Politika

Projektet për Ballkanin, kryeministrat hartojnë axhendën e përbashkët

Hahn bëri të ditur se gjatë dhjetë viteve të fundit eksportet tregtare të Ballkanit Perëndimor në Evropë janë rritur dhe shifra është rreth 46 miliardë euro, por shtoi se potenciali tregtar mes vendeve të Ballkanit nuk shfrytëzohet sa duhet.

Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin Europian, Johannes Hann, gjatë një konference të përbashkët per shtyp të mbajtur në Durrës pas takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, bënë të ditur se ka një rritje të interesit të qeverive për procesin e Berlinit.

Edi Rama dhe Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn ishin në një mendje kur i vlerësuan zgjedhjet e 25 qershorit si më të mirat e realizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Prioritetet e Shqipërisë përpara një tjetër vlerësimi nga shtetet anëtare të BE, për të cilat vetë komisioneri tha se ende nuk e ka një datë, Edi Rama dhe Johannes Hahn i ndanë përpara takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në një mëngjes pune, që sipas kryeministrit u fokusua në statusin aktual të marrëdhënieve të vendit tonë me BE. Por mungesa e një date shoqërohet me disa kërkesa, duke nisur nga reformat kyçe.
“Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Besoj se ka një rezultat që jo shumëkush e prisnin që të ishte kaq i qartë. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Vendimet politike janë të qarta. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit”, u shpreh Hahn.
“Folëm për zgjedhjet si një moment i rëndësishëm i kapërcyer me sukses, folëm për vullnetin dhe domosdoshmërinë që të vazhdojë ajo që u nis si një qasje e re dhe vullnet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, nga ana tjetër e njoha Hahn me planin e këtij mandati në funksion të reformave, të një transformimi rrënjësor të shërbimeve për publikun si një aspekt i luftës kundër kurrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.
Dhe reforma në drejtësi, si një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë, mbetet ende një kërkesë e qartë, këtë herë për zbatimin sa më parë të saj.
“Jam i sigurt që shumë shpejt do të shohim rezultatet e para konkrete lidhur me të famshmin proces të Vettingut”, u shpreh komisioneri.“
Nënvijëzuam domosdoshmërinë e vazhdimit të procesit të vettuingut si një proces kyç për Shqipërinë, por edhe përshpejtimin e procesit të integrimit”, tha Kryeministri.
Si kryeministri Rama, ashtu edhe zyrtari i lartë i BE-së ndanë të njëjtin vlerësim për luftën kundër kultivimit të kanabisit.
“Dua të përmend progresin e jashtëzakonshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit, kjo është dëshmi për vendet e BE”, tha komisioneri.
“Ndamë idenë se në luftën ndaj kanabisit po bëhet një punë fantastike. Sot jemi me rezultate të monitorimit ndërkombëtar që tregojnë se zotimi është duke u përmbushur dhe në fund të këtij sezoni mbjelljesh, korrjesh dhe goditjesh, Shqipëria do të dalë përfundimisht nga harta e vendeve problematike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Rama.

Hahn: Me azil dëmtoni veten

Ashtu si kryeministri Rama, i cili ishte i drejtpërdrejtë për numrin e azil kërkuesve shqiptarë në vendet e BE, konkretisht Hollandën, edhe Hahn ishte i qartë kur tha se asnjë shqiptar s’do të mund të marrë azil në asnjë vend të BE-së.
“Unë refuzoj ta pranoi shënjestrimin e shqiptarëve, azilkërkues apo ata që kryejnë krime si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët duhet të përgjigjen para ligjin, por nuk ka flamur e kombësi dhe thjesht duhet të përgjigjen para ligjit dhe nuk mund të tregohet me gisht si krim shqiptar ballkanik. Është propagandë. Në realitetin e gjërave, ka një problem shqetësues që lidhet me faktin se qytetarët e Ballkanit dhe Shqipërisë nuk kanë asnjë shans që të marrin azil politik në Europë. Asnjë shans. Është thjesht rënie pre e rrjeteve kriminale që përdorin nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë dhe punë”, u shpreh kryeministri Rama.
“Nuk është realiste të besohet se çdokush mund të merrte azil si shqiptar në BE. Është e kotë që të shkoni në vendet e BE për të kërkuar azil, pasi dëmtoni veten, nga ana diplomatike edhe vendin tuaj”, tha Rama.

Projektet për Ballkanin, kryeministrat hartojnë axhendën e përbashkët

Të 6 vendet e Ballkanit perëndimor tani kanë një axhendë të përbashkët, për tu bërë më atraktivë për investime të huaja, me synimin edhe për të përshpejtuar afrimin me BE. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë një plan konkret veprimi, me 115 pika, të cilat i kanë përmbledhur në një dokument udhërrëfyes për krijimin e një tregu unik rajonal.
“Kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar që ta bëjë rajonin shumë më tërheqës për investime, sh më fleksibël për shkëmbimet e brendshme tregtare, duke përshpejtuar afrimin me BE dhe ritmet e rritjes ekonomike dhe mirëqenies”, u shpreh Rama.
“Ne po fokusohemi tek Zona Ekonomike Rajonale, kam dy shifra për ta ilustruar rëndësinë e kësaj. Gjatë 10 viteve të fundit, eksportet drejt BE nga të 6 vendet e bllokut janë dyfishuar. Tani përbëjnë 46 mld euro por tregtia mes këtyre 6 vendeve nuk është rritur, është në të njëjtin nivel si para 10 vitesh. Kjo tregon se ka shumë potencial që mund të shfrytëzohet”, tha Hahn.
Hahn shpjegoi edhe si do të vihet në jetë kjo axhendë e përbashkët.
“Vendet janë dakord që të caktojnë koordinatorë të përbashkët që të koordinojnë në secilën kryeministri dhe në çdo vend në veçanti, ministritë apo dhomat e tregtisë të punojnë me përkushtim për këtë axhendë. Të 6 vendet e Ballkanit perëndimor do ti përcaktojnë këto koordinatorë deri në mes të shtatorit për ti vënë në zbatim. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet dypalëshe”, tha komisioneri.
“Ky reflektim strategjik do të na vlejë për një axhendë më agresive në funksion të një rajoni më tërheqës për investimet e huaja, me një transformim rrënjësor të procedurave kufitare, me një përmirësim rrënjësor të monitorimit, dhe me krijimin e mekanizmave për reduktimin e kostove logjistike dhe komponenti tjetër për të fuqizuar ekonominë digjitale si një front të ri të rritjes ekonomike në rajon”, u shpreh Rama.
Liderët e Ballkanit perëndimor janë angazhuar për një rakordim të çështjeve për bashkëpunim ekonomik 6 javë më parë, kur u vendosën piketat kyçe në samitin e Triestes. Zbatimi konkret i tyre nis nga shtator, pas përzgjedhjen e koordinatorëve. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button