“Propozimi i ndyrë” për Vjosë-Nartën dhe kurthi i propagandës

Ky është shkrimi i dytë radhazi ku po bëj krahasim me një film, pas atij me “Lulëkuqet mbi mure”. Por, në fakt, është rasti i tretë, pasi vetë Kryeministri e nisi dje ligjëratën e tij me një krahasim filmi (Wag dhe Dog). Mesa duket, realiteti ynë politik ka arritur në atë pikë ku nuk shpjegohet më vetëm me ligje, dokumente, vendime, por duhet thirrur kinemaja në ndihmë, sepse absurdi është bërë aq i madh, sa vetëm metafora arrin ta zbulojë qartë.
Këtë herë filmi është “Indecent Proposal”, me Demi Moore, Robert Redford dhe Woody Harrelson.
Në film, një çift i ri, Diana dhe David, ndodhen në vështirësi financiare. Janë të dashuruar, por borxhet, pamundësia dhe frika për të ardhmen i kanë vënë përposhtë. Në këtë moment shfaqet një miliarder, John Gage, i cili u bën një ofertë tronditëse. Ai propozon një milion dollarë në këmbim të një nate me Dianën.
Oferta duket monstruoze, sepse prek diçka që në parim nuk duhet të jetë në treg, si trupi, intimiteti, dinjiteti i një marrëdhënieje. Por një milion dollarët e bëjnë të pamundurën të diskutueshme. E bëjnë kufirin moral të duket relativ dhe çifti mendon se, ndoshta, një sakrificë e vetme mund të shpëtojë gjithçka tjetër.
Vetëm se nuk ndodh kështu.
Sepse problemi me disa kufij është se ata nuk thyhen pjesërisht. Sapo pranohen si të negociueshëm, nuk mbeten më kufij. Sapo një gjë e panegociueshme futet në pazar, ajo nuk del më prej andej siç ishte. Edhe sikur paratë të vijnë lumë, marrëdhënia është prishur. Besimi është dëmtuar.
Tani ta heqim pak atë fundin romantik të filmit, sepse realiteti ynë nuk është Hollywood.
Ta imagjinojmë sikur pas asaj nate miliarderi nuk largohet. Nuk merr vetëm një natë. Merr gjithë jetën e Dianës. Merr vëmendjen e saj, trupin e saj, kohën e saj, të ardhmen e saj. Burri, që mendonte se një milion dollarët do t’i sillnin begatinë, mbetet me thërrimet e transaksionit. Madje, mund të ndodhë që ato para të mos futen fare në shtëpi. Gruaja blen rroba për vete, këpucë, çanta, aksesorë të shtrenjtë, bën operacione plastike për t’u dukur më bukur për miliarderin, ndërsa shtëpia mbetet bosh. Burri nuk merr asgjë, humb paratë, humb gruan, humb dinjitetin, humb edhe iluzionin se kishte bërë një marrëveshje të mençur.
Ky është versioni pa fund romantik i filmit që po ndodh, që ngjan shumë me historinë e investimit 4 miliardë dollarësh në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Një zonë e mbrojtur nuk është thjesht një copë tokë që pret ofertën më të lartë. Nuk është një parcelë në pritje të investitorit të duhur. Nuk është as edhe një aset i ngrirë për mungesë kapitali. Zona e mbrojtur është një deklaratë parimore e shtetit. Është mënyra me të cilën shteti thotë që kjo hapësirë ka një vlerë që nuk matet me metra katrorë ndërtim, me numër dhomash hoteli, marka luksi, marina, vila, resorte, apartamente apo shifra investimi.
Zona e mbrojtur do të thotë që këtu ka një vijë të kuqe.
Jo sepse nuk ka ardhur ende miliarderi i duhur, apo sepse oferta e deritanishme ka qenë e ulët. Jo sepse presim ndonjë biznesmen nga Katari, apo dhëndër nga Amerika. Por sepse disa gjëra nuk duhet të jenë në shitje.
Këtu qëndron problemi moral, politik dhe juridik i kësaj historie. Nuk është thjesht pyetja nëse 4 miliardë dollarë janë shumë. Sigurisht që janë shumë. Edhe një milion dollarë ishin shumë për Davidin dhe Dianën. Pyetja është a ka një shumë aq të madhe sa ta bëjë të negociueshme atë që vetë shteti e ka shpallur të panegociueshme?
Kur dëgjon argumentet e mbrojtësve të kryeministrit, si Baton Haxhiu, etj “si mund t’i thuash jo një investimi kaq të madh, kur ata janë më të pasur se buxheti i Shqipërisë?”, kupton se debati ka rrëshqitur në terrenin e miliarderit të filmit. Pra, nëse je i varfër, parimet e tua kanë çmim. Nëse ke nevojë për para, dinjiteti yt bëhet mall. Nëse tjetri është shumë i pasur, ti nuk ke më të drejtë të thuash jo.
Në këtë analogji, Shqipëria është si Davidi. Një vend me nevoja reale, me ekonomi të brishtë, me mungesë investimesh serioze, me buxhet të kufizuar, me komplekse inferioriteti ndaj kapitalit të madh të huaj. Zona e mbrojtur është intimiteti i Dianës. Ajo që në parim duhej të ishte jashtë tregut. Ajo që nuk duhej të negociohej. Ajo për të cilën shteti kishte dhënë një premtim publik që kjo nuk preket.
Dhe pastaj vjen miliarderi, jo thjesht me para, por me një raport të ri pushteti. Ai vjen me aftësinë për të ndryshuar gjuhën e shtetit, për të ndryshuar ligjin me porosi, për të rivizatuar kufijtë, për të relativizuar mbrojtjen, për ta paraqitur shkeljen si zhvillim dhe dorëzimin si vizion.
Por, në këtë film pa fund romantik, rreziku është që paratë të mos shkojnë kurrë në shtëpi. Pra, të mos kthehen realisht në mirëqenie publike. Të mos shndërrohen në shkolla më të mira, spitale më dinjitoze, paga më të larta. Mund të ndodhë që investimi të krijojë pasuri private, por jo begati publike. Mund të ndodhë që tvsh-ja t’i ulet në 2% dhe fitimet të ikin offshore. Zona të humbasë për qytetarët, ndërsa fitimi të tretet përtej oqeaneve. Mund të ndodhë që shqiptarëve t’u mbeten vetëm gardhet, rojet private, kufizimet, rrugët e mbyllura dhe pamja nga larg e një luksi ku nuk hyjnë dot.
Në fund, shtëpia mund të mbetet bosh.
Sepse kur shitet një zonë e mbrojtur, nuk shitet vetëm toka. Shitet parimi se ligji mbron. Shitet ideja se shteti ka detyrë të ruajë diçka edhe kundër tundimit të parasë. Shitet besimi se fjala “e mbrojtur” do të thotë vërtet e mbrojtur, jo e mbrojtur deri në momentin kur shfaqet një investitor mjaftueshëm i pasur.
Dhe këtu krahasimi me filmin bëhet edhe më i rëndë. Diana, të paktën, është person. Ka vullnet. Mund të thotë po ose jo. Mund të largohet. Mund të pendohet. Mund të rikthehet. Por një zonë e mbrojtur nuk flet dot. Nuk negocion dot. Nuk mbron dot veten nga arkitektët, lobistët, kryeministrat, investitorët dhe propagandistët e banaqeve të zhvillimit.
Vetëm ligji flet në emër të saj.
Prandaj, kur ligji përkulet para parasë, zona nuk tradhtohet realisht nga investitori, por nga ai ka detyrë të kujdeset për të.
Në këtë kuptim, çështja nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë investime. Sigurisht që duhet. Një vend nuk mund të jetojë me refuzim të çdo zhvillimi. Por zhvillimi nuk mund të nisë pikërisht aty ku shteti ka thënë se nuk duhet të nisë, kur 80% e Shqipërisë nuk është zonë e mbrojtur dhe ka vende djerrë plot. Investimi nuk mund të justifikojë prishjen e kufirit që vetë shteti e ka vendosur. Përndryshe, nuk kemi më rregull. Kemi vetëm ankand për çdo rast.
Nëse një zonë e mbrojtur negociohet për 4 miliardë dollarë, atëherë nesër mund të negociohet edhe një park tjetër për 2 miliardë, një bregdet për 1 miliard, një pyll për 500 milionë, një lumë për 300 milionë, një lagunë për 100 milionë. Çdo gjë do të ketë çmimin e vet. E vetmja pyetje do të jetë: sa ofron? Atëherë “zona e mbrojtur” nuk është më kategori juridike, por vetëm çmim fillestar.
Prandaj kjo histori nuk duhet parë si debat mes atyre që duan zhvillim dhe atyre që nuk duan zhvillim. Ky është kurthi më banal i propagandës. Çështja reale është nëse një vend mund të ketë zhvillim pa u vetëshkatërruar, pa i kthyer ligjet në dekor dhe pa i trajtuar zonat e mbrojtura si gra të varfra që mund të jepen për një natë, apo më keq, për gjithë jetën, për sa kohë që oferta është mjaftueshëm e madhe.
Madje, nëse kriteri suprem qenka vetëm sasia e parave dhe prestigji i brandit, atëherë le ta çojmë logjikën deri në fund. 4 miliardë dollarë në disa vite mund t’i prodhojë, ndoshta, edhe një industri e legalizuar e prostitucionit, nëse shteti do ta trajtonte trupin njerëzor me të njëjtin standard që po trajton territorin e vet, jo me zona të mbrojtura, por si asete ekonomike në pritje të ofertës më të mirë. Nëse parimi qenka se “nuk u thuhet jo parave” dhe se çdo vijë e kuqe bie përballë parave, atëherë pse ky privilegj duhet t’i rezervohet vetëm shtetit? Le t’i lihet edhe popullit të thjeshtë të negociojë “zonat e veta të mbrojtura”, sipas çmimit, klientit dhe brandit që ka përballë.
Pyetja nuk shtrohet a doni 4 miliardë dollarë? Por, a jeni gati të pranoni se në këtë vend nuk ka asgjë të panegociueshme?
Nëse përgjigjja është po, atëherë nuk po shesim vetëm Vjosë-Nartën. Po shesim kuptimin e fjalës “mbrojtje”. Po shesim dinjitetin e ligjit. Po shesim idenë e mëhershme se brezat e ardhshëm do kishin të drejta mbi këtë vend. Po shesim besimin se ka gjëra që nuk preken, jo sepse nuk kanë vlerë e nuk i do askush, por sepse kanë shumë më tepër vlerë sesa çdo ofertë. Pra nuk kanë çmim.
Ndryshe nga filmi, nuk shoh të ketë ndonjë skenë finale ku çifti kthehet bashkë. Te filmi ynë do të ketë vetëm një burrë që mendoi se u bë i pasur, miliarderi mori atë që deshi, dhe shtëpia mbeti bosh.
Seç më kujton kjo histori edhe atë barcaletën “teorikisht dhe praktikisht”…
See less




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.