Rama: Do të më vinte turp nëse ‘Beogradi’ do ndodhte në Tiranë
Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe një herë ngjarjeve të ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, duke e cilësuar të turpshëm reagimin e autoriteteve serbe, ndërsa shton se ajo çfarë ndodhi në Beograd nuk do të ndodhte kurrë në Tiranë.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama shprehet se do të ishte ndjerë i turpëruar nëse incidenti i Beogradit do të kishte ndodhur në Tiranë. Në kë kontekst, kryeministri shqiptar tha se ndjen keqardhje që politika në Beograd u shpreh me një gjuhë urrejtjeje kundër popullit të Shqipërisë, dhe jo siç thekson ai të dënonte dhunën dhe racizmin e tifozëve.
“Jam vërtet i çuditur sesi një banderolë fluturuese mund të ngjallë një furtunë të tillë nacionaliste në një stadium futbolli. Më çudit edhe verbëria me të cilën reaguan mediat ndërkombëtare. Në vend që të përqëndroheshin tek thirrjet raciste të 30 mijë njerëzve që bërtisnin “vrisni shqiptarët”, i thanë publikut se një flamur hodhi në erë gjithë takimin. E turpshme!” shprehet kryeministri Rama
Sipas shefit të qeverisë, nëse një banderolë serbe do të ishte ngritur në Shqipëri, nuk do të kishte thirrje raciste nga shqiptarët për një banderolë, ndërsa shton se as qeveria që ai drejton nuk do të kishte akuzuar qeverinë serbe. Rama nënvizon, duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidentit Tomisllav Nikoliç, se as ai dhe kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani nuk do të kishin bërë deklaratat fyese ndaj popullit serb, nëse një rast i tillë do të kishte ndodhur në Shqipëri.
“Unë do të ndihesha keq për veten time si Kryeministër i vendit në rast se forcat e sigurisë nuk do të arrinin parandalonin trazirat dhe të mbronin lojtarët në fushë, ku nuk do të kishte asnjë tifozët serb, ju e dini se nuk ka pasur tifozë shqiptarë? E para dhe më kryesorja nuk do të akuzoja qeverinë e një vendi tjetër për diçka që i takon qeverisë sime. E dyta, ju siguroj se nuk do të ishte kënduar me kore raciste dhe asnjë lojtar nuk do të dhunohej me pretekstin se në stadium u ngrit një banderolë fluturuese. Dhe e treta, edhe nëse pranoj për hir të bisedës se gjithçka do të merrte një rrjedhë të tillë të dhunshme si në Beograd, as unë dhe as Presidenti i Republikës nuk do të kishim mbajtur fjalime të tilla fyese kundër popullit serb siç bënë autoritetet e Beogradit me popullin shqiptar”. theksoi Kryeministri
I pyetur lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-greke, Rama siguron se nuk ka asnjë stanjacon ndërsa fton homologun e tij grek Antonis Samaras për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Rama: E ardhmja e dy vendeve në Europën e Madhe
I pyetur nëse incidenti në Serbi më 14 tetor ka “plagosur” marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama thekson se e kundërta është e vërtetë. Sipas Ramës, kjo ngjarje tregoi se sa e rëndësishme është që të kapërcehet e kaluara, duke shtuar se të dyja vendet duhet të shohin përpara drejt integrimit evropian.
Kryeministri Rama nënvizon se e ardhmja e të dyja vendeve është në Europën e Madhe duke ripërsëritur se nuk ka asnjë plan për një “Shqipëri të Madhe”.
“Unë besoj se e kundërta është e vërtetë. Unë besoj se ajo që është bërë e qartë është se sa e rëndësishme është të kapërcehet e kaluara e dhimbshme në rajonin tonë dhe se sa e brishtë është arritja e madhe e paqes në Ballkan. Viti 2014 është viti i parë në historinë tonë, që nga Lufta e Parë Botërore, pa asnjë mosmarrëveshje në Ballkan! Prandaj, është koha që të shikojmë përpara dhe të punojnë së bashku për një të ardhme të ndritshme për brezat e ardhshëm të dy kombeve tona. E ardhmja jonë është Bashkimi Evropian. Shqiptarët kërkojnë atë që ne të gjithë kërkojmë dhe është ëndrra e një Europe të Madhe, jo një Shqipëri të Madhe ose Serbi të Madhe apo një Greqi të Madhe. Nuk mund të ketë të ardhme për ne më e rëndësishme se sa Ballkani të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.” shprehet Rama
Rama: Shqiptarët, europianët e rinj, serbët, ballkanasit e vjetër
Edi Rama shpjegoi edhe deklaratën e tij se ndihet krenar me shqiptarët se bënë diferencën në Ballkan. Sipas kryeministrit populli shqiptar tregoi kulturë evropiane pavarësisht thirrjeve raciste të serbëve. Për kryeministrin Serbia është ende në Ballkanin e vjetër, ndërsa u bën thirrje që të çlirohen nga ky mentalitet.
“Kur të gjithë shqiptarët u derdhën në rrugë menjëherë pas ndeshjes, nuk dëgjova askënd të thoshte “vrisni serbët”. E pra në gjithë këtë dramë absurde shqiptarët treguan se janë europianët e rinj, ndërsa miqtë tanë serbë treguan se janë ende ballkanasit e vjetër. Do t’u thosha të çlirohen sepse shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë qenë asnjëherë sulmues, por janë ndeshur gjithmonë me sulme nga të tjerët”. tha kreu i qeverisë
Rama: S’ka stanjacon në marrëdhëniet me Greqinë, Samaras e ftoj në Tiranë
Në intervistën e dhënë për “Kathimerini” Rama foli edhe për marrëdhëniet aktuale me qeverinë greke, duke thënë se nuk sheh asnjë stanjacion në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa shprehu dëshirën e tij për një vizitë të homologut Samaras në Tiranë.
“Dua ta ftoj kryeministrin Samaras të vizitojë Tiranën. Kam shumë respekt për të dhe për atë që po tregon me detyrën e vështirë për të nxjerrë Greqinë nga kriza ekonomike. Kam shumë besim në qëllimet e tij të mira kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe besoj se bashkë mund të bëjmë shumë gjëra, duke forcuar jo vetëm marrëdhëniet mes dy vende, por edhe marrëdhëniet rajonale” tha Rama