Protestë kundër gjykatësve para Presidencës
12 familje në Shkodër përmes protestës i kërkuan Presidentit që të nisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kontrollin e disa vendimeve gjyqësore të shpallura për pronat e tyre.
Në pankartat e vendosura pranë godinës së Presidencës, pesë protestuesit akuzonin disa gjyqtarë se kanë favorizuar tjetërsimin e pronave të tyre të blera nga shteti.
“Kam ardhur të protestoj për pronën time dhe kundër gjyqtares Marjana Rraboshta. Më kanë marrë pronën e blerë nga nëna ime dhe kërkoj hetim nga KLD për këtë gjë”, thotë një protestuese.
“Tash tre vjet e tre muaj që jam endur gjykatave për çfarë për pronën time për të cilën pasi e kam blerë më thonë që i ka dalë pronari”, shton një tjetër.
Pak kohë më parë, një protestë e ngjashme prej tyre është zhvilluar edhe para Këshillit të Lartë të Drejtësisë.