Ekonomia

Qeveria, 233 milionë lekë për pamjen e re të Himarës

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot  punimet e projektit për pamjen e re të Himarës dhe Qeparoit, me të cilën pritet t’i prezantohen turistëve që në fillim sezonin e ardhshëm turistik.

Në Bregun e Jonit ka nisur realizimi i një pakete të plotë investimesh, të financuara nga qeveria shqiptare, që brenda vitit të ardhshëm do të rivlerësojë të gjithë potencialin turistik të Bregut.

Himara është kthyer në një kantier pune, ku me financim prej rreth 233 milionë lekë të qeverisë, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka nisur zbatimi i projektit për rikualifikimin e plotë urban dhe peizazhistik të shëtitores buzë detit, sheshit qendror, që do të vazhdojë me unifikimin e fasadave të ndërtesave dhe krijimin e një qendre administrative tipike të një qyteti mesdhetar.

Përgjatë vijës Spile-Himarë dhe në 9880 metra katror sipërfaqe po ndërmerren ndërhyrje arkitekture peizazhi, zhvillimi urban dhe rekreacioni. Shëtitorja ekzistuese po transformohet  me vijën natyrale të terrenit që lidh detin me ndërtesat në vijën e parë të bregut. Projekti ruan karakteristikat e zonës, duke përdorur materiale që i afrohen elementeve natyrale të formimit të plazhit. Në projekt  parashikohen të mbillen gjithashtu  pisha mesdhetare. Në pjesën veriore të shëtitores do të instalohet edhe një port turistik.

Ndërhyrjet e aplikuara si një e tërë do të unifikoje panoramën e qytetit të Himarës. Përveç krijimit të një hapësire të re bashkëkohore për qytetarët, ndërhyrjet tërësore do të fuqizojnë potencialin turistik të Himarës dhe turizmit shqiptar, si dhe do t’i japin zhvillim të ri aktivitetit ekonomik dhe tregtar.

Ndërsa në Qeparo kanë nisur punimet për vazhdimin e shëtitores, segmenti i parë i të cilës që përfundoi para nisjes së sezonit turistik të këtij viti. Si e tërë, shëtitorja  shtrihet në të gjithë vijën e plazhit të Qeparoit deri në pikën fundore të tij, me një gjatësi prej 2 kilometra dhe gjerësi nga 5 deri në 7metra. Edhe në ndërtimin e saj po ruhen karakteristikat e zonës, me blloqe guri të çrregullt për muret mbajtëse, shëtitorja do të vishet me pllaka guri, ndërsa konturet përgjatë saj janë konceptuar në trajtë bedenash. Gjelbërimi dhe ndriçimi dekorativ janë elementët e tjerë të projektit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button