Qendrat tregtare, tregu i mbingopur, kryeqyteti ia kalon dhe vendeve perëndimore për sipërfaqe për banor
Vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e madhe…
Nëse ka një segment të tregut të pasurive të paluajtshme ku të gjithë bien dakord se oferta ka kaluar çdo limit në raport me kërkesën është ai i qendrave tregtare.
“Oferta plotëson tërësisht kërkesat, pavarësisht se për tregtarë me pakicë, të cilët kërkojnë hapësira të mëdha, është shumë e vështirë për t’i gjetur në brendësi të qytetit, orientimi mbetet në drejtim të qendrave tregtare”, thotë Stela Dhami, menaxhere e kompanisë së pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe Hajredin Fratari, ndërtues, janë gjithashtu dakord se nuk ka më treg për qendra. Fratari paralajmëron se ky segment është tërësisht i ezauruar dhe rrezikon të pësojë goditje.
Me hapjen e qendrës më të fundit prej 60 mijë metra katrorë, Toptani Shopping Center, në qendër të Tiranës, sipërfaqja totale e qendrave tregtare në Tiranë ka arritur aktualisht në rreth 243 mijë m², sipas të dhënave të Colliers.
Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës perëndimore të qytetit.
Treguesi i përqendrimit të qendrave për gjithë vendin arrin në rreth 80 m² për 1000 banorë. Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës qendrore është 209 m² për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit, rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit.
Vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, treguesi shkon në rreth 280 m² për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e madhe. Në Itali, p.sh., ky tregues është 227 m² për 1000 banorë, në Gjermani 180 m², në Greqi 56 m², në Spanjë 244 m², ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m² për 1000 banorë.