Politika

Rama: Hapim më shumë kurse, shkolla dhe kolegje profesionale

 Një grup profesionistësh arrijnë që me punë të palodhur dhe përmes zanatit, një ofiçinë të vjetër riparimesh ta kthejnë në një sipërmarrje të riparimit dhe prodhimit të profileve mekanike. Kompania “Borian”, sot ofron shërbime riparimi, por edhe prodhim pjesësh të ndryshme për industrinë e rëndë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë pikë, e cila ndër të tjera ofron edhe kurse trajnimi dhe praktika mësimore për nxënësit e shkollave profesionale.

“Ne jemi në shërbim të gjithë industrisë së rëndë, duke filluar nga miniera, nga ferrokromi, nga fabrika e çimentos, nga fabrikat e tullave. D.m.th., të gjithë këtu vijnë e bëjnë punime tek ne. Jemi unikalë në këtë drejtim. Kemi bërë riparimin e turbinave në Vaun e Dejës. Kemi shkuar dhe vetë i kemi parë në vend shumë gjëra”, tregon sipërmarrësi, i cili e ka ngritur sipërmarrjen e tij prej mëse dy dekadash.

Shqetësimi më i madh për të dhe skuadrën e tij, me një përvojë mbi katër dekada në profesion, është mungesa e specialistëve të brezit të i. Është domethënës apeli i tyre për të rinjtë në drejtim të zanateve e të punësimit real.

“Specialistë ka, – thotë ai, – por afër pensionit. Këta janë specialistë nga 40 vjet në profesion. Ky është problemi ynë. Me shkollën e mesme profesionale kemi bërë një kontratë që nga viti 2001-2002 dhe vijnë e bëjnë praktikën këtu nxënësit. Sado që jemi mundur dhe sado që i kemi inkurajuar, ka humbur dashuria për punën”.

Kryeministri Rama siguron se shkollat e trajnimet profesionale do të marrin një vëmendje edhe më të madhe.

“Ka humbur dashuria për punën, sepse duan të gjithë të bëjnë mastera shkencorë. Dhe thonë duam master shkencor të gjithë dhe e duam pa lekë. E pse duhet të prishin duart me punë. Por ne kemi filluar ta ndryshojmë dhe me arsimin profesional kemi bërë hapa jo shumë të mëdhenj dhe as të mjaftueshëm, por të rëndësishëm. Nga ana tjetër do të fillojmë të shkurtojmë ndjeshëm kuotat për hyrjen në universitet dhe të hapim më shumë kurse profesionale, më shumë shkolla profesionale, të bëjmë kolegje profesionale dyvjeçare, në mënyrë që të kemi krah të kualifikuar pune për prodhim se themi “prodhim” dhe kur vjen puna te prodhimi, çfarë kemi prodhuar 20 e ca vjet? Diploma juridiku dhe diploma ekonomiku.”

Sipërmarrësi tregon se përpjekjet e tij për të përcjellë dijet tek brezi i ri kanë qenë të vazhdueshme. “Unë pata një ide që të hapja një klasë dhe të bëja ca kurse. Punëtorët janë të aftë të japin mësim.”

Kryeministri Rama e inkurajoi që mbi këtë ide, të hartojë një projekt konkret, i cili do të përfitojë mbështetje, si dhe do të bëhet edhe një shembull i mirë për sipërmarrje të ngjashme. “Bëj një projekt na e sill dhe ta mbështesim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ta diskutojmë dhe ta bëjmë model, sepse mund të jetë një model që të na shërbejë dhe ne. Pra, një pikë prodhimi ka dhe pikën e vet të trajnimeve, aftësimeve dhe në një mënyrë të caktuar të gjejmë mënyrën që ta bashkëfinancojmë, shteti dhe privati”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button