Politika

Rama: Ballkani i vendosur, më mirë punojmë së bashku sesa të shpërbehemi

10649872_10152373459931523_2508583062823274361_nNGA HERION MESI

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i përzgjedhuri i Kancelares gjermane, Angela Merkel, për të përfaqësuar të gjitha vendet e Ballkanit me fjalën e tij në konferencën e përbashkët për mediat, pas përfundimit të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Pasi falënderoi “Zonjën e hekurt” gjermane për besimin, Rama është shprehur se i gjithë rajoni është i gatshëm të punojë pa pushim për të realizuar objektivin e tij më të madh, integrimin në BE. “Në emër të gjithë Ballkanit Perëndimor, këtu i pranishëm, dëshiroj të shpreh vlerësimin më të madh ndaj Kancelares dhe për angazhimin e saj me vendet tona që synon përmirësimin e situatës dhe dhënien e shpresës për gjeneratat e reja të europianëve. Jam i lumtur që sot arritëm dakordësinë që këto takime të bëhen të rregullta, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë t’i thellojmë lidhjet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa ne në vendet tona vazhdojmë të ndërmarrim hapa për t’iu bashkuar atij që ka qenë dhe është një bashkim jashtëzakonisht i suksesshëm politik i demokracive” – u shpreh Rama. Për Kryeministrin shqiptar, ballkanasit duhet të shkojnë në BE me vlera, ndërsa nuk ngurroi të çmojë harmoninë fetare në Shqipëri, si një vlerë që, sipas tij, po sjell në vendin tonë edhe Papa Françeskun. “Më mirë të punojmë së bashku sesa të shpërbehemi. Vlerat e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë midis vendeve, besimeve dhe feve sot nevojiten më shumë se kurrë dhe sërish Europa mund të veprojë si fanar në botë në këtë kontekst, duke u mbështetur te pësimet e dhimbshme të së kaluarës dhe duke udhëhequr nëpërmjet shembullit të saj në të tashmen.

Është pikërisht harmonia fetare që gjendet në rajonin tonë një nga arsyet pse Papa Françesku zgjodhi për të vizituar Tiranën më 21 shtator, si destinacioni i parë europian. Kryeqyteti i një vendi europian, ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë në paqe dhe prosperitet. Harmonia jonë fetare është një vlerë thelbësore që të gjithë ne si europianë duhet ta çmojmë. Ne së bashku po përballemi me sfidën për ta mbrojtur këtë harmoni fetare në zemër të Europës nga kërcënime të qarta në dyert e Europës”, u shpreh Rama.

Përgjimet

Pyetjes së “Top Channel”, se sa ndikim do të ketë kjo konferencë në marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë e Shqipërisë dhe nëse në to mund të ndikojë lajmi për përgjimet e shërbimeve sekrete gjermane në Shqipëri, Kryeministri Rama theksoi se nuk ka asnjë vend për spekulim me këtë çështje. “Lidershipi i Kancelares Merkel dhe vullneti i Gjermanisë i shprehur sot në mënyrë të dukshme me këtë nismë është garancia më e sigurt se konferenca e sotme është fillimi i një procesi ristrukturimi politik dhe ekonomik të Ballkanit. Sot, Kancelari i Austrisë ka anonçuar se do të jetë ky vend që do të presë konferencën e vitit të ardhshëm. Ky është një tregues më shumë. Sa i përket çështjes së përgjimeve, nënvizoj se këtu nuk ka vend për asnjë spekulim. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe ndajmë me Gjermaninë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Prandaj, kur bëhet fjalë për sigurinë, nuk ka asnjë paragjykim”, u përgjigj Rama. Ndërsa Kancelarja Merkel, duke iu shmangur një përgjigjeje zyrtare për këtë çështje, theksoi se mbështet ato që tha Kryeministri Rama lidhur me rastin e përgjimeve. “Sa për të tjerat, mund të them se, në një ditë mund të provojmë se mund të ecet përpara. Ne duhet të mbështesim popujt, kemi mbështetur marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës, zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë dhe problemet e BeH. Gjithashtu, në këtë takim ne kemi vendosur piketat për të ardhmen”, tha Kancelarja gjermane.

Vizita në Beograd

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Serbinë në datën 22 tetor të këtij viti. Deklarata u bë nga vetë Kryeministri Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, të mbajtur këtë të enjte në Berlin (Gjermani), ku zhvilloi punimet samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor. I pyetur nga mediat mbi një vizitë të mundshme të tij në Serbi, Rama konfirmoi se “po, do të vizitoj Beogradin më 22 tetor”. Kemi një datë përfundimtare, sqaroi ai, pas ftesës së bërë nga Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç. “Është një hap më tej drejt së ardhmes. Kemi kaq shumë gjëra për të diskutuar dhe kaq shumë potencial për bashkëpunim, saqë duhet të punojmë të gjithë së bashku në rajon”, komentoi Kryeministri Rama. Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se ky bashkëpunim duhet të shtrihet edhe mes shqiptarëve e serbëve për t’u siguruar se nga kjo erë e re në Ballkan njerëzit të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur, duke qenë se është një mundësi e jashtëzakonshme. Është viti i parë, tha Rama, në historinë tonë që jemi në paqe në të gjithë kufijtë. “Sigurisht kemi probleme dhe, siç e theksoi edhe Kancelarja Merkel, na duhet t’i zgjidhim këto probleme. Por, së pari na duhet të kërkojmë mundësi e t’u ofrojmë njerëzve një të ardhme solide e të shkëlqyer”, theksoi Kryeministri Rama.

Projektet e Ballkanit

Gjatë fjalës së tij, shefi i ekzekutivit shqiptar, theksoi se Shqipëria, si kryetare e procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), ka qarkulluar një dokument pune, i cili, siç tha ai, parashtron ide për nisma të përbashkëta në shkallë të gjerë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në katër fusha të mundshme. “Projektet e infrastrukturës; sigurimi i energjisë; mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, financimin dhe edukimin e kapitalit njerëzor; si dhe projektet turistike rajonale. Duke punuar mbi këto nisma, ne do të përmirësojmë gjendjen e ekonomive tona dhe do të bëhemi më konkurrues e më të gatshëm për t’u bërë anëtarë produktivë të BE-së”, tha Rama. Pavarësisht se këto projekte janë në fazat e para të tyre, Kryeministri Rama u shpreh entuziast për hapat e ndërmarrë sa i përket bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik.

Reagimi

Basha: I dobishëm samiti përballë oligarkisë së Ramës

Për kreun e PD-së, Konferenca e Berlinit është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, që, sipas tij, në këto momente gjendet pranë një kanosjeje të oligarkisë së pushtetit të majtë. “Takimi i Berlinit është një investim i rëndësishëm për rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor. Lidershipi i Kancelares Merkel dhe kreut të Komisionit Barroso (njëherësh personalitete të së djathtës europiane) është shumë i dobishëm për ecurinë aktuale të Shqipërisë. Në këto momente kanosjeje oligarkike dhe sulmi kundër standardeve demokratike, vëmendja e shtuar e BE-së ofron një ndihmë të madhe në përpjekjet tona për një Shqipëri demokratike, moderne dhe europiane”, reagoi Basha në “Facebook”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button