Rama: “Defender 2023” për herë të dytë në Shqipëri, privilegj i posaçëm për FA
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot nisjen në Shqipëri të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe, drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së “Defender 2023”, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama u shpreh se, organizimi për herë të dytë në Shqipëri i stërvitjes më të madhe ushtarake në Evropë është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitjeje.
Rama vlerësoi se, organizimi i “Defender 2023” për herë të dytë në Shqipëri vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë edhe mbështetjes së paçmuar të aleatëve tanë amerikanë dhe aleatëve të tjerë të vendeve të NATO-s.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot, e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit krah për krah me SHBA-të si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një rol, që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe çfarë pjekurie ka arritur vendi ynë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se, zhvillimi i kësaj stërvitje me praninë e trupave shumëkombëshe nën drejtimin e SHBA-së, është shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngihen shoqëritë tona.
“Stërvitja na kujton se pavarësisht gjuhës që flasim e flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera e parime që janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Të gjithë së bashku jemi të imponuar nga historia jonë dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, theksoi Rama.