) përkthim-interpretim dhe (3) anglistikë dhe amerikanistikë. Profesor Ilo Stefanllari na jepte “Leksikologjinë e Gjuhës Angleze” gjatë vitit të dytë dhe ishte prof. Ilua që më zgjoi dhe më ushqeu dashurinë për frazeologjinë (dmth., shprehjet frazeologjike dhe idiomat) e gjuhës angleze, një lëndinë kaq e bukur dhe kaq e pasur, sa mahnitem ende sot prej saj.

Leksionet dhe seminaret me prof. Ilon ishin të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Profi hynte në plejadën e profesorëve që unë i kisha futur në kategorinë “është mëkat i rëndë t’u mungosh në leksione dhe seminare”. Besoj se duhet ta kem ende diku në shtëpi fletoren e ushtrimeve të leksikologjisë me + ose v të kuqe, si edhe librin e profesorit. Natyrisht që leksikologjinë e mora 10; ishte lënda ime e preferuar.

Në vitin e tretë bëhej ndarja në profile dhe unë (bashkë me disa shoqe klase dhe tashmë kolege të mia) zgjodha British and American Studies (pra, anglistikë dhe amerikanistikë) dhe me prof. Ilon kishim “Variante të Gjuhës Angleze”, një lëndë krejt e sapofutur në kurrikul, dhe profesori na e bëri të qartë se duhej të punonim shumë, sepse lënda ishte “fresh ground”. Si pjesë e projektit të lëndës, prof. Ilua mua më caktoi “krehjen” e germës S në fjalorin Merriam-Webster dhe identifikimin e të gjitha fjalëve me ndryshime (ortografike dhe semantike) midis British English dhe American English. Më tregoi vetë se si duhej bërë puna; tri a katër faqet e para i bëmë bashkë. Ishte udhëheqës shkencor me shumë përvojë.

Natyrisht që edhe në Variante profi më vuri 10, por ma mësoi ditën që më dha notën një idiomë në anglishte. “Ty të mundova pak me atë germën S”, më tha, “po sepse ti je një dark horse, prandaj.” Nuk e dija çfarë ishte “dark horse” në anglishte, por e gjeta dhe nuk e kam harruar që atëherë.

Si student në fakultet mësova edhe se profesor Ilua kishte qenë përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës Angleze për një kohë të gjatë, për gati 17 vjet, por modestia dhe thjeshtësia e profit ishin të admirueshme. Në vitin e katërt dhe të fundit, profi ishte pjesë e komisionit të mbrojtjes së diplomave tona. Asokohe, studentët me mesatare mbi 9.5 (nëse e kujtoj mirë këtë) e përmbyllnin katërvjeçarin me mbrojtjen e një teme.

Unë pata fatin dhe privilegjin edhe të punoj me profesor Ilon, të cilin e kisha edhe kryetar të mbrojtjes së temës së masterit (ose ShPU-së, sikurse e quanim asokohe). Njeri më të mirë dhe profesor më të mrekullueshëm nuk të bie rasti të takosh në jetë.

Profesori shërbeu edhe si zv.dekan i Fakultetit për katër vite. Unë kisha fatin ta takoja shpesh edhe në lagje dhe e ftoja gjithmonë për kafe. Nuk ma prishte kurrë. Kishim një kafene të vogël e modeste te lagjja që na ngjiste të dyve.

Kur mësova dje se profesor Ilo ishte ndarë nga jeta, më pikoi në zemër. Kisha nja dy a tri vite që nuk e ndeshja më në lagje. Na iku edhe një Profesor Patriark i padiskutueshëm i fushës së studimeve anglofone.

Lamtumirë, profi! Tani, kur të duam të bisedojmë me ty, do të shkojmë te raftet e bibliotekës sonë dhe të marrim librat dhe fjalorët e tu. Më i dashuri ndër veprat e tua për mua do të mbetet përherë “Fjalori Idiomatik i Gjuhës Angleze”.

Të qoftë e lehtë lëndina, profi!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.