Kronika

Provat e hashashit, udhëzim i ri për asgjësimin

Pas debateve në distancë mes organit të akuzës dhe Policisë së Shtetit, tashmë trajtimi dhe asgjësimi  i bimëve narkotike caktohet nga një udhëzim i përbashkët i prokurorit të përgjithshëm, ministrit të Brendshëm, atij të Mjedisit dhe ministrit të Shëndetësisë.

Udhëzimi i datës 15 maj është publikuar në fletoren zyrtare dhe parashikon një sërë procedurash rigoroze që duhet të ndiqen nga organet e zbatimit të ligjit.

Sipas udhëzimit, gjithë sasia e sekuestruar e bimëve narkotike kur është e ambalazhuar, duhet të mbyllet në qeset e provave me numër unik dhe të dërgohet pa bërë ndërhyrje në Institutin e Policisë Shkencore, për gjetje gjurmësh dhe analiza kimike.

Po ashtu, në udhëzim thuhet se në rastet e gjetjes së sasive të lëndëve narkotike ato nuk duhet të preken, por duhet të lihen në vend e të mbahen nën kontroll derisa të vijnë punonjësit e strukturave të specializuara për luftën kundër drogës dhe prokurori.

Në rastet rastet e bimëve në proces kultivimi, ato mund të asgjësohen me anë të djegies në vend, vetëm pasi të jenë marrë mostra të cilat do të dërgohen në laboratorin shkencor.

Udhëzimi detyron edhe Institutin e Policisë Shkencore që të sigurojë ambiente të përshtatshme për administrimin e provave, të ruhen me punonjës policie dhe të monitorohen me kamera gjatë gjithë kohës.

Për asgjësimin me anë të djegies, thuhet në udhëzim, prokurori ngre një komision dhe madje edhe gjykata mund të dërgojë persona të autorizuar prej saj për të mbikëqyrur procesin. Udhëzimi parashikon që të ndërpriten të gjitha praktikat e mëparshme.

Pak kohë më parë ishte kryeprokurori Adriatik Llalla i cili hodhi akuza mbi abuzime të mundshme të uniformave blu.

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj reagoi me anë të një letre, duke shprehur habi mbi këtë fenomen, ndërsa policia tha se në shumicën e rasteve janë vetë prokurorët që nuk shkojnë në zona të thella ku zbulohet kanabisi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button