Rama vlerëson 88 fituesit e olimpiadave kombëtare: Ju jeni shembulli se si duhet të mendojë Shqipëria
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me 88 nxënësit fitues të olimpiadave kombëtare, ku u ka dorëzuar certifikatat e vlerësimit për rezultatet e arritura. Gjatë fjalës së tij, Rama i cilësoi nxënësit fitues si “yjet” e arsimit shqiptar, duke theksuar se suksesi i tyre është dëshmi e rritjes së nivelit të nxënies dhe mësimdhënies në vend.
“Janë nxënësit e mirë, shumë të mirë, dhe pastaj janë yjet që jeni ju.Yjet janë pak, se përndryshe nuk do të ishin yje. Por, për hir të së vërtetës, nuk janë pak nëse i numërojmë duke marrë parasysh ata ndër ju që s’janë vetëm fitues në olimpiada kombëtare, por edhe në olimpiada ndërkombëtare. Takimi së bashku nisi nga një nxënës që u bë i famshëm në mjedisin shqiptar për shkak të një rezultati në një olimpiadë të matematikës. Unë i thashë ministres të bëjmë diçka për këtë djalë dhe ministrja më tha: “Patjetër, por janë dhe të tjerë fitues në olimpiadat kombëtare. Kjo është fantastike dhe tregues i rëndësishëm i rritjes së nivelit të nxënies, sepse është rritur dhe niveli i mësimdhënies”, u shpreh Rama.
Kryeministri e lidhi këtë arritje edhe me rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke e cilësuar përmirësimin e rezultateve si fryt të një pune të gjatë për transformimin e sistemit arsimor. “Testi PISA 2025, për mua është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, për të transformuar sistemin tonë arsimor, infrastrukturën e shkollave, përmbajtjen e mësimit në shkollë, duke transformuar cilësinë e teksteve dhe situatën e mësuesve”, tha Rama.
Ai vuri në dukje gjithashtu se nxënësit vijnë nga shkolla dhe zona të ndryshme të vendit dhe se suksesi i tyre merr një rëndësi edhe më të madhe përballë vështirësive sociale dhe ekonomike që mund të kenë përjetuar. Sipas Ramës, këta nxënës përfaqësojnë një shembull për të gjithë shoqërinë shqiptare, pasi kanë arritur rezultate të larta pavarësisht kushteve dhe vështirësive.
“Ju jeni të jashtëzakonshëm në forcën e shembullit tuaj. Shembulli se si Shqipëria duhet të mendojë. Pavarësisht vështirësisë, historisë, përmasës së vetë të vogël, të guxojë të synojë të ngjitet sa më lart dhe sa më shpejt”, deklaroi kryeministri. Rama kujtoi edhe rastin e një nxënësi që u bë i njohur për rezultatin e arritur në një olimpiadë matematike. Pas këtij rasti, ai tha se i kërkoi ministres së Arsimit të ndërmerreshin hapa për vlerësimin e tij, por mësoi se kishte edhe shumë nxënës të tjerë që kishin shkëlqyer në olimpiadat kombëtare dhe ndërkombëtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.