Kosova

Profesori universitar nga Lipjani rrahu gruan pasi nuk i gatoi pite me spinaq

Një rast i dhunës në familje po pretendohet se ka ndodhur më 13 korrik.

H.V. po pretendon se është rrahur nga bashkëshorti i saj, Sh.V, i cili është profesor në një kolegj privat.

Rasti, i cili është raportuar në institucionet relevante, dyshohet se ka ndodhur në prani në fëmijëve të çiftit.

Sipas asaj që ka deklaruar viktima e këtij rasti, ngjarja ka ndodhur pasi bashkëshorti i saj ka kërkuar nga ajo që të gatuajë disa pite me spinaq dhe ajo nuk ka pranuar, duke thënë se është e lodhur.

Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria e Prishtinës, e cila ka thënë se Vehapi për këtë veprim u ndalua për 48 orë, ndërsa ndaj tij Gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se për subjektin si në kërkesë, më 13.07.2023, Prokurori i Shtetit e ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtin ka kërkuar masën e paraburgimit pranë Gjykatës kompetente, derisa Gjykata ka vendosur ndaj të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak” – ka thënë zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

Tutje Ulaj ka thënë Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor ka parashtruar ankesë për shkak të moscaktimit të masës së paraburgimit. Ankesën e ka bërë në Gjykatën e Apelit.

Për rastin është kontaktuar edhe i dyshuari.

Ai ka thënë se është e pavërtetë që ai ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, ndonëse e pranon që ka pasur mosmarrëveshje mes tyre.

“Absolutisht është e pavërtetë se unë kam ushtruar dhunë por është e vërtetë që ka ndodhë një incident-mosmarrëveshje për të cilën në këtë fazë ligji nuk më lejon publikimin e më shumë të dhënave për shkak të natyrës së rastit” – ka thënë ai.

KALLXO ka siguruar dokumente të cilat tregojnë se si ndodhi e gjithë ngjarja.

Sipas deklaratës së viktimës në Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, dhuna ndaj saj në ditën kritike ka filluar nga një mosmarrëveshje që ajo kishte me burrin e saj për përgatitjen e disa piteve me spinaq.

Viktima, në bazë të dokumenteve po ashtu ka deklaruar  se i pandehuri kishte tentuar të shkonte në drejtim të saj edhe me armë.

Lidhur me këtë është njoftuar Prokuroria nga ana e Policisë.

“Prokurori i rastit ka urdhëruar në mënyrë verbale kontrollimin dhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, e cila bastisje është realizuar, mirëpo nuk është arritur të gjendet asgjë e kundërligjshme” – është thënë në përgjigjen e Prokurorisë.

Mediumi ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për këtë rast, mirëpo deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Çfarë deklaroi viktima për rastin?

H.V. ka deklaruar në Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmë Viktimave se më 13 korrik 2023 u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Ajo ka deklaruar se që nga fillimi i martesës ka pasur dhunë fizike dhe psiqike nga ai.

Lidhur me rastin e fundit të ndodhur para gjashtë ditëve dokumentet tregojnë se H.V. ka thënë se ka qenë duke qëndruar në shtëpi kur i dyshuari kishte ardhur nga puna, diku rreth orës 17:00.

Deklarata e viktimës tregon se tri vajzat e tyre kishin për të shkuar mysafire te nëna e saj, me leje të të dyshuarit – babait e po ashtu edhe me leje të saj.

“Nëna ime kishte përgatitur pite me spinaq dhe vajzat kanë dëshirë me ngrënë pite me spinaq” – citohet të ketë thënë viktima në ditën kritike.

Sipas dokumenteve, asaj i ishte përgjigjur bashkëshorti duke i thënë: “Pse ti nuk po përgatit pite me spinaq?”.

Pas kësaj, dokumenti shpjegon se viktima kishte thënë: “Nuk mundem unë me iu bë pesë tepsia pite”, duke bërë kështu që i dyshuari të fillojë të bërtasë me një ton të lartë.

“Ti qysh të them unë ti ki me bë” – pretendohet të ketë thënë Shemsedin Vehapi, e gruaja e tij, sipas dokumentit, i ishte përgjigjur:  “Jo, unë nuk mundem m’i bë se lodhna”.

Kjo, sipas deklaratë e viktimës, e kishte nervozuar të dyshuarin, i cili më pas kishte filluar ta ofendojë dhe ta fyejë.

“Ta q***** nënën, ki me bë qysh të them  unë, kam me të mbytë” – thuhet se ishte shprehur i dyshuari.

Pas kësaj, viktima ka deklaruar se burri i saj edhe e kishte goditur me dorë në kokë e kjo kishte bërë që ajo ta shtynte burrin e saj. Këto veprime kanë bërë që të ndërhyjnë fëmijët për t’i ndarë.

Në atë moment, viktima ka deklaruar se kanë arritur në shtëpinë e tyre disa mysafirë, por se më pas kanë vazhduar për vizitë te një familjar tjetër.

Sipas viktimës, bashkëshorti i saj kishte shkuar në një darkë me kolegët e tij të kolegjit e në shtëpi ishte kthyer në ora 21:00.

Viktima ka deklaruar se me t’u kthyer në shtëpi, Shemsedin Vehapi ka shkuar direkt në dhomën ku ishte duke qëndruar ajo së bashku me vajzën e saj.

Aty i dyshuari i kishte thënë viktimës t’i thërrasë prindërit e saj e të shkojë nga shtëpia e tij.

“Unë jo nuk dal se i kam gjashtë fëmijë, 22 vjet martesë i kam me ty, një herë i kam lënë fëmijët dhe nuk i lë më” – ka deklaruar viktima duke thënë se kjo ka qenë përgjigjja e saj ndaj kërkesës së burrit.

“Kjo është shtëpia ime dhe ki me dalë” – thuhet se i ishte drejtuar i dyshuari viktimës.

Pranë tyre viktima ka pretenduar se ishte edhe vajza e tyre. Madje viktima ka thënë se në atë moment burri i saj e ka kapur për fyti dhe e ka shtrënguar shumë.

Viktima ka deklaruar se në vetëmbrojtje e ka gërvishtur burrin e saj në fytyrë, e që pas kësaj ai e ka lëshuar nga fyti.

H.V. gjithashtu ka deklaruar se burri i saj në një moment ka kapur një karrige dhe e ka gjuajtur atë, e po ashtu në drejtim të saj e ka gjuajtur edhe një peshore, por sipas viktimës asnjëra nuk e ka goditur.

Viktima ka thënë se Shemsedin Vehapi ka vazhduar dhunën ndaj saj duke e goditur me një shkop, me grushte, me shuplaka nëpër vende të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të dukshme.

Madje, viktima ka thënë se i dyshuari gjithashtu ka marrë armën e tij dhe ka tentuar të shkojë në dhomën ku qëndronte ajo me vajzën e saj.

Sipas deklaratës së saj, e tërë ngjarja ka ndodhur nga ora 21: 00, kur pala përgjegjëse kishte shkuar në shtëpi, e deri në 4:00 të mëngjesit.

Në mëngjes, në ora 8:00, viktima ka deklaruar se pranë saj ka shkuar motra e të dyshuarit dhe i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia.

Viktima pas kësaj ka shkuar tek familja e saj në Lipjan dhe më pas nën shoqërimin e nënës së saj e lajmëroi rastin në stacionin policor në Lipjan.

H.V. ka kërkuar nga gjykata lëshimin e urdhrit për mbrojtje për të dhe për familjarët e saj, kërkesë kjo që pritet të aprovohet ose të hidhet poshtë të hënën nga ana e gjykatës kompetente./Kallxo

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button