Ekonomia

Qeveria, në spitale vetëm 12.250 punonjës

Beqajt i jepet e drejta e investimeve dhe nga fonde joshtetërore

Qeveria ka marrë një vendim “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, duke përcaktuar dhe numrin e përgjithshëm të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë. “Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 250 veta, nga të cilët 20 punonjës në Spitalin Universitar të Traumës, për Shërbimin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohet nga ministri i Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Nëse nuk ka mjek specialist në spitalet në rrethe, qeveria punëson nga jashtë duke i ofruar një pagë prej 100 mijë lekësh në muaj.

Tenderët

Sipas këtij vendimi, spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar në buxhet. Rishpërndarja e buxhetit midis spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Një fond jo më i madh se 20% i buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:

  • a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
  • b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave; c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
  • ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
  • d) pagesa për referime të pacientëve në Spitalin Universitar të Traumës, në zbatim të sistemit të referimit, sipas tarifave të miratuara nga ministri i Shëndetësisë;
  • dh) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike, nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë sipas legjislacionit për partneritetin publik privat. Ndërsa është përcaktuar se investimet në spitale mund të realizohen dhe me fonde të tjera.

“Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë. Spitalet mund të kryejnë investime, me miratimin e ministrit të Shëndetësisë, edhe nga burime të tjera. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit. Ministria e Shëndetësisë, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime e investime. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë”, thuhet më tej në vendim. Ndërsa është përcaktuar se mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për mënyrën e përdorimit të buxhetit total të spitalit. Ndërsa Fondi kontrollon dhe monitoron spitalin për buxhetin dhe aktivitetin vjetor sipas kushteve të përcaktuara në kontratën dypalëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button