Raporti BB: Ekonomia në vendet e Europës Juglindore u rrit 2,1% në vitin 2015
Rritja ekonomike në vendet e Europës Juglindore (EJL6[1]) në vitin 2015 vlerësohet të jetë mesatarisht 2.1 përqind. Kjo rritje ekonomike është shumë më e lartë krahasuar me 0.3 për qind të vitit 2014, kur rajoni u godit rëndë nga përmbytjet.
Banka Botërore në një njoftim për shtyp të premten, bën të ditur se, tashmë pritet që të gjashtë vendet e rajonit të kenë rritje reale të PBB-së, ku Kosova dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë pritet të kenë rritje prej 3.6 dhe 3.7 përqind, respektivisht. Serbia, që është edhe vendi më i prekur nga përmbytjet e vitit 2014, vlerësohet të jetë rritur me 0.8 përqind, shifër kjo më e lartë nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Sipas BB, rritja më e lartë ekonomike në vitin 2015 çoi në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat, duke sjellë në këtë mënyrë një zhvillim të mirëpritur. Krijimi i vendeve të punës dhe ulja e nivelit të inflacionit ndihmoi në rritjen e të ardhurave të familjeve dhe reduktimin e varfërisë. Niveli mesatar i varfërisë në Shqipëri, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbi u zvogëlua me 2 përqind gjatë viteve 2013 dhe 2015, që do të thotë se rreth 140.000 njerëz në këto katër shtete kanë dalë nga varfëria. Pavarësisht zgjerimit të ekonomisë dhe punësimit, i cili më në fund po reagon ndaj rritjes ekonomike, norma mesatare e papunësisë në rajon, që mesatarisht është 21.5 përqind, mbetet ende jashtëzakonisht e lartë.
BB veren se, rritja ekonomike u mbështet fuqishëm nga një rigjallërim i dukshëm i investimeve, veçanërisht të investimeve private, si vendase ashtu edhe të huaja.
“Eksportet po kontribojnë gjithashtu në këtë rritje. Konsumi i brendshëm, edhe pse është një ndër shtysat e rëndësishme ekonomike në rajon, ka mbetur mbrapa këtyre dy burimeve të rritjes në pjesën më të madhe të vendeve. Kjo zhvendosje nga konsumi, e ndihmuar nga remitancat drejt një rritjeje të mbështetur nga investimet private dhe eksportet, flet për shenjat e para të progresit drejt një ribalancimi gradual, por të nevojshëm të burimeve të rritjes”, citon njoftimi i BB.
“Është inkurajuese të shohësh shenjat e para të kalimit drejt një modeli të rritjes ekonomike të udhëhequr nga investimet dhe eksportet në vendet e EJL6″, shprehet Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore. “Ky ribalancim duhet të mbështetet në periudhë afatgjatë përmes thellimit të reformave ekonomike dhe rikthimit të rritjes së produktivitetit, i cili ka qenë në rënie që prej krizës globale.”
Përmirësimi i produktivitetit mbetet një proçes thelbësor për nxitjen e rritjes ekonomike në rajon.
Sipas raportit, rritja e qëndrueshme ekonomike mund të arrihet duke u fokusuar në një axhendë afatgjatë të reformave, e cila do të mbështetet në pesë shtylla. Këto shtylla janë: eliminimi i faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes, reduktimi i madhësisë së qeverisë dhe njëherësh përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve për qytetarët, thellimi i integrimit financiar dhe tregtisë, si dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Edhe pse shenjat për rimëkëmbjen e investimeve dhe rritjes ekonomike janë inkurajuese, mbeten ende rreziqe domethënëse. Rimëkëmbja e ngadaltë në Europë dhe në mbarë botën, paqëndrueshmëria e lartë në tregjet financiare ndërkombëtare, dhe luhatjet në çmimin e naftës përbëjnë rreziqe për perspektivën e rajonit. Numri i madh i kredive të këqija mund të ndikojë gjithashtu në uljen e kreditimit në të ardhmen. Për zbutjen e këtyre rreziqeve që i kanosen rimëkëmbjes ekonomike, kërkohet zbatim i qëndrueshëm i reformave ekonomike.
[1] Shtetet e EJL6-ës janë: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJ e Maqedonisë), Mali i Zi dhe Serbia.