🌤️
Tiranë 17°C · Kryesisht kthjellët 16 May 2026
S&P 500 7,409 ▼1.24%
DOW 49,526 ▼1.07%
NASDAQ 26,225 ▼1.54%
NAFTA 101.02 ▲4.23%
ARI 4,562 ▼2.63%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984
₿ CRYPTO
BTC $78,278 ▼ -1.1% ETH $2,184 ▼ -1.26% XRP $1.4100 ▼ -1.87% SOL $86.5300 ▼ -2.81%
S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 % S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 %
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984
16 May 2026
Breaking
Opinion

Rama si zjarrfikës i pallatit të Arlis

Edhe për lekët e zeza edhe për apartamentet e djegura, qëllimi i kryeministrit është i njëjtë : të ruajë imazhin e një sektori që përbën një nga shtyllat kryesore të qëndrimit të tij në pushtet

Nga ANDI BUSHATI

Mënyra se si Edi Rama reagaoi kundrejt djegjes tragjike të një pallati, ku për pak orë u bënë shkrumb e hi 35 apartamente, më shumë se për kujdesin që ai pati për ato familje, disa prej të cilave kanë humbur gjithçka, apo për ata që përfunduan në spital, na rrëfen për marëdhënien e sëmurë që ai ka vendosur me botën e ndërtimit.

Kur ende flakët nuk e kishin konsumuar të plotë këtë tragjedi, në rrjetet sociale shpërtheu një valë iracionale zemërimi. Dikush ripostonte pa u lodhur pamjet qesharake të një zjarrëfikseje që nuk depërtonte dot mes dy ndërtesave, një i dytë tallej me gafën naive të prefektit, një tjetër akuzonte materialet e fasadave që mund ti vinin flakën gjithë Tiranës, ndërsa të gjithë i bashkonte në unison, pakënaqësia kundrejt një industrie të lidhur me politikën, që po i zë frymën kryeqytetit.

Në këtë dalldi që merrte hov me shtimin e flakëve nuk pulsonte vetëm shqetësimi për ata banorë fatkeqë, por edhe mërzia për çmimet e paarritshme të banimit, për zhdukjen e këndeve të lojrave të femijëve, për zaptimin e hapsirave të përbashkëta të qytetit, ku vdekjet janë më të larta se kudo, për shkak të ajrit të ndotur. Të gjitha këto i hidhnin benzinë atij zjarri.

Pikërisht për të zbutur këtë ortek ndërhyri kryeministri, por këtë e bëri në mënyrën më të keqe të mundshme, që e nxjerr atë jo vetëm në dritën e fajtorit por edhe të avokatit të katrahurës që është shndërruar Tirana.

Me anë të një postimi në X, Rama siguroi se kompania Arlis që kishte ndërtuar pallatin do merrte përsipër, rindërtimin e të gjitha shtëpive të shkrumbuara.

Pavarësisht notave qetësuese, lidhur me këtë përpjekje për të ulur zemërimin mund të ngrihen disa pikpyetje : ç`punë ka një shef qeverie të marrë dhe rolin një pronari kompanie sigurimesh? Po edhe nëse do ta veshë kostumin e bamirësit, pse nuk e bën atë me fonde publike? Si mund të flasë ai si pronari “de facto” i Arlis ndërtim? Si mund ti japë të drejten vetes ti ngarkojë një kompanie një kosto, jo të papërfillshme financiare, në një kohë që ajo formalisht nuk është shpallur e fajshme nga asnjë gjykatë, për dëmin e shkaktuar?

Vetëm pak orë pas reagimit të Ramës, nuk dihet në rakordim paraprak (pasi pronari është shpallur në kërkim), apo me imponim indirekt edhe firma e ndërtimit doli me deklaratë se e merrte përsipër riparimin e dëmeve. Pra, urdhëri i « aksionerit mazhoritar » u vu menjëherë në zbatim.

E gjithë kjo fabul, e ndërmarrë në emër të së mirës, shpalos para syve të gjithkujt, një të vërtetë të thjeshtë: se ai që ka kompetencën të komandojë një firmë private se si të shpenzojë paratë e saj, është në fakt bosi real i atij biznesi. Të tërë e dinë se Rama është ai që u përcakton ndërtuesve lejet, skicon volumet dhe lartësitë, vë veton për përzgjedhjen e arkitektit, komandon format dhe ngjyrat, por rasti i sotëm dëshmon se ai vendos dhe për drejtimin që marrin paratë.

Ai është në fakt kreu i kupolës së kësaj industrie, e cila, është një nga shtyllat e modelit të mbrapshtë të zhvillimit ekonomik rililindas, e mundësisë për të ushqyer tregun e brendëshëm me para të pista, e rrjedhjes së këtyre flukseve për ti përdoruar më pas në zgjedhje dhe rekrutime opozitarësh apo kritikësh.

Pikërisht për këtë arsye qëndrimi i sotëm, ndonëse jo i njëjtë në formë, është katërcipërisht i ngjashëm me atë të pak ditëve më parë, kur ai tha se industria shqiptare e ndërtimit nuk është një shesh krimi. Edhe atëhere, ndryshe nga ç‘tregojnë raportet e BE, DASH apo Moneyval, ai pretendoi se me kullat tona nuk pastrohen para, ndonëse të dhënat dëshmojnë se ato vetëm maksimumi në 20% kreditohen me para nga bankat.

Edhe për lekët e zeza edhe për apartamentet e djegura, qëllimi i tij është i njëjtë : të ruajë imazhin e një sektori që përbën një nga shtyllat kryesore të qëndrimit të tij në pushtet. Prandaj Edi Rama veshi sot kostumin e pronarit real të kompanisë, të cilës iu dogj pallati, duke përcaktuar se si do i shpenzone ajo paratë.

Në vëmendjen e tij nuk ishin thjeshtë ato 35 familje fatkeqe, as të plagosurit, por mbrojtja e një industrie të tërë që e detyroi atë të bëjë rolin e zjarrfikësit për të shuar sadopak furinë që mori flakë në rrjet.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.