Politika

Rama në Turqi, PS: koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar ka marrë fund

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është duke zhvilluar sot një vizitë njëditore në Stamboll ku do të marrë pjesë në forumin e njohur publik të organizuar nga “Think tank”, “Fikir Sofrasi” (Tryeza e Ideve).

Takimi i sotëm është edicioni i pesëmbëdhjetë i këtij organizimi, ku më parë kanë marrë pjesë si të ftuar nderi autoritete të larta vendase e të huaja në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit.

Tema e këtij takimi është “Perspektiva partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi në fushën e Tregtisë dhe Industrisë”. Ne takimin e sotëm, ku i ftuari i nderit është Kryeministri shqiptar, do të marrin pjesë mbi pesëdhjetë industrialistë dhe investitorë të mëdhenj turq, në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, bujqësisë e shëndetësisë, si edhe rreth njëzetë përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike turke.

Kjo vizitë e Kryeministrit Rama është në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë në Itali apo Gjermani, për tu takuar dhe nxitur sipërmarrësit e huaj të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Ndërkohë Partia Socialiste ka reaguar edhe ndaj deklaratave të PD-së, e cila kërkoi transparencë për këtë vizitë dhe sqaron se vizita e sotme është koordinuar nga konsullata e përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll.

“Për të hequr çdo “merak” të Partisë Demokratike vizita e sotme është koordinuar nga konsullata e përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t’i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik”, thuhet në deklaratën e PS-së.

Më tej PS thekson se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar ka marrë fund.

“Me keqardhjen e zakonshme për fjalorin e ulët nga i cili Partia Demokratike nuk ndalet dot, është e udhës te rinënvizohet edhe sot se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashke me atë pushtet në 23 qershor 2013. Por fatkeqësisht ajo kohe është ende në mendjen e atyre që mbajnë peng sot e gjithë ditën opozitën e Shqipërisë, te cilëve u ka ngelur ora tek zullumet e vjetra”, përfundon deklaratën PS-ja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button