Rama: Financuesi i PD po ndërton Rrugën e Arbërit
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kreut të PD, Lulzim Basha për pastrim parash lidhur me projektin e investimeve 1 miliard dollarë.
Në parlament, Rama solli në vëmendje emrat e ndërtuesve që kanë marrë tenderë për ndërtimin e rrugëve, ndërsa për herë të parë zbuloi emrin e biznesmenit Rrok Gjoka që ka marrë me koncesion ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Ai tha se Gjoka është financues i PD-së dhe ka marrë tenderë edhe nga Lulzim Basha në Bashkinë e Tiranës.
Kryeministri përmendi dhe një biznesmen tjetër pranë PD-së, Bashkim Ulajn, i cili gjithashtu po ndërton një segment të rëndësishëm rrugor.
Dhe pyetja e Ramës për Bashën ishte se paratë e kujt po pastrojnë këta biznesmenë të afërt me selinë blu.
“Kë rrugë mbaruat ju, Rrugën e Kombit që do 150 mln euro. Rrugën e Arbrit? Flisni për pastrim parash me rrugët, me ndërtimin e rrugëve. Rrok Gjokën e njihni? Ju të Republikës së Re mos shihni, se nuk e njihni, e kam me këta të Republikës së Vjetër. Ai është themeltar i PD. Sponsor i PD në çdo fushatë elektorale. Është përfitues i tenderëve të kryetarit aktual të PD kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ato para po pastron? Rrok Gjoka do i pastrojë paratë? Paratë e kujt, paratë e lumit që nuk iu merr juve dhe t’ju nxjerrë të larë. Paratë e pikës që s’u bie që merreni me këto lloj gjërash. Rrugën tjetër, për në drejtim të Thumanës, po e ndërton Bashkim Ulaj. Kush është Lulëzim, më shih në sy, kush është Bashkim Ulaj? Projekti 1 mld do bëhet, doni apo nuk doni ju. Puna juaj është kjo, eja këtu, bëj muhabet këtu, shih orën që s’mbaron, dil mbrapa, këta jeni ju, jeni të marrë fund”, tha Rama.