Kosova

Qeveria në mbledhjen e 80-të, riprocedim për Organin Shqyrtues të Prokurimit

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvillon sot mbledhjen e 80-të, të 13-tën në vitin 2016, në të cilën pritet vendimi që t’i riprocedojë Kuvendit propozimet për emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në 15 mars, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku nuk mori pjesë opozita, deputetët e maxhorancës me mosvotim kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Para mbledhjes së qeverisë, po sot mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, me axhendë përgatitjet për seancën plenare. Sot nuk është në axhendën e Kryesisë, por pritet që në seancën e ardhshme plenare të Kuvendit kosovar të hyjë në rend dite edhe emërimi i anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndërkohë, në Kosovë ka mbërritur dje një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos, të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Në prag të ardhjes së misionit, kryeministri kosovar Isa Mustafa është shprehur i bindur se nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave, për faktin se, theksoi ai, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret. Sa i përket Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe sistemit të prokurimit, ne vitin e kaluar kemi kompletuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi ndryshuar Ligjin mbi Prokurimin, kemi kaluar nga ky vit në prokurimin elektronik”, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Çështja e zgjedhjes së anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka vijuar ai, është çështje praktike, e cila nëse nuk është kryer dje në Kuvend, kryhet për një javë ditë.

“Janë çështje të cilat do të ndodhin gjithmonë, sepse gjithmonë do të kemi zgjedhje dhe rizgjedhje. Mirëpo është me rëndësi që ne kemi siguruar që me ligj ky organ të jetë i pavarur dhe të jetë profesional”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Sipas shtypit të sotëm në Prishtinë, misioni mund të japë udhëzime për detyrat e papërmbushura, por autoritetet kosovare kanë këmbëngulur se nuk do të pranojnë rekomandime shtesë. Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka thënë të jetë i vonuar ky mision dhe ka shprehur bindjen që ekipi i ekspertëve evropianë do të japë një vlerësim real dhe serioz të punës që është bërë nga ana e Prishtinës zyrtare për përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit.

Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsej 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, ndërsa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button