Raporti BSH: Inflacioni i ulët, BQE politika të tjera lehtësuese
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, vëmendja e drejtuesve të BQE-së në këto muaj është fokusuar tek ecuria rënëse e inflacionit.
Normat e tij janë ulur dukshëm dhe parashikimet për vitin 2015 tregojnë se inflacioni do luhatet në nivele të ulëta përgjatë gjithë vitit. Në këto kushte, opsioni i ndjekjes së politikave të tjera lehtësuese nga ana e BQE-së (lehtësim sasior) duket më i afërt.
Sipas BSH-s[, publikimi i fundit i Eurostat-it për rritjen ekonomike në Eurozonë për tremujorin e tretë 2014, paraqet një rritje tremujore prej 0.2% dhe vjetore prej 0.8%, . Kontributi kryesor pozitiv në formimin e PBB-së erdhi nga konsumi i brendshëm, i cili u kthye në terren pozitiv pas një kohe të gjatë. Kategoria e investimeve rezultoi neutrale, ndërkohë që ajo e eksporteve neto ishte negative.
Ndërsa treguesit e fundit paraprijës së ecurisë së PBB-së për eurozonën, si dhe vlerësimet paraprake e indirekte mbi ecurinë e shitjeve, porosive të reja dhe prodhimit industrial, sugjerojnë rritje edhe në tremujorin e katërt, ndonëse ritmi do jetë i moderuar. Treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorëve në Eurozonë, paraqiten më optimistë, duke i bërë më të balancuara pritshmëritë e agjentëve ekonomikë, thuhet në raportin e BSH-së.