Rama: DASH kërkon reformën në drejtësi dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhje
Kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook ka cituar deklaratën e leshura sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku shprehet mbështetja për reformën në drejtësi dhe i bëhet thirrje të gjitha partive në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
“KUSH GËNJEN (22)
Departamenti i Shtetit kërkon reformën në drejtësi dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ja edhe njoftimi i plotë, publikuar në faqen zyrtare të DASH:
‘Ambasadori Thomas A. Shannon, Nënsekretar për Çështjet Politike, u takua sot me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati për të adresuar interesat e përbashkëta në marrëdhëniet tona bilaterale dhe rajonin. Nënsekretari rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen tonë të fortë për përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ambasadori Shannon theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare’”, shkruan Rama në faqen e tij në FB.