Putin ngre komision për të luftuar financimin e terrorizmit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka krijuar këtë të mërkurë një komision qeveritar për të luftuar financimin e terrorizmit, siç njofton vet Kremlini, një tjetër shenjë kjo që tregon fokusin e rritur të udhëheqësit të Moskës ndaj asaj, që ai vet e quan luftë kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Pas sulmeve në Paris, që lanë të paktën 129 të vdekur gjatë së premtes së kaluar, çështjet e sigurisë dominuan samitin e G20-s përgjatë fundjavës, ku udhëheqësit e këtij grupi vendesh, si rrallë herë duke dalë nga fokusi i zakonshëm i kësaj mbledhjeje që është ekonomia globale, ranë dakord të përforconin kontrollet kufitare dhe sigurinë e aviacionit civil, e gjithashtu të luftojnë edhe financimin e terrorizmit.
Përmes një dekreti që hyn në fuqi menjëherë, Putin urdhëroi zyrën e prokurorit të Përgjithshëm, Bankën Qendrore dhe autoritetet rajonale të dorëzojnë çfarëdo lloj informacioni të kenë mbi aktivitete të dyshimta në komisionin qeveritar të ngritur.
Të martën, Kremlini deklaroi edhe zyrtarisht se ishte shpërthimi i një bombe shkaku i rrëzimit të avionit rus të pasagjerëve mbi gadishullin e Sinait, në Egjipt gjatë muajit të kaluar, duke lënë të vdekur 224 personat në bord.
Dekreti urdhëron dorëzimin në komision të çdo informacioni mbi aktivitete të dyshimta të organizatave apo individëve, të cilët nuk janë të përfshirë në listën e të dyshuarve të qartë për përfshirje në aktivitete ekstremiste apo terrorizëm, në mënyrë që të ngrihen asetet financiare të tyre.
Vetëm një ditë më parë, Presidenti Vladimir Putin u zotua se do të gjurmonte dhe do t’i ndëshkonte përgjegjësit e rrëzimit të avionit rus mbi Egjipt, teksa ka përshkallëzuar sulmet ajrore kundër militantëve në Siri. Putin urdhëroi Marinën ruse në Mesdheun lindor të koordinonte veprimet e saj në det dhe nga ajri me Marinën franceze, pasi Kremlini përdori bombarduesit me rreze të gjatë dhe raketahedhësit në Siri, duke shtuar edhe forcën ajrore me 37 avionë të tjerë.
“Do t’i gjejmë kudo të ndodhen në këtë planet dhe do t’i ndëshkojmë”, tha Putin për bombvënësit e avionit. Ndërkohë, shërbimi rus i sigurisë FSB njoftoi një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për këdo që jep informacion se ku ndodhen ata.