Kronika

Prokuroria e Elbasanit: Gjykata pengon hetimin ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni

Prokuroria e Elbasanit akuzon gjykatën e këtij rrethi se po pengon hetimet ndaj gjyqtarit të Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Elona Çaushi, akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë”.

gjin-gjonigruaja-e1423998949727Sipas organit të akuzës, gjykata ka kryer të gjitha “manov-rat” e saj për të penguar hetimin e gjyqtarit Gjoni. Në deklaratën e Prokurorisë bëhet me dije se, “më 13.02.2015, gjyqtari Sulejman Kurti ka pranuar kërkesën e ankuesit, personit nën hetim Gjin Gjoni, i cili kundërshton vendimin e prokurorit për zgjatjen e afateve të hetimit. Me këtë vendim, gjykata ka bllokuar mbledhjen e të dhënave të plota për të vërtetuar dyshimet e krijuara gjatë hetimit për mundësitë e konsumimit të veprave penale, për të cilat akuzohen personat nën hetim”. Ndërkohë, mësohet se më 10.11.2014, prokuroria e Elbasanit ka vendosur zgjatjen e afateve të hetimit, i cili ka filluar në datën 02.05.2014, në bazë të kallëzimit të ILDKPKI. Kjo për shkak të pritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara tek autoritetet franceze dhe gjermane për pasuritë e shtetasit W. Mehlber, ish-bashkëshorti dhe ish-ortaku në biznese i Elona Çaushit. Sipas he-tuesve të çështjes, të dhënat e kërkuara në letër-porosi janë shumë të rëndësishme për hetimin, pasi pasuria e dyshuar si e deklaruar në mënyrë të rreme nga Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, ka të deklaruar si burim kryesor fitimet nga bizneset e krijuara nga e dyshuara Çaushi në bashkëpunim me gjermanin Mehlber.

LETER-POROSIA

Sipas deklarimit të pasurisë, dorëzuar në ILDKP, këta dy shtetas, kanë vendosur si burim kryesor të pasurisë së tyre pikërisht të ardhurat e fituara nga aktiviteti privat ndër vite i Elona Çaushit dhe ish-ortakut të saj, shtetasit gjerman Mehlber. “Pra, elementi thelbësor i hetimit janë pikërisht të dhënat e kërkuara pranë autoriteteve gjermane dhe franceze, për të vlerësuar nëse Mehlber i ka pasur mundësitë financiare dhe rrjedhimisht edhe ish-bashkëshortja e tij dhe ish-ortakja e tij, Çaushi, i ka pasur ose jo mundësitë financiare për të ngritur disa biznese njëkohësisht. Prokuroria e Elbasanit ka dyshime të forta që Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë konsumuar elementët e veprës penale për të cilat dyshohen, por mungesa e përgjigjeve të letër-porosive deri në këtë moment, pengon tërësisht provueshmërinë e këtyre dyshimeve. Për prokurorinë e Elbasanit, e gjithë ecuria e këtij hetimi është penguar në vijimësi nga ana e gjykatës së këtij qyteti.

PENGESA NGA GJYKATA

Me regjistrimin e procedimit penal, Prokuroria kërkoi vendosjen e masës ndaluese “Pezullim nga detyra” për gjyqtarin Gjin Gjoni, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata e Elbasanit dhe nga Gjykata e Apelit Durrës. Në korrik 2014, prokuroria e Elbasanit dërgoi letër-porositë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, pranë autoriteteve franceze dhe gjermane për të marrë informacion lidhur me aktivitetin ekonomik të shtetasit W. Mehlber. Pas dërgimit të letër-porosive, Prokuroria vendosi zgjatjen e afatit të hetimeve. Kjo zgjatje e afatit të hetimeve u kundërshtua në gjykatë në gusht të vitit që shkoi nga i dyshuari, Gjin Gjoni. Gjykata vendosi që kërkesa të shqyrtohej nga një gjyqtar i gatshëm. Kjo në kundërshtim flagrant me procedurën, e cila parashikon se shqyrtimi i kësaj kërkese i takon gjyqtarit që është shprehur fillimisht për caktimin e masës ndaluese. Pavarësisht kërkesës së pro-kurorisë për përjashtimin e gjyqtarit të dytë dhe kalimin e kërkesës për shqyrtim të kundërshtimit të paraqitur nga Gjin Gjoni, sërish tek gjyqtari që e ka marrë në shqyrtim çështjen që në fillim, gjykata në kundërshtim të plotë me ligjin procedurial, e rrëzoi pretendimin e pro-kurorisë. Gjithsesi, në shtator të vitit 2014, i dyshuari Gjin Gjoni u tërhoq nga ankimi për zgjatjen e afateve hetimore dhe në këtë mënyrë mbeti në fuqi vendimi i prokurorit. Në nëntor të vitit 2014, po në pritje të letër-porosive, Prokuroria vendos zgjatjen e afateve të hetimit. Edhe në këtë rast, i dyshuari e ankimoi çështjen në gjykatë, për shqyrtimin e të cilës, kësaj radhe në respektim të procedurës, i kaloi sërish gjyqtarit të parë të kësaj çështjeje (gjyqtarit që refuzoi pezullimin nga detyra). I dyshuari kërkon nga gjykata përjashtimin e gjyqtarit dhe sërish në kundërshtim me procedurën, gjykata e Elbasanit vendos të pranojë kërkesën e të dyshuarit dhe përjashton gjyqtarin, duke ia kaluar gjyqtarit Sulejman Kurti. Ky i fundit, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Gjin Gjonit, më 13.02.2015 vendos pranimin e kërkesës për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për zgjatjen e afateve. Prokuroria e Elbasanit po përgatit ankimin kundër vendimit të gjykatës së Elbasanit, e cila nuk pranoi zgjatjen e afatit të hetimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button