Politika

Rama: Basha, kryebashkiaku më kot. Kryedemokrati: Bllokove fondet, hakmarrje prej vagabondi

Akuzat mes liderëve

NGA ARTEMISA HOXHA

Prishjet e ndërtimeve pa leje në qendër të Tiranës kanë rikthyer përplasjet e ashpra ndërmjet liderit të PD-së, Lulzim Basha, dhe Kryeministrit Edi Rama. Beteja e akuzave në rrjetet sociale mes kreut aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe ish-kryetarit më jetëgjatë të bashkisë, Edi Rama, nuk u ndalën as ditën e djeshme. Edhe pse stina e verës nuk ishte aspak e qetë nga reagimet e kryesocialistit dhe kryedemokratit në lidhje me punimet e bashkisë, duket se edhe fillimi i sesionit të ri parlamentar premton debate të nxehta mes palëve. Prishja e ndërtimeve që po bëhen në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, në kuadër të rregullimit të këtij sheshi me ardhjen e Papa Franceskut në 21 shtator në Tiranë, riktheu akuzat mes Ramës dhe Bashës për ndërtimet pa kriter në kryeqytet. Në një status në rrjetin social

 Rama bashaTwitter, ish-kreu i bashkisë, tashmë Kryeministër i vendit, Edi Rama, akuzon Lulzim Bashën se e ka braktisur Tiranën, duke e cilësuar edhe si kryebashkiakun më kot që ka njohur kryeqyteti ndonjëherë. “Vazhdon shkulja e çibanëve nga kërthiza e Tiranës së braktisur prej kryebashkiakut më kot të historisë së kryeqytetit”, shkruan Rama në Twitter. Po në lidhje me këto punime, edhe dy ditë më parë Rama nëpërmjet një postimi  në faqen e tij zyrtare në Twitter tha se krahët e universitetit po çlirohen nga çibanët e legalizuar babëzisht në parkun e tempullit të dijes në gusht 2013, postim ky që pati e mijëra komente. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kreut të bashkisë më të madhe në vend,. ku nëpërmjet një statusi në Facebook, Basha shkruan se Kryeministri Rama ka bllokuar fondet për investime, si dhe zhvillime në këtë bashki. Duke e cilësuar këtë veprim të tij si një hakmarrje prej vagabondi, Basha vijon akuzat më tej duke thënë se ish-kryebashkiaku paraardhës tregohet mosmirënjohës ndaj përfitimeve që ka marrë Rama gjatë 11 viteve që drejtoi këtë bashki. “Mosmirënjohja është patologji e karakterit. Nëse një qytet si Tirana të bën njeri, të punëson prej 11 vitesh, të jep mbi 150 mijë dollarë rrogë e sa e sa përfitime të tjera, më e pakta e njerëzores është mirënjohja. T’i bllokosh investimet, punësimin, zhvillimin, është hakmarrje prej vagabondi”, i kundërpërgjigjet Basha, Ramës. Duket se ky fillimsesion i ri nuk do të jetë i lehtë për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kreun e Partisë Demokratike. Basha, së bashku me deputetët e PD-së kanë vendosur që t’i qëndrojnë ende vendimit të bojkotit parlamentar nga ana e grupit parlamentar demokrat.

Nga ana e tij, duke iu rikthyer edhe një herë punimeve që po bëhen në sheshin “Nënë Tereza”, në një tjetër postim në Twitter, Kryeministri Rama ka hedhur dy foto të reja, ku dallohet qartë ndryshimi i një pjesë të këtij sheshi. Sipas shefit të qeverisë tani nis restaurimi që ka munguar për 70 vjet me radhë dhe ky xhevahir i trashëgimisë do të rifitojë shkëlqimin e vet. “Tani nis menjëherë restaurimi i pabërë prej 70 vjetësh dhe ky xhevahir i trashëgimisë do të rifitojë shkëlqimin e vet”, shkruan Rama duke treguar edhe një herë ndryshimin e ambientit përballë sheshit “Nënë Tereza”. Pak ditë më parë, një tjetër betejë akuzash dhe reagimesh nga të dyja palët u bënë edhe në lidhje me projektin e ngritjen e disa pallateve shumëkatësh pranë Liqenit Artificial në Tiranë, për të cilët PS-ja akuzon bashkinë se nuk ka mbajtur premtimin për ta kthyer atë në një park sportiv dhe jo për ta betonizuar kryeqytetin. Punimet për restaurimin e godinave qendrore në sheshin Nënë Tereza, i trotuareve, si dhe rikthimi i ndriçimit dhe gjelbërimit po vijojnë me ritme të shpejta, kjo duke marrë parasysh se mbeten dhe 21 ditë nga vizita në Tiranë e Papa Franceskut, vizitë që do të zgjasë 11 orë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button