Protesta drejt Lëvizjes, apo përballë vetes
Nga Ben Andoni
Historianit amerikan Snyder, njeriut që parashikoi të gjithë natyrën e pushtetit të Presidentit në detyrë të SHBA-së Trump dhe rrezikun e vendimeve të tij, mund t’i atribuojmë dhe faktin e një parashikimi sa i përket protestës së “Flamingove”. “Idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka”. Kjo është e vërtetë në Tiranë, ku sensi për të dëshmuar, demaskuar dhe kërkuar drejtësi ka bashkuar fasha të ndryshme të shoqërisë në kërkim të ndryshimit dhe me një protagonizëm të madh.
Në dekadat e fundit, kronikat televizive dhe jo vetëm kanë qenë të mbushura me aksionin qytetar në tre vende ballkanike, dy nga të cilat fqinje me Shqipërinë, respektivisht Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa rasti serb është shumë më ndryshe. Rasti i protestës në Shqipëri, tashmë i simbolizuar me Flamingon dhe me frymë krejt indipendente (të paktën deri më tani) dhe në përpjekje të sinqertë të mos e përfshijë politikën, ka hapur front të ri pune për studiuesit e protestave. Veçse vështirësia më e madhe, por edhe ajo që e bashkon rastin shqiptar me ato të vendeve të tjera ballkanike është e thjeshtë, ndërsa regjimet tejet autokratike të përgjigjen egërsisht, si në rastin e Turqisë dhe pak javë më parë dhe ajo e Hungarisë, në vendet tona përballja është hibride sepse regjimi drejtues në vendet tona ka petk demokratik. Vuçiq, Mickovski, Spajiq dhe Rama të përballin me sfida që kthehen në barrë për publikun, të kufizojnë hapësira por përballë ndërkombëtarëve të japin imazhin e një konkurrence politike demokratike shumë të drejtë. Dhe, e vërteta është se tashmë me vazhdimin e protestave, kur opozita në Shqipëri tashmë është pa tekst (!), po shikohet se faktori politik është i pafuqishëm në vend, gjithnjë e më shumë flitet e mbrohet me konceptin e demokracisë. Ky angazhim shoqëror, i cili mbart grupe të ndryshme, po kërkon transformimin e protestës në lëvizje dhe që andej nëse do t’i rezistojë procesit në një organizim politik. Por çfarëdo forme që të marrë, ajo duhet të ekzistojë, pasi përndryshe ashtu e pafuqishme për ta përballur vetë Ramën në rastin tonë, është e destinuar të bjerret. Në regjimet autoritare me tis demokratik, si rasti shqiptar, kemi organizim të qartë për të sunduar: Dhe, maxhoranca e sotme e ka heshtuar opozitën, përmes përfitimeve dhe kooptimeve të ndryshme (vargu i punësimeve të PD-istëve është mbresëlënës), e lejeve të ndryshme, e kamjes së shumëve syresh, por edhe e lëshimit të vazhdueshëm në tandemin politik PS dhe PD. Protesta me energjinë dhe forcën e saj shkëputi pikërisht këtë statusquo, ku përplasja e saj po përshfaqet në disa anë dhe nuk e përfill fare këtë statusquo. Veçse, tani, duhet të përfshijë dimensione politike, institucionale, ligjore dhe ato që lidhen me qytetarin. Duhen disa kushte për t’i detyruar autokratët dhe liderët e rajonit tonë që të ulen dhe kjo duhet të kuptohet sot nga protesta, që po reziston në karakterin dhe sidomos përpjekjen e madhe të shumë individëve për protagonizëm. Nëse do të duhet të mbijetojë kjo protestë duhet të kanalizohet në një Lëvizje. Dhe që të jetë e tillë, duhet të vazhdojë, të ketë liderë dhe duhet të qëndrojë aty. Këtë e bën vetëm një Lëvizje me Forcën e organizimit dhe vazhdimësisë dhe sidomos kërkesat e qarta dhe të panegociueshme, që e detyrojnë qeverinë që po të mos shikojë rrugëdalje: të kërkojë zgjidhje duke u tërhequr.
“Që rezistenca të ketë sukses, duhet të kalohen dy kufij. Së pari, idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka. Së dyti, njerëzit duhet të gjenden në vende që nuk janë shtëpitë e tyre dhe midis grupeve që më parë nuk ishin miqtë e tyre. Protesta mund të organizohet përmes mediave sociale, por asgjë nuk është reale që nuk përfundon në rrugë. Nëse tiranët nuk ndiejnë pasoja për veprimet e tyre në botën tre-dimensionale, asgjë nuk do të ndryshojë.”, shkruan Timothy Snyder në librin e tij “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë” (Shtëpia e Librit, përktheu Erebara, Gj.) Nëse kjo qeveri nuk do e ndjejë atë që ka bërë, vërtetë asgjë nuk do të ndryshojë. Këtë duhet të kuptojë një masë që sot po e kërkon protagonizmin me zor dhe që po e kthen protestën përballë vetes, pa kuptuar rrugën e vështirë dhe të domosdoshme përpara. (Javanews)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.