☀️
Tiranë 20°C · Kthjellët 10 June 2026
S&P 500 7,267 ▼1.62%
DOW 49,919 ▼1.87%
NASDAQ 25,170 ▼1.98%
NAFTA 91.85 ▲4.14%
ARI 4,094 ▼4.49%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1549 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 95.2473 EUR/MKD 61.6769 EUR/RSD 117.3822 EUR/TRY 53.2353 EUR/JPY 185.11 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1549 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 95.2473 EUR/MKD 61.6769 EUR/RSD 117.3822 EUR/TRY 53.2353 EUR/JPY 185.11 EUR/CAD 1.6104
₿ CRYPTO
BTC $61,629 ▼ -0.38% ETH $1,623 ▼ -1.79% XRP $1.0952 ▼ -3.7% SOL $62.9700 ▼ -3.29%
S&P 500 7,267 ▼1.62 % DOW 49,919 ▼1.87 % NASDAQ 25,170 ▼1.98 % NAFTA 91.85 ▲4.14 % ARI 4,094 ▼4.49 % S&P 500 7,267 ▼1.62 % DOW 49,919 ▼1.87 % NASDAQ 25,170 ▼1.98 % NAFTA 91.85 ▲4.14 % ARI 4,094 ▼4.49 %
EUR/USD 1.1549 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 95.2473 EUR/MKD 61.6769 EUR/RSD 117.3822 EUR/TRY 53.2353 EUR/JPY 185.11 EUR/CAD 1.6104 EUR/USD 1.1549 EUR/GBP 0.8633 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 95.2473 EUR/MKD 61.6769 EUR/RSD 117.3822 EUR/TRY 53.2353 EUR/JPY 185.11 EUR/CAD 1.6104
10 Jun 2026
Breaking
Opinion

Pse po tmerrohet regjimi nga sheshi

Nga NDRICIM KULLA

Sot në Tiranë dhe në rrethe të ndryshme të vendit po zhvillohen protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Ajo që e bën të veçantë këtë lëvizje nuk është vetëm shtrirja gjeografike brenda dhe jashtë Shqipërisë apo numri i pjesëmarrësve, por fakti se këto protesta  po zhvillohensi si shprehje e një pakënaqësie të grumbulluar prej vitesh. Raportimet e ditëve të fundit flasin për qindra  e mijëra qytetarë në Tiranë dhe protesta të ngjashme në qytete të tjera të vendit por edhe ne Europë dhe Amerikë, me kërkesa që shkojnë nga anulimi i projektit të Zvërnecit deri te largimi i kryeministrit nga pushteti.

   Protesta të tilla do  përbënin  gjithmonë një prove tepër  dramatike  për çdo qeveri. Por  në vend që të dëgjojë arsyet e zemërimit qytetar,kryeministri  tundet  e përkundet nga tundimi për ta paraqitur pakënaqësinë si keqkuptim, manipulim ose kërcënim.   Kur   protesta arrin të mbledhë njerëz të shtresave, bindjeve dhe moshave të ndryshme nën të njëjtën kërkesë, problemi nuk ndodhet më te protestat  apo organizimi i tyre , por te realiteti që i kanë krijuar ato.

Rreziku më i madh në këto momente nuk është vetë protesta, por   prova   që dialogu politik të zëvendësohet nga presioni, frika dhe përplasja. Çdo përpjekje për ta shuar një revoltë qytetare me trysni administrative, propagandë apo tensionim të situatës vetëm sa e afron vendin me një klimë konfliktuale që askush nuk duhet ta dëshirojë. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike; po aq detyrim demokratik është që pushteti ta dëgjojë atë pa e trajtuar si armik.

 Edi Rama i trembet largimit nga pushteti jo thjesht për shkak të humbjes së një mandati politik, por për shkak të momentit të llogaridhënies që vjen pas tij. Për këtë arsye ai duket se ka aktivizuar të gjithë mekanizmat mbrojtës që një pushtet i gjatë ndërton rreth vetes kur ndien se po i rrëshqet toka nën këmbë. Në vend që të përballet me thelbin e pakënaqësisë qytetare, ai përpiqet ta shpërqendrojë atë, ta relativizojë dhe ta zbehë në sytë e opinionit publik.

Shantazhi ndaj individëve të ekspozuar, presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë mbi ata që ngrenë zërin, dredhitë propagandistike që synojnë ta paraqesin protestën si një pakicë të parëndësishme  e destabilizuese, si dhe mobilizimi i një pjese të medias së afërt me pushtetin për të deformuar përmasat dhe arsyet e saj, janë instrumente të njohura të çdo qeverisjeje që ka hyrë në fazën e vet mbrojtëse.

 Në historinë moderne, pothuajse të gjitha regjimet që kanë hyrë në fazën e konsumimit të tyre kanë shfaqur të njëjtat shenja. Ato kanë filluar të flasin më shumë për stabilitetin sesa për lirinë, më shumë për rendin sesa për drejtësinë dhe më shumë për armiqtë sesa për problemet që vetë kanë krijuar. Në vend që ta shohin protestën si një alarm demokratik, regjimi  i Edi Ramës  po e trajton  atë si një sulm ndaj autoritetit të qeverisjes së tij . Në vend që të dëgjojnë arsyet e zemërimit, po investon  energji të jashtëzakonshme për të zhvlerësuar vetë ekzistencën e saj.

  Kjo ka qënë dikur drama e oborreve   perandorake, kjo ishte drama e burokracive të kalbura të Lindjes komuniste dhe kjo ka qenë drama e çdo sistemi që ka humbur lidhjen me jetën reale të qytetarëve. Brenda mureve të tyre gjithçka duket e qetë. Raportet janë optimiste. Mediat flasin për arritje. Zyrtarët përsërisin të njëjtat formula triumfi. Por jashtë atyre mureve grumbullohet pakënaqësia e heshtur siç po ndodh sot  në Shqipëri   .

Në këtë  rast kuptohet se  po ndodh përplasja midis dy të vërtetave. Njëra është e vërteta e pushtetit, e ndërtuar mbi statistika, komunikime, spektakle politike dhe mekanizma propagandistikë. Tjetra është e vërteta e njerëzve që përjetojnë çdo ditë realitetin e tyre.

Prandaj regjimi i lodhur dhe i korruptuar i Edi Ramës po shfaq aktualisht   të njëjtin refleks. Po organizon  kundërpamje përballë pakënaqësisë. Po  kërkon që turma   t’iu përgjigjur turmave me antimitingje. Po  prodhon  spektakle për t’iu kundërvënë zemërimit. Kështu  po vepron  regjimi i fundit i Evropës Lindore tash që po e ndjen  se toka po i  lëviz  nën këmbët e tij. Kështu vepronte edhe sistemi i Çausheskut në vitet e fundit, kur manifestimet madhështore që organizoheshin për të treguar forcën e regjimit po shndërroheshin pa kuptuar në dëshminë më të madhe të pasigurisë së tij. Sepse pushteti që ndihet i sigurt nuk ka nevojë të dëshmojë çdo ditë se është i fortë.

Në mënyrë paradoksale, pikërisht këtu qëndron dobësia e regjimeve të gjata dhe të korruptuar keq. Ato fillojnë të kenë frikë nga ajo që demokracia e konsideron normale. Fillojnë të kenë frikë nga kritika. Nga intelektuali i pavarur. Nga gazetari që nuk bindet. Nga qytetari që proteston. Nga studenti që pyet. Nga pensionisti që ankohet. Nga çdo zë që nuk mund të kontrollohet plotësisht. Dhe sa më shumë rritet kjo frikë, aq më shumë zgjerohet aparati që synon ta neutralizojë atë.

 Në tragjeditë e Shekspirit ekziston gjithmonë një moment kur personazhi kryesor vazhdon të besojë se kontrollon çdo gjë që ndodh, ndërkohë që në të vërtetë ngjarjet kanë filluar ta kontrollojnë atë. Ai vazhdon të japë urdhra, të ndërtojë plane, të mbledhë oborrtarë dhe të prodhojë iluzionin e forcës, por në thellësi të dramës është bërë tashmë rob i fatit të vet. Në politikë ky moment shfaqet kur pushteti humbet aftësinë për të kuptuar se problemi nuk është më protesta, por arsyet që e kanë lindur atë.

Rreziku më i madh në situata të tilla nuk janë protestat. Protesta është një e drejtë demokratike. Rreziku ndodhet tek  pushteti që përpiqet ta trajtojë atë si armik dhe jo si sinjal. Atëherë krijohet klima e mosbesimit të përgjithshëm. Atëherë lindin ndarjet e thella shoqërore. Atëherë fillon të rritet mundësia e një përplasjeje që askush nuk e dëshiron,   që ushqehet çdo ditë nga mungesa e dialogut.

Shumë sundimtarë të shekullit të kaluar e kanë bërë këto gabime tragjike . Ata menduan se mund ta mposhtnin realitetin duke kontrolluar informacionin. Menduan se mund ta qetësonin shoqërinë duke disiplinuar frikën. Kështu mund të themi edhe për regjimin e Ramës sot. Mendon se mund të zëvendësoj besimin me bindjen e detyruar. Por fundi do të  provoj të kundërtën. Realiteti mund të vonohet, por nuk mund të mposhtet. E vërteta mund të turbullohet, por nuk mund të zhduket.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.